Projekt i realizuar nga:

Deklarohet i pafajshëm mjeku ortoped i akuzuar për Marrje ryshfeti

Ka filluar gjykimi në rastin e mjekut ortoped, Sami Delijaj i cili nga Prokuroria akuzohet për veprën penale ‘Marrje e ryshfetit’.

Në fjalën hyrëse Prokurorja e Shtetit, Fitore Sadikaj ndër të tjera shtoi se përgjatë këtij shqyrtimi gjyqësor pas administrimit të të gjitha provave, do të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar se personi i cili akuzohet është i fajshëm.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, av. Driton Muharremi, në fjalën e tij hyrëse theksoi se akuza në këtë rast nuk i plotëson elementet ligjore si dhe shtoi se përgjatë këtij shqyrtimi gjyqësor me administrimin e provave do të vërtetohet se i mbrojturi i tij nuk është fajtor, rrjedhimishtë nuk ka të bëjë aspak me pjesën për të cilën akuzohet se ka marrë ryshfet.

Tutje, shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me dëgjimin e palës së dëmtuar, i cili ndër të tjera shtoi se, në shtator të vitit 2023 kishte shkuar në QKUK, dhe aty kishte dërguar një familjar për shërim. Rrjedhimisht, familjarin e kishte dërguar në repartin e ortopedisë, ndërsa doktorrin Sami Delijaj e kishte takuar në ditën që ka shkuar në spital. Tutje, i dëmtuari shtoi se nga mjeku i është thënë se duhet të blejë një barnë e cila kishte kushtuar rreth 950 euro.

Në vazhdim, i dëmtuari theksoi se pasi kishte shkuar të blente atë që i ishte kërkuar, aty i ishte thënë se nuk ka nevoj të marrë ndonjë veprim sepse të gjitha kryhen nga doktorri, tutje i kishin treguar se paisja është e gatshme, ndërsa operimi ishte bërë ditën e nesërme. Ndërsa, pas operacionit ishte takuar me doktorrin dhe i njejti i kishte treguar se operimi ka shkuar mire.

Pastaj, i dëmtuari vazhdoi me rrëfimin e kësaj dite, ku ndër të tjera shtoi se, doktorri i kishte treguar se paisja të cilën e ka blerë i dëmtuari nuk i është vendosur pacientit pasi e njejta nuk ju kishte hyrë në punë, por ishte vendosur një paisje tjetër e spitalit. Ndër të tjera, doktorri i kishte kërkuar 450 Euro nga i dëmtuari. Por, pasi kishte shkuar në zyrë doktorri i kishte thënë se mjafton që të ja dhuroj vetëm 300 euro.

Krejt në fund, i dëmtuari shtoi se pas të ndodhurave rastin e kishte raportuar në Polici. Gjithashtu, parat ju ishin kthyer nga Policia në shumën e njejtë prej 300 euro.

Kryetari i trupit gjykues, theksoi se shqyrtimi gjyqësor duhet të ndërpritet pasi dëshmitari tjetër i cili ishte paraparë që të dëgjohej është zyrtar policor dhe i njejti ka një rast urgjent dhe nuk mund të dëgjohet sot.

Rasi po trajtohet nga gjyqtari Ertan Sejfulla si kryetar i trupit gjykues dhe gjyqtarët Naser Foniqi, Fatime Dërmaku në cilësi të anëtarëve.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore, ngritur më 18 tetor 2023 i akuzuari Sami Delijaj në cilësinë e personit zyrtar në pozitën e mjekut ortoped në QKUK, pasi kishte operuar pacientin R.M në emër të punës së kryer, në mënyre të drejtpërdrejtë me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, me datë 01 shtator 2023, ka kërkuar para ryshfet nga tani i dëmtuari Xhevdet Potera shumën prej 450 eurove, ku më 4 shtator 2023, kur Xhevdeti ia dërgon paratë diskutojnë rreth çmimit dhe i njëjti në formë ryshfeti i pranon 300 euro.

Me këto veprime sipas Prokurorisë, i akuzuari Delijaj ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 par. 1 të KPRK-së.

Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter