Sot, me datë 23 Shtator 2024, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda, është shpallur aktgjykim lirues në rastin e ish-zyrtarëve të Komunës së Drenasit.
Në aktgjykimin e shpallur nga Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Sulltane Hoti, u theksua se nuk është provuar se të akuzuarit Xhafer Ramaj dhe Shefqet Morina, kanë kryer veprat për të cilat akuzoheshin nga Prokuroria dhe rrjedhimisht, Gjykata dy të akuzuarit konform nenit 363 par 1.3 të Kodit të Procedurës Penale i liroi nga akuzat.
Ndryshe sipas aktit akuzues të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Xhafer Ramaj dhe Shefqet Morina, duke qenë si zyrtarë të Drejtorisë së Gjeodezisë dhe Kadastrit të Komunës së Drenasit, akuzohen se duke qenë si persona zyrtarë kanë tejkaluar kompetencat e tyre, ashtu që kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.
Në aktakuzë thuhet se prej vitit 2010-2018 ata kanë bërë ndërrimin e destinimit të tokave bujqësore nga kultura arë ose livadh në tokë ndërtimore, kështu duke mosrespektuar Ligjin për Tokat Bujqësore nr.02/L-26 si dhe Udhëzimin Administrativ për ndërrimin e destinimit të tokave bujqësore nr.41/2006.
Ndërsa, Gjykata e Apelit, me aktvendim e kishte kthyer këtë rast në rigjykim.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Arton Hoxha










