Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e gjykimit për korrupsion dhe krim të organizuar ndaj ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit Dragan Jabllanoviq dhe të tjerëve.
Në seancën e sotme ka vazhduar paraqitja e mbrojtjes nga i akuzuari Haki Haxhiu.
Në paraqitjen e mbrojtjes së tij, në pyetjet e mbrojtësit të tij Ahmet Tahiri lidhur me njohjen me të akuzuarin Xhemajl Ferizi, Haxhiu deklaroi se ka qenë nënkontraktorë i tij për projektin ‘Shtëpia e Gjuetarëve’, si dhe ‘Pishina’ në Leposaviq.
I njëjti deklaroi se lidhur me pishinën, si nënkontraktorë kanë kryer punimet e gërmimit dhe betonimit, deri sa ka pasur mjete financiare në dispozicion, mirëpo që gjatë asaj kohe kanë pasur kërcënime nga strukturat paralele në Serbi, të lidhura me Listën Serbe, të cilët kanë djegur makineri, si dhe kërcënuar me gjuajtje me armë zjarri rojtarët gjatë natës.
Ndërsa lidhur me deklaratën e dëshmitarit F.N për punën si kuzhinier në kompaninë e tij, i akuzuari Haxhiu mohoi që dëshmitari të ketë punuar si kuzhinier ndonjëherë, duke deklaruar se asnjëherë në kompaninë e tij nuk ka pasur kuzhinë dhe ushqimi është blerë gjithmonë, njëkohësisht i njëjti theksoi se dy këmbët dëshmitari i ka thyer përgjatë punës në renovimin e Komunës së Leposaviqit, dhe jo sipas deklarimit të tij në kuzhinën e kompanisë së tij, pasi do ishte pamundur që në ambient të rrafshët të thyhen dy këmbët.
I akuzuari Haxhiu tutje mohoi raportin e auditimit të APKONS, i cili deklaroi se auditori ka përfshirë vërejtjet e Komunës së Leposaviqit dhe se ka përditësuar raportin, gjë e cila nuk mund të vërehet asnjëherë në këso procedura.
Në vazhdim të seancës, në pyetjet e prokurores së rastit Merita Bina-Rugova lidhur me njohjen me të akuzuarin Aleksandër Ackoviq, i akuzuari Haxhiu deklaroi se nuk e njeh personalisht të akuzuarin Ackoviq, ndërsa tutje në pyetjen tjetër të prokurores lidhur me një transaksion të kompanisë së tij tek Ackoviq si pagë për kryerjen e punës, para nënshkrimit të kontratës për pishinën, Haxhiu shpjegoi se kanë pasur disa kontrata të quajtura të Bashkimit Europian dhe është dashur të ndërmjetëson dikush nga serbët për pronarët tjerë të trasesë, për realizimin e rrugës dhe pas përfundimit dhe zgjidhjes së problemit nuk është angazhuar tutje më, mirëpo se as në atë kohë nuk e ka njoftuar personalisht.
Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.
Sipas aktakuzës, të njëjtit kanë vepruar në formën, duke ndarë fonde nga buxheti i Komunës për kompanitë përfituese në tendere për kryerjen e projekteve të ndryshme, e të cilat nuk janë kryer sipas duhet, meqë rast kompanitë përkatëse kanë përfituar dobi pasurore, duke dëmtuar buxhetin publik. Njëkohësisht zyrtarët komunal, në cilësinë e anëtarëve të komisionit kanë bërë pranimin teknik të punimeve të cilat nuk kanë qenë të përfunduara fare, apo se nuk janë përfunduar sipas planit dinamik.
I pandehuri Dragan Jabllanoviq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal” të organizuar nga neni 283, par. 2 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.
Të pandehurit Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Cedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.
Ndërsa, të pandehurit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti