Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, me trup gjykues, Gjyqtarët Valon Kurtaj si kryetar dhe anëtarët Lutfi Shala, Vesel Ismaili, është mbajtur seanca ndaj të akuzuarve Lorik Jashari, Kadri Mustafa dhe Naman Pacolli, të cilët nga Prokuroria Speciale akuzohen si grup i organizuar kriminal për ‘Shmangie tatimore’, ‘Shpërlarje parash’, si dhe ‘Keqpërdorim i autorizimeve ekonomike’.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Valon Kurtaj, theksoi se në seancën e sotme do të paraqitet fjala hyrëse e palëve në procedurë, si dhe do të administrohen provat, përkatësishtë do të dëgjohet një dëshmitare.
Prokurorja Speciale Habibe Salihu, në fjalën hyrëse theksoi, se me provat të cilat janë propozuar që të administrohen në këtë shqyrtim gjyqësor, do të vërtetohet se personat të cilët akuzohen janë fajtor.
Mbrojtësi i të akuzuarit Lorik Jashari, në fjalën hyrëse të dorëzuar me shkrim dhe të elaboruar para trupit gjykues theksoi se, sipas aktakuzës i mbrojturi i tij në kohën se kur akuzohet për Krim të Organizuar, kishte qenë 20 vjec dhe rrjedhimishtë ka qenë e pamundur, që të udhëheqte një grup kriminal ashtu sic pretendohet nga Prokuroria.
Mbrojtësi i të akuzuarit Kadri Mustafa, në fjalën hyrëse theksoi se, në rastin konkret kemi të bëjmë me një aktakuzë e cila nuk i plotëson kriteret ligjore, kjo aktakuzë është e mangët dhe ka mungesë të provave. Tutje, shtoi se me asnjë provë nuk është vërtetuar dyshimi i bazuar se me veprimet e të mbrojturit të tij ekzistojnë elementet e veprës penale Krim i Organizuar.
Mbrojtësi i të akuzuarit, Naman Pacolli, në fjalën hyrëse theksoi se, ka shumë arsye që në këtë periudhë kohore të arsyetohet kjo cështje e kësaj lënde, por i njejti theksoi se do të ndalet tek parashkrimi i veprave penale për të cilat akuzohet i mbrojturi i tij, pasi ndjekja për të mbrojturin e tij duhet të ndërpritet pasi që është arritur parashkrimi apsolut i veprave penale për të cilat akuzohet i mbrojturi i tij.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Valon Kurtaj, theksoi se do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarës M.Z. Zyrtare në ATK – Sektori i Hetimit.
Në dëshminë e saj, dëshmitarja nga pytjet e Prokurorës Speciale Habibe Salihu, dëshmitarja theksoi se, sa i përket bizneseve të cilat përmenden edhe në aktin akuzes, e njejta shtoi se në vitin 2011 ishte ngarkuar me rastin e biznesit ‘Yllka Com’, dhe aty kishte vërejtur disa transaksione të dyshimta fiktive, tutje në të njejtin vitë, theksoi se kanë pranuar autorizim nga PSRK, për të filluar hetimet sa i përket këtij biznesi dhe bizneseve tjera të dyshimta të cilat përmenden në aktakuzë.
Në vazhdim, dëshmitarja theksoi se, këto biznese kishin qenë të ndërlidhura ndërmjet vete dhe për qëllim kishin shmangjen nga tatimi.
Tutje, dëshmitarja lidhur me konsiderimin e faturave fiktive theksoi se, pasi kanë marrë autorizimin, gjatë hetimit kishin siguruar dhe kryer bastisje dhe ishin sekuestruar fatura të dyshuara, si në shtëpitë e të pandehurve, ashtu edhe në disa lokacione tjera, po ashtu, ishin sekuestruar edhe kompjuter në lokalet e të dyshuarve.
Në vazhdim të dëshmisë së saj, nga pytjet e mbrojtësit të të akuzuarit Lorik Jashari, av. Kushtrim Palushi, dëshmitarja theksoi se në këtë rast tek sekuestrimi bëhet fjalë për 42 fatura. Sa i përket këtyre faturave, dëshmitarja theksoi se këto fatura ishin gjetur në kompjuterin e Lorik Jasharit, të njejtat ishin të punuara në Exel, nuk kishin pasur vulë pasi ishin të punuara në formë elektronike, në t’o ka pasur emra të biznesit dhe për kë ishin të përgaditura.
Sa i përket dëmit të shkaktuar nga të akuzuarit, dëshmitarja theksoi se, për periudhat 2007 – 2010, në vazhdimsi është dëmtuar buxheti i shtetit, dhe vlera parashihet të jetë rreth 8 milion.
Kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, theksoi se shqyrtimi i sotëm duhet të ndërpritet dhe në seancat e radhës do të vazhdohet me administrimin e provave të tjera, seanca e radhës do të mbahet me datë: 17 Shtator nga ora 09:30
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të pandehurit Lorik Jashari, Kadri Mustafa, Xh. M. dhe M. G., të cilët kanë ndërruar jetë, akuzohen për kryerjen e veprës penale të krimit të organizuar.
Sipas prokurorisë, gjatë vitit 2007-2011 Lorik Jashari si kryesues i grupit të organizuar kriminal iu ka ndihmuar në regjistrimin e bizneseve “Flaka Com” në emër të Kadri Mustafës. Kurse për Xh. M., ishte regjistruar biznesi me emër “Loni Com”, ndërsa M. G. ka regjistruar biznes me emrin “Yllka Com”. Sipas Prokurorisë regjistrimi i këtyre bizneseve ishte bërë më qëllim që të merren me aktivitete kriminale duke përpiluar faktura fiktive gjoja se është bërë shitja- blerja e mallrave konkrete, duke e dëmtuar sipas prokurorisë buxhetin e shtetit në dëm prej 198,707.17 mijë euro.
Gjithnjë sipas prokurorisë i pandehuri Lorik Jashari i ka kontaktuar personat e tjerë të akuzuar, duke qenë se ka aftësi të kontabilitetit dhe i ka udhëzuar personat si të hapet biznesi, si të veprohet në biznes, duke u treguar në detaje me aktivitetet kriminale.
Jashari sipas prokurorisë thuhet se pasi që janë udhëzuar tashmë të akuzuarit e tjerë për regjistrimin e bizneseve, ju ka siguruar shitës-blerës fiktiv. Tutje kishte përgatitur 42 faktura fiktive personalisht në vlerë prej mbi 360 mijë euro.
Me këto veprime të akuzuarit janë ngarkuar me veprën penale të krimit të organizuar. Kurse për Jasharin edhe për shmangie nga tatimi dhe për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Tutje aktakuza thotë se Jashari si pronar i kompanisë “Lori” në vitin 2008 e ndërron emrin e kompanisë në atë të “Lorlan” SH.P.K.. Kështu i njëjti gjithnjë sipas prokurorisë pranon para nga të hyrat e bizneseve fiktive “ Flaka Co” dhe kompania “Cini Comerce” dhe deponimet kesh në vlerë prej mbi 600 mijë euro, të hyrat nga shitblerja e banesave në vlerë prej mbi 300 mijë.
Prokuroria thekson se Lorik Jashari ka bërë shpëlarje të parave të fituara si më lartë duke e ndërtuar një objekt banesor shumëkatësh në vlerë prej afërsisht gjysmë milioni euro.
Pikë tjetër e akuzës për shmangie tatimi e ngarkon të akuzuarin Kadri Mustafa i cili si pronar i kompanisë “ Flaka Com” e ka dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej afërsisht 5 mijë euro duke mos deklaruar të ardhurat dhe fitimin e saktë të kompanisë.
I akuzuari tjetër Naman Pacolli akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të autorizimeve ekonomike.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Arton Hoxha