Projekt i realizuar nga:

Dështon të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarit për Korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Pejë- Departamenti për Krime të Rënda sot ishte paraparë të mbahej seanca e shqyrtimit fillestar ndaj inspektorit të ndërtimit Mentor Beqiri i cili po akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gjyqtarja e rastit, Nushe Kukaj-Mekaj njoftoi se av. Granit Vokshi kishte kërkuar shtyrjes e seancës përshkak të disa angazhimeve dhe çështje personale.

Andaj, në këto rrethana seanca është shtyer për datën 14 gusht 2024.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, të datës 17 prill 2024, i pandehuri Mentor Beqiri ngarkohet se në cilësinë e inspektorit përgjegjës të ndërtimit pranë Drejtorisë për Inspektim-Sektori i Ndërtimit, nga data 25.11.2020 në vazhdimësi gjerë me datë 03.10.2022, me mos-veprim dhe në kundërshtim me detyrat e punës, dhe me qëllim të përfitimit për përsonin tjetër, nuk ndërmerr veprimet që përkojnë me autorizimet e tij ligjore.

Gjithnjë sipas aktit akuzues i pandehuri Beqiri, nuk ekzekuton vendimet e lëshuara nga ana e tij, i cili vendim e ka obliguar investitorin të bëjë rrënimin e shtyllave të katit të tretë, ku afati për heqjen apo rrënimin e mbindërtimit ka qenë i menjëhershëm, po ashtu nuk e ka ekzekutuar vendimin me të cilin e ka obliguar investitorin të bëjë rrënimin e objektit të ndërtuar në kundërshtim me lejen e legalizimit edhe përkundër afatit të përcaktuar shtatë ditor, investitori edhe përkundër vendimeve të lartpërmendura ndërton dhe përfundon objektin në tërsi, fillimisht duke ndërtuar pa leje ndërtimore, e më pas në kundërshtim edhe me vendimin për leje të legalizimit për përfundim të ndërtimit, ndërtim ky që ka tejkalim të vijës ndërtimore, që bie në kundërshtim edhe me planin rregullues ‘’Puhovc-Jarine’’ e i cili objekt nga investitori funksionon si biznes hostel ‘’7Arian’s’’ SH.P.K,

Me këtë Mentor Beqiri akuzohet se ka kryer veprën penale  ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 par.2 lidhur me par.1 dhe nenin 77 të KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Elvana Hatashi

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter