Në Gjykatën e Prishtinës, Departamentin Special, në mungesë të të pandehurit Shaban Syla, dështoi të mbahej edhe një seancë në rastin e njohur si “Toka”. Seanca e datës 16 korrik ishte e paraparë që të ishte seanca e fjalëve përfundimtare por që njëlloj si në seancën e 15 korrikut nuk u plotësuan kushtet e parapara për mbajtjen e saj.
Mungesën e të akuzuarit Syla e arsyetoi mbrojtësi i tij avokati Agron Kajtazi duke u thirrur në shkaqet shëndetësore të të mbrojturit të tij.
Kështu, seancat e radhës pritet të mbahen në datat 26, 27 dhe 30 Shtator.
Ky rast trajtohet në Departamentin Special nga trupi gjykues i përbërë nga Arben Hoti në cilësinë e kryetarit dhe anëtarët Mentor Bajraktari dhe Lutfi Shala. Ndërsa nga Prokuroria Speciale lëndën e përfaqëson Prokurori Naim Abazi.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.
Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, Ilaz Syla, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.
Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U, Sh.M, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura. Por, gjykatësi Hoti, jashtë seancës ka bashkuar procedurën për të akuzuarin Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, ku për këtë të fundit ka thënë se provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.
Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.
Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Aulona Alaj