Projekt i realizuar nga:

Ish kryetari i Komunës së Leposaviqit jep mbrojtjen në gjykimin për Korrupsion dhe Krim të Organizuar

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi në rastin ku ish kryetari i komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, dhe të tjerët akuzohen për korrupsion dhe krim të organizuar.

Në seancën e datës 20 shtator, para trupit gjykues nga Departamenti Special me kryetare Violeta Namani dhe anëtar Vesel Ismaili dhe Arben Hoti, mbrojtjen e dha i akuzuari Jabllanoviq me ç ‘rast u përgjigj pyetjeve të parashtruara nga avokati i tij Ramë Gashi dhe Prokurorja Speciale Merita Bina – Rugova.

Sipas Jabllanoviq, si kryetar i komunës nuk ka pasur kurrfarë ndikimi në zyrën e prokurimit dhe në komisionet vlerësuese që kanë punuar lidhur me tenderët që janë objekt i akuzës. Ai shtoi se secili drejtor ka qenë i obliguar të kryej punën e vet dhe se e ka pasur edhe drejtorin e administratës i cili i ka udhëhequr të gjitha punët e drejtorive.

Ndërkaq sa i përket të bashkakuzuarve të tjerë, Jabllanoviq gjatë mbrojtjes së tij tha se përveç të akuzuarin Mirosllav Ivanoviq të tjerët nuk i njeh pasi që asnjë nga ta nuk ka punuar në komunën e Leposaviqit sipas sistemit serb.

Ai po ashtu theksoi se renovimi i objektit të komunës është bërë në vitet 2019 – 2020 kur ai ka qenë në pension. Për këtë pjesë ai tha se punonjësit i kanë kryer punët e tyre ndërsa ministritë përkatëse nuk e kanë kryer pagesën edhe pse i janë dorëzuar dokumentet për një gjë të tillë.

Pra, ai ka theksuar se gjatë mandatit të tij punimet kanë përfunduar por kanë qenë të pa paguara ndërsa shtoi se me operatorët ekonomik nuk ka pasur asnjë lloj kontakti.

Po ashtu duke iu përgjigjur pyetjes së Prokurores se perse në asnjë dokument apo vendim nuk ka figuruar logo e as vula e komunës, Jabllanoviq u përgjigj se kjo ka qenë në bazë të marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe listës serbe e vendosur në Statutin e Komunës.

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet me datë 1 tetor 2024.

në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.

Sipas aktakuzës, të njëjtit kanë vepruar në formën, duke ndarë fonde nga buxheti i Komunës për kompanitë përfituese në tendere për kryerjen e projekteve të ndryshme, e të cilat nuk janë kryer sipas duhet, meqë rast kompanitë përkatëse kanë përfituar dobi pasurore, duke dëmtuar buxhetin publik. Njëkohësisht zyrtarët komunal, në cilësinë e anëtarëve të komisionit kanë bërë pranimin teknik të punimeve të cilat nuk kanë qenë të përfunduara fare, apo se nuk janë përfunduar sipas planit dinamik.

I pandehuri Dragan Jabllanoviq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal” të organizuar nga neni 283, par. 2 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.

Të pandehurit Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Cedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.

Ndërsa, të pandehurit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Aulona Alaj

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter