Në Gjykatën e Prishtinës, Departamentin e Krimeve të Rënda, u mbajt seanca e rigjykimit në rastin ku Xhafer Ramaj dhe Shefqet Morina akuzohen për Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në seancën e datës 11 shtator u administruan provat materiale të propozuara nga Prokurori i rastit Kujtim Munishi si dhe provat e propozuara nga ana e mbrojtjes së të akuzuarve.
Tutje, pas përfundimit të procedurës së provave, ishte radha e dhënies së mbrojtjes nga ana e të akuzuarve. Të njëjtit deklaruan se nuk duan të deklarohen pasi i qëndrojnë prapa mbrojtjes së dhënë në gjykimin e mëparshëm.
Rasti po trajtohet nga trupi gjykues i kryesuar nga Sulltane Hoti dhe me anëtarët Avni Syla dhe Alban Ajvazi.
Seanca e radhës u caktua me datë 18 shtator në orën 13:15 në të cilën parashihet që palët të japin fjalët përfundimtare.
Sipas aktit akuzues të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Xhafer Ramaj duke qenë si zyrtarë të Drejtorisë së Gjeodezisë dhe Kadastrit të Komunës së Drenasit, akuzohen se duke qenë si persona zyrtarë kanë tejkaluar kompetencat e tyre, ashtu që kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.
Në aktakuzë thuhet se prej vitit 2010-2018 ata kanë bërë ndërrimin e destinimit të tokave bujqësore nga kultura arë ose livadh në tokë ndërtimore, kështu duke mosrespektuar Ligjin për Tokat Bujqësore nr.02/L-26 si dhe Udhëzimin Administrativ për ndërrimin e destinimit të tokave bujqësore nr.41/2006.
Ndërsa, Gjykata e Apelit, me aktvendim e kishte kthyer këtë rast në rigjykim.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Aulona Alaj