Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është ndërprerë seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj të akuzuarit Salih Kelmendi, i cili akuzohet për veprën penale ‘Marrje ryshfeti’, në rastin e njohur si ‘Subvencionet 1’.
Në seancën e sotme ishte paraparë dëgjimi i dëshmitarit B.Sh, por që si shkak i kërkesës së mbrojtjes së të akuzuarit Kelmendi, avokatit Besnik Berisha, seanca e sotme është ndërprerë.
Mbrojtja kërkoi kopjen e urdhrit të gjykatës për shpalljen e B.Sh si dëshmitar bashkëpunues, të cilin nuk e kishte të disponueshme në atë moment prokurori i rastit Rafet Halimaj.
Paraprakisht, mbrojtja paraqiti kërkesën për dorëzimin e procesverbalit të procedurës paraprake, për të cilën prokurori deklaroi se Prokuroria i ka përmbushur të gjitha obligimet ndaj mbrojtjes, ndërsa sa i përket kërkesës për tu pajisur me procesverbalin të cilat i ka mbajtur gjyqtari i procedurës paraprake bazuar në nenin 231, paragrafi 10 të KPPRK-së në mënyrë shumë të qartë parashihet se është e ndaluar për tu pajisur ndonjë palë tjetër, dhe se marrëveshja e bashkëpunimit nuk i zbulohet palës kundërshtare, pasi nëse do i zbulohej mbrojtjes procesverbali është edhe deklarimi i prokurorisë dhe paraqitja e provave materiale dhe arsyetimi i prokurorisë se pse i njëjti duhet shpallet dëshmitar bashkëpunues, duke kërkuar nga trupi gjykues ta rishqyrtojë procesverbalin e procedurës paraprake dhe ta refuzojë propozimin e mbrojtjes.
Në rrjedhë të kësaj, trupi gjykues pas dëgjimit të mbrojtësit Berisha dhe prokurorit Halimaj dhe pas konsultimit mori aktvendim refuzues ndaj propozimit të mbrojtësit, duke deklaruar se me dorëzimin e shkresave të kërkuara si në seancën e kaluar është përmbushur obligimi dhe parimi i barabarësisë së palëve në procedurë.
Njëkohësisht me kërkesë të mbrojtjes seanca e paraparë të vazhdonte edhe nesër, u anulua, ndërsa seanca e radhës do të mbahet me datë 7 tetor 2024, nga ora 09:30.
Procedura ndaj të akuzuarit Kelmendi ishte veçuar në seancën e 21 shkurtit 2023, ku trupi gjykues kishte veçuar procedurën për të akuzuarit Nivokazi dhe Kelmendi, ndërsa në seancën e 14 prillit 2023, ishte bashkuar procedura penale ndaj të akuzuarit Nivokazi me të akuzuarit e tjerë.
Sipas aktakuzës së ndryshuar të 4 prillit 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pika e parë i ngarkon Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Alban Bushati dhe Salih Kelmendi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “marrje ryshfeti” nga neni 421, par 3, lidhur me par 2 lidhur neni 31 të KPRK.
Në aktakuzë thuhet se nga 1 korriku 2020 e deri më 24 shkurt 2021, në Prishtinë dhe në Pejë, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtar dhe atë, Luan Statovci- Drejtor për Pagesa Direkte, Sadat Shkodra -Zyrtar për Pagesë Direkte, Berat Nika – Zyrtar për Pagesa Direkte nga AZHB, Alban Bushati- Zyrtar Administrativ në Drejtorinë për Bujqësi në Komunën e Pejës dhe Salih Kelmendi–Inspektor i Tregut në Komunën e Pejës, kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim që të veprojnë në kundërshtim me detyrat e tyre zyrtare, dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë kanë kërkuar ryshfet nga Bekim Shala në vlerë prej 126,000.00€, dhe kanë arritur të pranojnë vlerën prej 92,500.00 €.
Në bazë të aktakuzës, fillimisht Shala më 23 korrik 2020 ka aplikuar në Komunën e Pejës për të përfituar subvencion, pas një kohe ai takohet me të akuzuarit Bushati dhe Kelmendi e pastaj në Istog takohet me të akuzuarit Nika dhe Shkodra ku kanë vizituar pronat e të njëjtit dhe më pas të njëjtit kanë arritur marrëveshje që të ndryshojnë aplikimin nga kultura grurë dhe misër në bimë mjekësore aromatike, dhe më 26 gusht 2020, Shala aplikon për subvencione edhe në emër të gruas së tij Arinda Seferi për të njëjtën kulturë edhe pse ajo nuk ka pasur të mbjellë këtë kulturë dhe arrin marrëveshje që nga parat e marra në emër të subvencioneve shtesë 70% do t’i marrin të pandehurit në emër të ryshfetit dhe 30% Shala.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti










