Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, sot ishte planifikuar të vazhdoj shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Avni Morina i cili po akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.
Shkak për dështimin e kësaj seance u bë mosprezenca e dëshmitarit R.K, ku për të njëjtin gjykata kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, ku nga njoftimi i Stacionit Policor të Rahovecit të datës 30.09.2024 thuhet se është vepruar sipas urdhëresës por nga informatat siguruara nga familjarët e të njëjtit rezuton se ndodhet jashtë vendit.
Mbrojtësi i të akuzuarit Avni Morina, av. Dardan Morina tha se mbetet pranë propozimit që ky dëshmitar të dëgjohet edhe njëherë në këtë gjykatë.
Prokurorja e shtetit Ardita Beqiraj-Hyseni ka kërkuar nga ana e gjykatës që të bëhen përpjekje maksimale për sigurimin e prezencës dëshmitarit që kjo çështje të mos zvarritet apo edhe gjykata të shiqoj mundësinë e revokimit të aktvendimit për dëgjimin e tij.
Kështu që në këto rrethana seanca e sotme është shtyer për një datë tjetër.
Kujtojmë që sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë të ngritur me datë 28.03.2023, me të cilën akuzohet Avni Morina, i cili në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Rahovecit përdor autorizimin e tij në mënyrë të kundërligjshme nga janari deri në qershor të vitit 2021, duke i shkelur seriozisht të drejtat dhe duke i shkaktuar dëm të dëmtuarës Xh.H dhe buxhetit të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që, i njëjti në zyren e tij i mundëson profesorit R.K dhe të dëmtuarës Xh.H të nënshkruajnë një marrëveshje-deklaratë të përbashkët ku të njëjtën e e vërteton me vulën zyrtare, ku R.K përfiton që të marr pagën e plotë mujore pa dal fare në punë, ndërsa gjatë kësaj periudhe e dëmtuara sipas marrëveshjes së lartcekur e zëvendëson profesorin R.K pa përfillur procedurat ligjore për rekrutim, dhe pa ndonjë kontratë pune mban 26 orë mësimore, ku në muajin janar dhe shkurt nuk paguhet fare, ndërsa nga muaji mars e deri në muajin qershor, e dëmtuara paguhet në mënyrë private nga veq profesori R.K në shumë prej 250€,
Me çka ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga nenin 414 par.1 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi