Në Gjykatën Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, sot është mbajtur shqyrtimit gjyqësor ku i akuzuar është Lulzim Blakaj për veprën penale Falsifikim i dokumentit zyrtar.
Fillimisht kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Shaqë Curri bëri të ditur se anëtarja e trupit gjykues Violeta Husaj-Rugova është avancuar në Gjykatën e Apelit, e që tani anëtar është gjyqtari Musë Povataj, kështu që në këto rrethana shqyrtimi gjyqësor ka filluar rishtazi.
Prokurorja e çështjes Valbona Disha-Haxhosaj tha se, mbetet në tërsi pranë fjalës hyrëse të cilën e ka dhënë gjatë shqyrtimit të mëparshëm gjyqësor, gjithashtu edhe mbrojtësja e të akuzuarit Lulzim Blakaj, av. Albana Kelmendi tha se mbetet në tërsi pranë fjalës hyrëse në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.
Në seancën e sotme u dëgjua dëshmitari F.B i cili tha se, qëndron pranë deklaratës së dhënë nga shqyrtimi gjyqësor i kaluar, e ka thënë të vërtetën dhe se nuk ka çka të shtoj.
Kështu që është vazhduar me administrimin e provave.
E më pas i pandehuri Lulzim Blakaj ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.
Prokurorja e shtetit Valbona Disha-Haxhosaj në fjalën e saj përfundimtare tha se, duke u bazuar në provat materiale dhe personale që u adminstruan në këtë shqyrtim gjyqësor e po ashtu pas parasysh edhe sygjerimet e Gjykatës se Apelit të dhëna në aktvendim, e duke u bazuar në nenin 348, meqenëse gjendja faktike e paraqitur në aktakuzë është ndryshuar prokurorja ka bërë ndryshimin e aktakuzës e të cilin e ka paraqitur sot në seancë.
Kështu që dispozitivi i akuzës duhet të jetë “ I pandehuri Lulzim Blakaj akuzohet se me datë 08.10.2020 ne Istog, i pandehuri si person zyrtar me dashje e shtytë zyrtarin ligjor F.B që të përpiloj ‘’autorizimin zyrtarisht 2018’’ me qëllim që i pandehuri me këtë autorizim të vërtetoj një çështje të pavërtetë e të paraparë që ta përdorë këtë autorizim si provë në hetuesi se kinse i pandehuri ka qenë i autorizuar nga ish-kryetari tani i ndjeri Haki Rugova për t’i nënshkruar kontratat për dhënie në shfrytëzim afatshkurtër të pronave kompanisë ‘’Makon sh.p.k’’, pronë e vellait të kryetarit Haki Rugova, me të cilin autorizim i pandehuri ka vënë në lajthim organin kompetent dhe atë DHKEK-së në Prishtinë në atë mënyrë që, gjersa i pandehuri Lulzim ishte duke u intervistuar në DHKEK në Prishtinë lidhur me rastin e ish-kryetarit të komunës se Istogut tani i ndjeri Haki Rugova , zyrtarit I.H dhe L.B, ku ky i fundit nga emaili i tij personal ia dërgon zyrtarit F.B autorizimin e gatshëm “zyrtarisht/2018 të datës 18.04.2018” duke e shtytë të njëjtin që në autorizim t’i fus numrat e kontratave, ta printoj dhe t’ia dërgon kryetarit për nënshkrim, e më pas të njëjtin autorizim t’ia dergoi hetuesit H.XH, gjë që zyrtari F.B, duke menduar se po vepron ligjshëm e nën lajthim ka vepruar ashtu siç e ka shtytë i pandehuri të cilin autorizim pas nënshkrimit duke mos e protokoluar F.B ia dërgon në email zyrtarit policor H.XH, me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale shtytje në kryerjen e veprës penale ‘’legalizim i përmbajtjes së rreme’’ nga neni 395 par . 1 e lidhur me nenin 32 të KPRK-së.
Meqenëse prokurorja e shteti ka ndryshuar aktakuzën mbrojtësja e të akuzuarit Lulzim Blakaj, av. Albana Kelmendi i propozoi gjykatës që seanca e sotme të ndërpritet për arsyje të përgatitjes së mbrojtjes.
Kështu që seanca e sotme është ndërprerë dhe është caktuar për një datë tjetër.
Ndryshe me 31 korrik 2023, Gjykata Themelore në Pejë kishte shpalluar aktgjykim dënues për Ismet Hasin dhe Lulzim Blakaj.
Por Gjykata e Apelit me 26.04.2024 aprovoi ankesën e mbrojtëses por edhe sipas detyrës zyrtare e ka kthyer në rigjykim dhe vendosje çështjen penale vetëm sa i përket të pandehurit Lulzim Blakaj ndërsa për të pandehurin Ismet Hasi është vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Thelemore në Pejë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë të ngritur me datë 21.02.2021, i pandehuri Lulzim akuzohet se me 8 tetor 2020 në Istog, në dokumentin zyrtar të titulluar “Autorizim”, kishte shënuar të dhëna të rreme duke i vërtetuar edhe me vulë zyrtare, pasi që tani i ndjeri H.R dhe i pandehuri Blakaj me të kuptuar se për cilat raste janë duke u hetuar, i pandehuri kërkon nga zyrtari ligjor, dëshmitari F.B që të përpilojë dokumentin zyrtar “Autorizim”, i datës 18 prill 2018 dhe të njëjtin ta dërgojë tek ish-kryetari për nënshkrim, duke e urdhëruar të njëjtin që të hartojë këtë dokument kinse ka ekzistuar qysh në vitin 2018, me qëllim që t’i shmanget përgjegjësisë penale.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi










