Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor në rastin ku Flamur Hajzeraj, Leutrim Jahja dhe Ylber Krasniqi po akuzohen për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Në seancën e sotme u paraqitën fjalët përfundimtare të palëve, në të cilën prokurori i rastit Eset Rama dorëzoi fjalën përfundimtare me shkrim, ndërsa në elaborimin verbal kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtor.
Ndërsa mbrojtja kërkoi lirimin nga akuza e të mbrojturve të tyre, si dhe shpalljen të pafajshëm.
Mbrojtësi i të akuzuarit Faton Hajzeraj, avokati Armend Krasniqi deklaroi në fjalën përfundimtare të tij se Prokuroria në aktakuzë nuk ka paraparë palën e dëmtuar dhe për ekzistimin e veprës penale duhet të ekzistojë edhe pala e dëmtuar, për më shumë, me dëgjimin edhe të dëshmitarëve kryesor, si drejtorit të financave të QKUK-së dhe atij kryesor, është deklaruar se QKUK-ë nuk është palë e dëmtuar.
Ndërsa i akuzuari Hajzeraj deklaroi se policët hetues kanë verifikuar se i gjithë malli ka qenë sipas kontratës së lidhur me operatorin ekonomik dhe QKUK-në, ku për dallim nga procesverbali i policisë, raporti i auditimit ku ka qenë kryesori në nisjen e kësaj aktakuze e thot krejt të kundërtën, përmes së cilës Hajzeraj theksoi se nuk e di sa mundet me qenë relevant një raport i auditorit të brendshëm në krahasim me procesverbalin e policisë.
Palët në këtë rast nuk kërkuan seancë të veçantë për matjen e dënimit, meqë rast gjyqtari i rastit Naser Foniqi e shpalli të përfunduar shqyrtimin gjyqësor.
Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datë 17 shtator, në ora 13:00.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore, Fatlum Hajzeraj, Leutrim Jahja dhe Ylber Krasniqi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të
vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti










