Projekt i realizuar nga:

Dënohen me burgim katër të akuzuarit për Krim të Organizuar

Në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, sot me datë 29 Gusht, u shpall aktgjykimi ndaj të pandehurve Hajdin Hoxha, Nehat Halili, Bajram Rexhepi dhe Ibrahim Miftari për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Trupi gjykues që gjykoi këtë çështje penale është i përbërë nga kryetari Rrahman Beqiri dhe anëtarët Ngadhnjim Arrni dhe Lutfi Shala.

Sa i përket dënimit, secili i pandehuri veç e veç u dënua me nga 2 vite e 6 muaj burgim si dhe me nga 1500 euro gjobë. Tutje u urdhërua edhe konfiskimi i tre makinave nga të pandehurit Hajdin Hoxha, Bajram Rexhepi dhe Ibrahim Miftari.

Për më tepër me aktgjykim u urdhërua edhe konfiskimi dhe shkatërrimi i lëndës narkotike të llojit mariuhanë në peshë prej mbi 23 kilogram.

Në këtë çështje të akuzuar janë edhe Avni Mehana e Fehmi Veseli, por që për të cilët procedura është veçuar në seancën e 27 Gushtit pas konstatimit se të njëjtit ndodhen jashtë shtetit.

Kjo çështje penale është kthyer ne rigjykim nga Gjykata e Apelit, përmes Aktvendimit të datës 25 Korrik 2019.

Në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të akuzuarit e lartcekur akuzohen sepse ka ekzistuar dyshimi i bazuar se nga data 1 Dhjetor 2013 deri më datë 4 Prill 2014, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar, në bashkëpunim me dy të dyshuarit Lutfi Peca dhe personi me emrin Faik, që të dy nga Kukësi i Republikës së Shqipërisë, me qëllim të përfitimeve të dobisë pasurore, pa pasur autorizim kanë blerë dhe poseduar me qëllim të shitjes, substanca narkotike të llojit marihuanë, ashtu që më datën 1 Dhjetor 2013, rreth orës 10:20 minuta, në Komunën e Mitrovicës, gjatë një kontrollë të kryer nga ana e PK-së, në një automjet, që ka qenë pronë e të pandehurit Ibrahim Miftari, i cili ishte duke e drejtuar këtë automjet, e ku ishte i pandehuri Nehat Halili, kanë gjetur dhe sekuestruar substancë narkotike të llojit marihuanë në sasi prej 9 kg e 993.7 gram, të cilën sasi e kishte blerë i pandehuri Muhamet Mangjolli nga i pandehuri Avni Mehana dhe pastaj ishin zënë në të njëjtën kohë dhe vend duke e përcjellur veturën ku ishte vendosur narkotiku.

Ndërsa më datë 24 Shkurt 2014, gjatë një kontrolle të PK-së, në Magjistralen Mitrovicë-Ulqin, në veturën e të pandehurit Fehmi Veseli, kanë gjetur dhe sekuestruar narkotikë të llojit marihuanë në sasi prej 4 kg e 0.84 gram, dhe gjithashtu më datë 3 Prill 2014, në veturën e të pandehurit Bajram Rexhepi, përsëri pas kontrollës nga PK, i është gjetur narkotikë të llojit marihuanë, në sasi prej 9 kg e 200 gram. Që të gjithë sasinë e lartcekur të narkotikut, të pandehurit e kishin blerë me qëllim të shitjes ng ai dyshuari Lutfi Pecan ga Kukësi, i cili dyshohet se është organizator dhe udhëheqës i këtij grupi kriminal.

Më tej, sipas aktakuzës, i pandehuri Mangjolli në muajin Nëntor të vitit 2013, në Mitrovicë, me propozim dhe ndërmjetësim të të pandehurit Fehmi Smakiqi, ka marr nga i pandehuri Florim Zeneli një sasi të narkotikut marihuanë, 3.5 kg, si kundërvlerë të një veture të tipit Audi, që e kishte në shfrytëzim i pandehuri Mangjolli.

Nga këto cka u thanë më lart, të gjithë të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal” nga neni 283 i KPRK-së, lidhur me veprën penale “Blera, posedimi, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 273 i KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Aulona Alaj

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter