|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohet dëshmitarja bashkëpunuese në rastin e njohur si “Patentë Shoferët”

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës së Prishtinës vazhdoi gjykimi ndaj 28 të akuzuarve në rastin e njohur si “Patentë Shoferët”. Rasti po trajtohet nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Fatime Dermaku dhe me anëtarët Ertan Sejfulla dhe Naser Foniqi. Në seancën e datës 23 shtator u bë dëgjimi i dëshmitares bashkëpunuese F.K.

Para se të dëgjohej dëshmia e saj, seanca u përcoll me një varg mosmarrëveshjesh në aspektin procedural sa i përket dëgjimit të saj. Avokati Naim Ruari i cili në këtë procedurë përfaqëson të akuzuarinPremtim Topalli, kërkoi fjalën që të jap një kundërshtim sa i përket statusit të kësaj dëshmitareje. Mirëpo, pasi kryetarja e trupit gjykues nuk i dha fjalën, i njëjti kërkoi përjashtimin e saj nga gjykimi.

Mbrojtësi Rudari theksoi se meqenëse nuk u lejua të jap vërejtje lidhur me dëshmitaren bashkëpunuese, procesin gjyqësor e sheh si të anshëm dhe rrjedhimisht kërkon përjashtimin e gjyqtares që udhëheq trupin gjykues.

Pasi kërkesa e tillë iu referua kryetares së kësaj gjykate, i njëjti avokat deklaroi se tërhiqet nga kërkesa e tillë pasi që gjyqtarja e rastit i lejoi që vërejtja e tij të evidentohet në procesverbal. Avokati Rudari në raport me këtë vërejtje tha se, sipas tij, nuk janë plotësuar kushtet e parapara ligjore që dëshmitarja të shpallet dëshmitare bashkëpunuese andaj kërkoi që të revokohen kjo cilësi. Këtë kërkesë e mbështetën edhe mbrojtësit e tjerë të të akuzuarve në procedurë. Në këtë kuptim, avokati Hamdi Ibrahimi deklaroi se në raport me këtë dëshmitare nuk është nxjerrë asnjë akt juridik që e ka shpallë si dëshmitare bashkëpunuese.

Kërkesën e mbrojtjes për revokimin e statusit të dëshmitares  bashkëpunuese e kundërshtoi Prokurori i rastit Eset Rama. Ndërkaq, pas këshillimit, trupi gjykues morri aktvendim me të cilin refuzuan kërkesën e mbrojtjes.

Kështu seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitares bashkëpunuese F.K e cila deklaroi se deri në muajin prill të vitit 2019 ka qenë koordinatore e njësisë së patentë shoferit kurse që nga ky muaj është emëruar drejtoreshë për patentë shoferë.

Dëshmitarja deklaroi se i njeh të gjithë të akuzuarit të cilët kanë punuar në njësinë e patentë shoferit në Prishtinë. Fillimisht e njëjta shpjegoi procedurat në të cilat kanë kaluar kandidatët për patentë shofer. Kështu, sipas dëshmitares pasi kandidati e ka dorëzuar testin, ekzamineri ka qenë i obliguar që atë ta kontrolloj para kamerave, mirëpo, ka qenë një periudhë që këto kamera nuk kanë punuar për shkak të mungesës së kontratës për mbikëqyrjen e tyre.

Dëshmitarja tutje tha se në këtë situatë dy anëtar të komisionit janë futur në klasë për kontrollimin e testit. Anëtarët e këtij komisioni, sipas dëshmitares, janë zgjedhur nga shefi i divizionit sipas Udhëzimit Administrativ përkatës.

Duke u përgjigjur në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, dëshmitarja theksoi se që nga fillimi i kësaj procedure dhe prej që është shpallur dëshmitare bashkëpunuese nuk është kontaktuar asnjëherë nga ndonjë nga të akuzuarit me qëllim që të dëshmojë në favor të tyre. Po ashtu e njëjta shtoi se gjatë punës së saj kurrë nuk ka dëgjuar ndonjë ekzaminer duke thënë se do të kaloj ndonjë kandidat me favore si dhe kurrë nuk i ka parë kolegët e saj duke punuar kundërligjshëm.

Seanca e radhës pritet të mbahet me datë 26 shtator nga ora 09:00.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 31 mars 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, mes periudhës kohore nga data 17 prill deri më 5 korrik 2019, në dispozitivin e parë thuhet se  i pandehuri Naser Llugaliu në pozitën e koordinatorit të Qendrës së patentë shoferëve në Prishtinë, e pandehura Filloreta Ajvazi në pozitën e asistentes administrative të kësaj qendre, i pandehuri Fejzullah Ejupi në pozitën e zyrtarit administrativ në këtë qendër, i pandehuri Shaban Zuka në pozitën e rojës së sigurimit pranë kësaj qendre, të pandehurit: Adem Binakaj, Leurat Shehu, Agim Restelica, Flamur Lekaj, Eduard Brahimaj, Dragan Zhivkovic, Naser Bislimi, Azem Miftari, Labinot Ajeti, Magbule Mehmeti, Selim Rrustemi, Fatos Ferizi dhe Besfort Pozhegu, në pozitën e ekzaminerëve të provimit teorik apo praktik në kuadër te Ministrisë se Infrastrukturës, që të gjithë persona zyrtar në vazhdimësi duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar kanë kaluar kompetencat e tyre dhe nuk i përmbushën detyrat zyrtare të tyre, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.

Tutje sipas aktakuzës, gjatë zbatimit të masave të fshehta, është gjetur se të lartcekurit kanë bërë korrigjimin e testeve teorike nëpër zyra, pa monitorim të kamerave dhe pa komision mbikëqyrës në kundërshtim me udhëzimin e detyrueshëm administrativ të Ministrisë së Infrastrukturës dhe kanë mundësuar kalimin e kandidatëve për patentë shofer pa i plotësuar poenat e paraparë për kalueshmëri, ku kandidatëve të caktuar iu kanë plotësuar testet teorike si dhe në disa raste kanë ndërhyrë në testet e kandidatëve, me qëllim që të njëjtit të kenë pikët e nevojshme për të kaluar testet për patentë shofer të kategorive të ndryshme, e po ashtu edhe kryerjen e provimit në pjesën praktike, në këtë mënyrë vetes i kanë sjellë përfitime materiale, ndërsa kandidatëve për patentë shofer i kanë mundësuar që të kalojnë testin teorik pa e arritur kalueshmërinë e paraparë me udhëzim administrativ, në disa raste duke i lënë testet e zbrazëta. Të njëjtit, ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” neni 414 në vazhdimësi dhe bashkëkryerje nga neni 31 dhe 77 i KPRK-së.

Tutje, në diapozitivin e dytë, të pandehurit Avdush Topalli dhe Premtim Topalli, në kohën, vendin sikurse në pikën e parë të dispozitivit, i pandehuri i parë pronar i Autoshkollës “Flora” me seli në Prishtinë, ndërsa i pandehuri i dytë në pozitën e instruktorit në këtë autoshkollë, njëherë edhe djali i të pandehurit të parë, që të dy në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe marrë dhuratë të pamerituar me qëllim që të veprojnë në shkelje të detyrës gatë ushtrimit të veprimtarisë se tyre ekonomike, ashtu që iu kanë mundësuar kandidateve të cilët kanë qenë të interesuar për tu pajisur me patentë shofer të kategorive të ndryshme, e kryesisht të kategorisë “D” të pajisjen me patentë shofer, duke iu marrë të holla nga 400 deri në 1 mijë euro.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se, të njëjtit në bashkëpunim edhe me zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, Departamenti i Patentë Shoferëve në Prishtinë, të pandehurve të lartpërmendur iu kanë mundësuar kandidatëve të kryejnë testin praktik dhe teorik duke iu dhënë të holla, ku nga aplikimi i masave të fshehta, të pandehurit e lartcekur është gjetur se më 25 maj 2019 kanë biseduar me kandidatin, F.B. dhe janë marrë vesh që për pajisje me patentë shofer të kategorisë “D”, kandidati duhet të paguajë 1 mijë euro, duke përfshirë në këtë edhe testin praktik dhe teorik, si dhe nxjerrjen e certifikatës mjekësore pa qenë fare prezent kandidati për kryerjen e kontrolleve mjekësore, ku të njëjtën datë kandidati i ka paguar avans 200 euro dhe pjesën tjetër ka pasur të paguajë me rastin e marrjes se rezultatit pozitiv, ku më 5 korrik 2019 kandidati në fjalë ka hyrë në testin teorik, mirëpo për shkak të disa zhvillimeve të brendshme në Departamentin e patentë shoferëve nuk ka kaluar testin teorik. Të njëjtit, ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer verën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat” neni 309, par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Tutje, sipas dispozitivit të tretë thuhet se e pandehura Flora Ferizi, në kohën dhe vendin sikur në pikën e parë të dispozitivit, në cilësinë e asistente administrative në Qendrën e Patentë Shoferëve në Prishtinë, nuk e ka lajmëruar veprën penale të cilën e ka mësuar gjatë ushtrimit të detyrës së saj edhe pse ka qenë në dijeni për identitetin e kryerësit, pasi që nga zbatimi i masave të fshehta ishte gjetur se në prani të saj testet teorike ishin korrigjuar dhe mbushur jashtë sallave të provimeve, pa monitorim të kamerave dhe pa komision, si dhe kishte qenë prezent kur kishin ndodhur shumë veprime inkriminuese nga të pandehurit Naser Llugaliu, Agim Restelica dhe Flamur Lekaj, të përshkruara në transkriptimin e bisedave të nxjerra nga zbatimi i masave të fshehta, sikurse e njëjta kishte kontaktuar edhe të pandehurin Avdush Topalli përmes telefonit, ashtu sikurse është gjetur nga ekzaminimi i telefonit të së njëjtës. Për këto veprime, e njëjta ngarkohet se ka kryer verën penale “Moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” nga neni 378, par.1 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të katërt të aktakuzës, të pandehurit Avdush Topalli, Premtim Topalli dhe Burim Jashari, në kohën dhe vendin sikur në pikën e parë të dispozitivit të kësaj aktakuze, të pandehurit kanë lëshuar dokumentin në emër të personit tjetër pa autorizimin e tyre, respektivisht certifikatën mjekësore në të cilën figurojnë edhe nënshkrimet e mjekëve  I.B., A.K. dhe H.J., në atë mënyrë që i pandehuri i tretë në cilësi të menaxherit në Ordinancën “Truri” me seli në Prishtinë, në bashkëpunim edhe me të pandehurin e parë Avdush Topalli dhe të pandehurin e dytë Premtim Topalli instruktor iu ka mundësuar kandidatëve që të pajisen me certifikata mjekësore pa qenë prezent fare. Me këtë rast, të njëjtit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale rastet e “Posaçme të falsifikimit te dokumenteve” nga neni 391, par.1, pika 1.3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të pestë të kësaj aktakuze, thuhet se të pandehurit Naim Thaqi dhe Sylë Beja më 15 maj 2019, si persona zyrtarë duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i kanë tejkaluar kompetencat e tyre në atë mënyrë që në cilësinë e personave zyrtarë, të dytë zyrtarë policorë në mënyrë të kundërligjshme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, ashtu që pandehuri Naim Thaqi, derisa ka qenë në takim në zyrë me të pandehurin Naser Llugaliu, i cili mbante pozitën e koordinatorit të Qendrës për Patentë Shofer në Prishtine, fillimisht e njofton atë në lidhje me një rast i cili ishte duke u hetuar nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, i cili rast ishte dhe atë duke e njoftuar në hollësi në lidhje me atë se çka kishte deklaruar në polici personi i dyshimtë si dhe duke e udhëzuar të pandehurin Llugaliu si të veprojë nëse i kërkohet ndonjë dokument në lidhje me këtë rast.

Ndërsa, sipas dispozitivit të gjashtë i pandehuri Ekrem Latifi po akuzohet se në cilësinë e ekzaminerit pranë Ministrisë së Infrastrukturës – Departamenti i Patentë Shoferëve i ka dhënë dhuratë apo përfitim të paarsyeshëm në mënyrë të tërthortë personit zyrtar, të akuzuarit Naser Llugaliu në mënyrë që ai person të veprojë ose jo, në pajtim me detyrën e tij zyrtare, ashtu që ditën kritike të njëjtit përmes Defrim Bajraj i kishte dhënë 250 euro të vendosura në zarf me një emër të kandidatit të shkruar në letër të verdhë që ka pasur të hyjë në provim për patentë shofer atë ditë. Andaj, me këtë i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale të “Dhënies së ryshfetit” nga neni 422, par.1 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të shtatë, i pandehuri Bashkim Jetullahu akuzohet se gjatë kohës sikurse në pikën e parë të dispozitivit të kësaj aktakuze, në cilësinë e Autoshkollës “8 Marsi” në Prishtinë, si person i punësuar në këtë subjekt privat, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe marrë dhuratë të pamerituar, ose ka keqpërdorur pozitën e tij duke marrë shpërblim për veten e tij, me qëllim që të veprojë ose të mosveprojë në shkelje të detyrës, ashtu që nga kandidati për patentë shofer E.R. ka pranuar 100 euro për ta ndihmuar që ta kalojë testin praktik për patentë shofer, duke e udhëzuar të njëjtin që nëse nuk e jep atë shumë të të hollave do ta rrëzojë në testimin e vozitjes. I njëjti me këtë akuzohet që ka kryer veprën penale të “Pranimit të ryshfetit në sektorin privat” nga neni 309, par.1 të KPRK-së.

Tutje, sipas dispozitivit të tetë, i pandehuri Dritmir Islami akuzohet sikurse në pikën e parë të aktakuzës se në cilësinë e instruktorit të Autoshkollës “Abis” në Prishtinë, drejtpërdrejt ka kërkuar dhe marrë dhuratë të pamerituar ose ka keqpërdorur pozitën e tij duke marrë shpërblim për veten e tij, me qëllim që të veprojë ose të mosveprojë në shkelje të detyrës, ashtu që nga kandidatja për patentë shofer M.M. dhe bashkëshorti i saj I.M. ka pranuar 600 euro për ta ndihmuar që ta kalojë testin për patentë shofer, që sipas udhëzimeve të tij, kjo kandidate ditën kur kishte hyrë në test teorik për patentë shofer ishte ulur e katërta me radhë dhe ekzamineri që kishte mbajtur atë test e kishte ftuar që të ulët në bankën afër tij, duke a vendosur para një test shabllon me përgjigje të gatshme prej të cilit e njëjta i kishte kopjuar, e me ç ‘rast kishte arritur që ta kalojë testin teorik. Andaj, i njëjti akuzohet sa ka kryer veprën penale “Të pranimit të ryshfetit në sektorin privat” nga neni 309, par.1 të KPRK-së.

Në dispozitivin e nëntë të aktakuzës, i pandehuri Murtez Rama akuzohet sikurse në pikën e parë të dispozitivit të kësaj aktakuze në cilësinë e instruktorit në Autoshkollën “Rinasi” me seli në Drenas, me dashje ka ndihmuar personat tjerë në kryerjen e veprave penale, respektivisht Avdush dhe Premtim Topalli, ashtu që me veprimet e të njëjtëve iu ka dhënë pajisje për të kryer veprën penale, si dhe atë kandidatëve që kanë pasur të hyjnë në teste teorike për patentë shofer iu ka vendosur mjete të fshehta fotografuese (stilolaps me kamerë), përmes të cilit ka arritur që të nxjerrë teste dhe të njëjtat ua ka dërguar të akuzuarve Avdush dhe Premtim Topallit, të cilat janë gjetur me rastin e ekzaminimit të telefonit të tyre. Andaj, me këtë i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënie ndihme në kryerjen e veprës penale” si dhe “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”, nga neni 309, par.1, lidhur me nenin 30 të KPRK-së.

Kurse, sipas dispozitivit të dhjetë,  i pandehuri Hasan Hasani po akuzohet se sikurse në pikën e parë të dispozitivit të kësaj aktakuze në cilësinë e kandidatit për aftësim profesional për patentë shofer, i regjistruar në Autoshkollën “Fati” në Prishtinë, i ka ofruar në mënyrë të tërthortë shpërblim ose përfitim të panevojshëm instruktorit të kësaj autoshkolle Milazim Demolli dhe atë shumën prej 450 euro, në ditën kur kishte hyrë në test për patentë shofer, e që janë marrë vesh që i akuzuari Hasani t’i plotësojë vetëm disa pyetje, kurse pjesën tjetër të testit ta lërë të zbrazët, në atë mënyrë që ai person të veprojë ose jo duke shkelur detyrën e tij. Andaj, me këtë rast i njëjti po akuzohet se ka kryer veprën penale të “Dhënies së ryshfetit në sektorin privat” nga neni 310, par.1, të KPRK-së.

Ndërsa, në dispozitivin e njëmbëdhjetë të aktakuzës thuhet se i pandehuri Milazim Demolli gjatë kohës sikurse në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, në cilësinë e punonjësit të Autoshkollës “Fati” në Prishtinë, si person i punësuar në këtë subjekt të sektorit privat në mënyrë të tërthortë ka kërkuar dhe marrë dhuratë të pamerituar ose ka keqpërdor pozitën e tij duke marrë shpërblim për veten e tij me qëllim që të veprojë ose të mosveprojë në shkelje të detyrës ose të funksionit të tij gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, financiare ose tregtare.

Tutje, sipas dispozitivit të dymbëdhjetë  të kësaj aktakuzë, e pandehura Lindita Hoxha nga data 27 qershor 2019 e deri më 5 korrik 2019, në cilësinë e instruktores për aftësim profesional për patentë shofer në Autoshkollën “Atlantida”, në vazhdimësi i ka ofruar dhe dhënë dhuratë apo përfitim të paarsyeshëm në mënyrë të drejtpërdrejtë për vete apo tjetrin personit zyrtar Naser Llugaliu, koordinator i Qendrës për Patentë Shofer në Prishtinë, në mënyrë që i njëjti të veprojë ose të mosveprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, ashtu që, gjatë zbatimit të masave të fshehta është gjetur se më 27 qershor 2019, të njëjtit në zyrën e tij në Prishtinë i kishte dhënë shumën e të hollave prej 300 euro me një emër të kandidatit të shkruar në letër stick të verdhë që ka pasur për të kaluar.

Kurse, sipas dispozitivit të trembëdhjetë, i pandehuri Enver Fazliu gjatë kohës sikurse në pikën e pare të dispozitivit të aktakuzës, në cilësinë e instruktorit të Autoshkollës “AAB” në Prishtinë si person i punësuar në këtë subjekt të sektorit privat, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe marrë dhuratë të pamerituar ose ka keqpërdor pozitën e tij, duke marrë shpërblim për veten e tij me qëllim që të veprojë ose të mosveprojë në shkelje të detyrës ose të funksionit të tij gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, financiare ose tregtare.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Aulona Alaj

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter