Në Departamentin e Krimeve të Rënda, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vazhduar gjykimi në rastin e ish-drejtorit Komunal të Komunës së Drenasit, Sadik Tahiraj, i cili nga Prokuroria akuzohet për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë’.
Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtari Gent Beka dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtarja Medije Bytyqi dhe gjyqtari Adnan Kamberi. Ndërsa, Prokuroria Themelore përfaqësohet nga Prokurorja e Shtetit Dulina Hamiti.
Kryetari i trupit gjykues, theksoi se pala e dëmtuar e ka njoftuar Gjykatën përmes shkresës, se në mungesë të zyrtarëve si dhe numrit të kufizuar të stafit nuk mund të jenë prezent në shqyrtimin e sotëm.
Në seancën e sotme gjykimi filloi me dëgjimin e dëshmitarit B.P. i cili ndër tjera theksoi se sa i përket këtij rasti ka dhënë një deklaratë në Prokurori dhe qëndron pranë të njejtës dhe nuk ka për të shtuar më shumë, tutje theksoi se qëndron edhe pranë deklaratës së dhënë në shqyrtimin gjyqësor të kaluar para se rasti të kthehej në rigjykim.
Tutje, në vazhdim të dëshmisë së tij, ballafaquar me një dokument – kontratë, dëshmitari shtoi se i kujtohet ky dokument dhe të njejtin e kanë poseduar në Komunë, bazuar në këtë kontratë mund të konkludohet se janë kryer punët në Shkollën e Drenasit.
Në fund, dëshmitari theksoi se lidhur me këtë cështje nuk ka njohuri pasi ka pasur një aksident dhe rrjedhimisht ka kaluar kohë e gjatë që nga ndodhja e rastit.
Tutje, shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarës së dytë e cila lidhur me këtë rast theksoi se qëndron në tërësi pranë deklaratës së dhënë para se rasti të kthehej në rigjykim, kurse të pandehurin shtoi se e njeh pasi ishte Drejtor i Arsimit në Komunën e Drenasit. Sa i përket kontratave të cilat edhe përmenden në aktin akuzues, dëshmitarja shtoi se në vitin 2015 janë zhvilluar procedurat e prokurimit lidhur me këto kontrata, ndërsa kompania ‘Al Trade’ pas lidhjes së memorandumit e ka sjellur të gjithë materialin.
Kurse, sa i përket aneksë-kontratës së ndërtimit të depos dëshmitarja theksoi se nuk ka pasur mjete buxhetore të planifikuara që të pëfundonte edhe puna e vrazhdë. Ndërsa, lidhur me këtë cështje dëshmitarja kishte qenë në pozitën e organit të mbikqyrjes së finalizimit të kontratës. Tutje, dëshmitarja shtoi se depo është ndërtuar dhe e njejta është funksionale, kurse shtoi se sa i përket këtij rasti në njohuri të saj Komuna e Drenasit nuk është dëmtuar dhe përfitimi ka qenë vetëm në të mirë të shkollës.
Tutje, Prokurorja e Shtetit kërkoi nga trupi gjykues që shqyrtimi i sotëm të ndërpritet pasi që e njejta ka një seancë tjetër të caktuar në pjesën e pasditës, në rrjedhë të kësaj u konstatua se shqyrtimi i sotëm nuk mund të vazhdoi dhe se dëshmitarët e mbetur do të ftohen në seancat e radhës.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 gusht 2018, Sadik Tahiraj në cilësinë e personit zyrtar, derisa ishte në pozitën e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tij.
Në aktakuzë thuhet se këtë e ka bërë me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për organizatën e biznesit “A&I Group” SH.P.K dhe “Al Trade” SH.P.K.
Sipas aktakuzës, që nga fillimi deri në përfundim të projekteve kapitale, ndërtimi i depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas dhe renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc, janë kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit.
Sipas aktit akuzues, për projektin për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas, që “ Al Trade” SH.P.K. e ka furnizuar gjatë vitit 2015 me material ndërtimor është kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit, në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit lidhur mes të pandehurit dhe firmës së lartcekur.
Aktakuza thotë se renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc , ku “A&I Group SH.P.K i ka kryer punimet gjatë vitit 2016, është bërë pa u respektuar asnjë procedurë e prokurimit në marrëveshje gojore me të pandehurin.
Me veprimet e tij, sipas Prokurorisë, i pandehuri Tahiraj ka kryer veprën penale: ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë’.
Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Arton Hoxha










