Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj pesë të akuzuarve, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj. për veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Marrje ryshfeti’, ‘Dhënie ryshfeti’ dhe ‘Mashtrim me subvencione’.
Në fillim të seancës, mbrojtësi i të akuzuarit Rasim Zekaj, avokati Emrush Kastrati deklaroi se ka vërejtje në përbërjen e trupit gjykues, duke marrë parasysh se gjyqtari Lutfi Shala në këtë çështje penale për të njëjtit të akuzuar ka qenë gjyqtar i procedurës paraprake përgjatë hetimeve, andaj në këtë kontekst përbërja e trupit gjykues është në kundërshtim me ligjin, andaj me qëllim që të evitohen shkeljet procedurale, kërkoi nga gjykata që të ndryshohet përbërja e trupit gjykues, përkatësisht në vend të gjyqtarit Shala të caktohet një gjyqtar tjetër.
Njëkohësisht në seancën e sotme mungoi i akuzuari Berat Nika, për të cilin avokati i tij Besim Curri deklaroi se nuk ka arritur të kontaktoj me palën lidhur me pjesëmarrjen në seancën e sotme.
Ndërsa, gjyqtari i rastit Ngadhnjim Arrni deklaroi se meqenëse i pandehuri Nika mungon, si dhe çështjen që ka ngritur avokati Kastrati, nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e seancës së sotme, ndërsa për seancën e radhës palët do të ftohen me ftesa të rregullta, ndërsa për të pandehurin Berat Nika, do të shqyrtohen mundësitë ligjore për sigurimin e prezencës së të pandehurit.
Kujtojmë se ky rast është gjykuar nga gjyqtarja Violeta Namani, mirëpo pas kërkesës së mbrojtësit të të akuzuarit Luan Statovci, avokatit Naim Rudari në seancën e 6 qershorit 2024 për përjashtim të trupit gjykues si shkak se prokurori special Rafet Halimi është ftuar nëzyrën e kryetares së trupit gjykues për konsultim lidhur me çështje të rastit dhe se kjo paraqet shkelje të të drejtave të të pandehurit dhe vë në pikëpyetje paanësinë e kryetares së trupit gjykues, meqë rast Kryetarja e Gjykatës Themelore ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes, duke kaluar lëndën tek gjyqtari tjetër Ngadhnjim Arrni.
Sipas aktakuzës si të akuzuar janë Luan Statovci, Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Sedat Shkodra, Berat Nika, Gëzim Morina, Rasim Zekaj, Afrim Mehmetaj, Donard Draga, Dukagjin Deda, Ramdan Zeqiraj, Hazir Metaj, Sadri Berisha, Hysni Morina, dhe Pashk Krasniqi, ngarkohen për Keqpërdorim të detyrës zyrtare, Marrje ryshfeti, Dhënie ryshfeti, Mashtrim me subvencione dhe Ushtrim ndikimi.
Më 15 mars 2023, pas pranimit të fajësisë, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj gjashtë të akuzuarve Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Dukagjin Deda, Sadri Berisha, Pashk Krasniqi dhe Ramadan Zeqiraj, të akuzuar për veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Ushtrim ndikimi”, “Dhënie ryshfeti” dhe “Mashtrim me subvencione”, në rastin “Subvencionet II”, duke i dënuar (së bashku) me 4 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë.
Kurse në seancën e 13 marsit 2023, të akuzuarit Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga dhe Hazir Metaj, kishin pranuar fajësinë për veprën penale “Dhënie ryshfeti”, por jo edhe për veprën penale “Mashtrim me subvencione”. Pranimin e fajësisë për këtë vepër Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga e kishin bërë në seancën e datës 23 qershor 2023, pasi që aktakuza ishte konsideruar e lexuar.
Ndërkaq, të akuzuarit Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hysni Morina, nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale që u vihen në barrë.
Ndërsa, në seancën e datës 23 qershor 2023, Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga dhe Hysni Morina të akuzuar për veprat penale “Dhënia ryshfeti” dhe “Mashtrim me Subvencione”, janë dënuar me 27 muaj burgim dhe 19 mijë euro gjobë.
Andaj Gjykimi në këtë rast do të vazhdojë për të akuzuarit Luan Statovci, Sedat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Leotrim Pajaziti