|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Fillon rishtazi gjykimi në rastin e njohur si ‘400 KG kokainë’

Ka filluar rishtazi, gjykimi ndaj të akuzuarve Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi të cilët po akuzohen nga Prokuroria Speciale, për rastin e njohur si ‘400 Kg kokainë’.

Deri tek kjo erdhi për shkak të ndryshimit që pësoi trupi gjykues në këtë rast dhe atë ndërrimit të Kryetarit të trupit gjykues dhe njërit nga antarët ashtu që, Kryetar i trupit gjykues tani e tutje do të jetë gjyqtari Ngadhnjim Arrni, ndërsa në vend të anëtarës së trupit gjykues gjyqtarës Valbona Musliu – Selimaj, si anëtarë në këtë proces gjyqësor do të jetë, gjyqtari Rrahman Beqiri.

Si pasoj e këtyre ndryshimeve, ky shqyrtim gjyqësor filloi rishtazi, ku të pandehurit u deklaruan sërish të pafajshëm, ndërsa i pandehuri i parë, Izet Sheqiri e pranoi fajësinë për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i armëve’. Kujtomë që, lidhur me këtë vepër i pandehuri Sheqiri, në shqyrtimet paraprake kishte pranuar fajësinë, për të cilën Gjykata tanimë ka vendosur.

Tutje, përgjatë këtij shqyrtimi gjyqësor u dha fjala hyrëse, fillimisht nga Prokurori Special Valdet Gashi, i cili mbeti pranë deklarimeve të dhëna në shqyrtimet e kaluara. Në anën tjetër mbrojtësi i të pandehurit Izet Sheqiri, av. Besnik Berisha, në fjalën e tij hyrëse listoi provat dhe argumentet me anë të së cilave sipas tij, do të vërtetohet pafajsia e të mbrojturit të tij. Përveq kësaj, avokati Berisha nga Gjykata kërkoi sërish që të pandehurve Izet Sheqiri dhe Faton Vrajolli të ju zëvendësohet masa e paraburgimit, me ndonjë masë tjetër më të lehtë, duke garantuar prezencën e tyre, në shqyrtimet e radhës.

Së fundmi, mbrojtësit e tjerë, qëndruan prapa deklarimeve të tyre të dhëna në shqyrtimet e mëparshme, rrjedhimishtë, theksuan se përgjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se të pandehurit janë të pafajshëm, duke theksuar se mbështesin edhe fjalën hyrëse të dhënë nga mbrojtësi i të pandehurit Izet Sheqiri, av. Besnik Berisha.

Po ashtu, mbrojtësja e të pandehurit Faton Vrajolli, av. Nora Grajcevci kërkoi nga trupi gjykues që të mbrojturit të saj ti zëvendësohet masa e paraburgimit me ndonjë masë më të butë.

Lidhur me këtë kërkesë, Prokurori Special, e kundërshtoi, duke shtuar se ende ekzistojnë kushtet që kjo masë të mbetet në fuqi, ashtu sic edhe është vlersuar me vendimin e fundit për vazhdimin e paraburgimit, ndërsa trupi gjykues vendosi që të refuzojë kërkesën e mbrojtësve, duke theskuar se mbetet në fuqi aktvendimi me të cilin të pandehurve ju është vazhduar paraburgimi.

Pasi që, në shqyrtimin e sotëm nuk ishte paraparë që të dëgjohej ndonjë dëshmitarë, kjo seancë u ndërpre.

Kujtojmë që, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur me datë14 nëntor 2022, të akuzuarit Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi, po akuzohen se duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar dhe në bashkim të strukturuar kriminal, duke bashkëpunuar me persona deri më tani të panjohur nga shteti i Brazilit dhe pas marrëveshjes paraprake me të njëjtit, fillimisht kanë lidhur marrëveshje për importin e produkteve të mishit të pulës të ngrirë, ku në brendi të së cilës është vendosur edhe substanca narkotike e llojit kokainë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kompania “MC FOOD” Sh.p.k, për qëllime të importit të mallit, është kategorizuar në linjën e verdhë, ku në stacionet doganore bëhet vetëm verifikimi i dokumenteve dhe jo kontrollimi i mallit, dhe duke shfrytëzuar këtë mundësi, është arritur që substanca narkotike prej 400 kg e llojit kokainë, të transportohet nga shteti i Brazilit, nëpërmjet shtetit të Spanjës, Italisë dhe Republikës së Shqipërisë, ashtu që me datën 15.05.2021, substanca narkotike është futur në Republikën e Kosovës.

Të akuzuarit e lartëpërmendur sipas Prokurorisë Speciale, me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: ‘Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’ nga neni 277 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kujtojmë se të akuzuar në këtë rast kanë qenë edhe Naim Morina dhe Hyzri Sheqiri, të cilët akuzoheshin për pengim të procedurës penale, mirëpo pasi që të njëjtin kanë pranuar fajësinë, ndaj të njëjtëve është shpallur aktgjykim fajësues.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter