|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Vazhdon gjykimi në rastin e ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit dhe të tjerëve

Në Departamentin Special, të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ka vazhduar gjykimi në rastin e ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanovic dhe të tjerëve, të cilët nga Prokuroria Speciale akuzohen për veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë’ dhe ‘Krim i organizuar’.

Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtarja Violeta Namani dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtari Arben Hoti dhe gjyqtari Vesel Ismaili. Ndërsa, Prokuroria Speciale përfaqësohet nga Prokurorja Merita Bina – Rugova.

Në shqyrtimin e sotëm ishte paraparë që të vazhdohej me paraqitjen e mbrojtjes së të akuzuarve. Fillimisht, të pandehurit Alekasandar Ackovic, Aleksandar Kostic, Cedomir Timotijevic, Bojan Banovic, Ivan Kadic, Boban Millovanovic theksuan se pasi janë konsultuar mjaftueshëm me mbrojtësit e tyre, do të shfrytëzojnë të drejtën ligjore të mbrojtjes në heshtje.


Tutje, seanca vazhdoi me deklarimin e të pandehurit Miroslav Ivanovic, i cili në mbrojtjen e tij ndër tjera theksoi se, ishte caktuar nga Komuna si menaxher i projektit për ndërtimin e bazenit, tutje shtoi se kishte pasur bllokada në terenin se ku janë kryer punimet, duke theksuar se puna kishte filluar dhe inzhinieri e kishte bërë mbikqyrjen e punës, tutje shtoi se punët kishin shkuar shumë ngadalë për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe ujit.

Sa i përket ndërtimit theksoi se ka vazhduar shkallë-shkallë, shtoi se organi mbikqyrës ka qenë tërë kohën i pranishëm, si dhe kishin ardhur mbikqyrës nga Ministria, i njejti shtoi se i ka fotografitë se si kanë rrjedhur punët, këto punime ishin kryer sipas projektit dhe ishin bërë në mënyrë kualitative.

Në vazhdim të mbrojtjes së tij, i pandehuri theksoi se nuk i kujtohet që Komuna e Leposavicit të jetë dëmtuar me projektin në fjalë, pra sa i përket punimeve në bazen. Tutje, shtoi se në mënyrë konstante nga ana e institucioneve Serbe ka pasur kërcënime ndaj organeve të cilat kanë kryer punët në teren. Gjithashtu, shtoi se ka pasur raste kur janë kryer punët, por nga pala tjetër përkatësishtë institucionet Serbe janë dëmtuar punimet, duke vendosur bllokada në pjesët ku ishin duke u kryer punimet.

Pas fillimit të pytjeve të Prokurorës Speciale, i pandehuri në konsultim me mbrojtësin e tij theksoi se mbetet në tërësi pranë deklarimeve të dhëna në fazat e më hershme dhe i njejti do të shfrytëzojë të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje.

Rrjedhimisht, u konstatua se faza e dhënjes së mbrojtjes është e përfunduar për të gjithë të pandehurit, ndërsa lidhur me administrimin e provave të reja, Prokurorja Speciale, propozoi që të konsiderohet e lexuar deklarata e të pandehurës e cila tani është e ndjerë Jellica Barac. Propozim ky i cili u kundërshtua nga ana e mbrojtjes me arsyetimin se nuk mund të konsiderohet si provë, duke shtuar se nuk mund të lexohet deklarata e një të dyshuari apo akuzuari i cili nuk është prezent dhe i njejti nuk mund të ballafaqohet me pytje, kjo nuk mund të trajtohet në këtë fazë të procedurës.

Ndërsa lidhur me administrimin e provave të reja, mbrojtësit theksuan duke propozuar që të dilet në vendin e ngjarjes dhe të vërtetohet gjendja faktike pasi të mbrojturit e tyre akuzohen për punë të pakryera. Po ashtu, mbrojtja kërkoi që të bëhet plotësimi i ekspertizës financiare dhe të kryhet një ekspertizë e re në fushën e prokurimt, me arsyen se ekspertiza që është administruar në shqyrtimet e më hershme nuk ka sqaruar detajet e nevojshme.

Trupi gjykues, theksoi se pasi që ka shumë propozime dhe për të njejtat nevojitet kohë seanca e sotme duhet të ndërpritet, ndërsa lidhur me të gjitha propozimet e lartëcekura do të vendoset përgjatë kësaj periudhe dhe në seancën e radhës do të merret aktvendim lidhur me të gjitha propozimet e palëve.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me datë: 10 Tetor 2024, nga ora 09:30.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.

Sipas aktakuzës, të njëjtit kanë vepruar në formën, duke ndarë fonde nga buxheti i Komunës për kompanitë përfituese në tendere për kryerjen e projekteve të ndryshme, e të cilat nuk janë kryer sic duhet, meqë rast kompanitë përkatëse kanë përfituar dobi pasurore, duke dëmtuar buxhetin publik. Njëkohësisht zyrtarët komunal, në cilësinë e anëtarëve të komisionit kanë bërë pranimin teknik të punimeve të cilat nuk kanë qenë të përfunduara fare, apo se nuk janë përfunduar sipas planit dinamik.

I pandehuri Dragan Jabllanoviq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal” të organizuar nga neni 283, par. 2 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.

Të pandehurit Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Cedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.

Ndërsa, të pandehurit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter