Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, me datë 2 tetor, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të pandehurës Mevlude Nishori e akuzuar për veprën penale të Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar. Ky rast po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda të kësaj gjykate nga trupi gjykues i kryesuar nga Medije Bytyqi dhe anëtarët Gent Beka dhe Ertan Sejfulla.
Në seancën e kësaj date u bë dëgjimi i katër dëshmitarëve, administrimi i provave materiale si dhe e pandehura e dha mbrojtjen e saj. Dëshmitarët të cilët u dëgjuan janë Xh.K, N.K, M.K dhe F.K ku secili prej tyre mbanë edhe statusin e palës së dëmtuar në këtë procedurë.
Fillimisht u bë dëgjimi i dëshmitarit Xh.K. i cili tha se parcelën e cila është objekt i kontestit për herë të parë e kanë vendosur në emrin e familjes së tij kur e kanë ndarë mes vëllezërve në vitin 2015. Sipas këtij dëshmitari, kjo pronë është blerë në vitin 1965 dhe të njëjtën e kanë shfrytëzuar për bagëti.
Tutje u dëgjua dëshmitari N.K i cili rrëfeu se për herë të parë kanë filluar të kenë probleme në vitin 2015. Sipas tij, kjo parcelë ka qenë pjesë e kontratës së shitblerjes së lidhur në vitin 1965 kur është blerë nga S.D.
Seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit M.K i cili para gjykatës rrëfeu se parcela në fjalë në vitin 2008 është bartur në emër të familjarëve përmes vendimit të gjykatës për trashëgimi, ndërsa në vitin 2015 ka kaluar sërish në emër të S.D, pra personit nga i cili është blerë në vitin 1965. M.K tha se në atë kohë ka qenë në komunë për të kërkuar fletën poseduese e cila nuk i është dhënë. I njëjti për të akuzuarën tha se e njeh vetëm si punëtore të komunës.
Më tutje u dëgjua edhe dëshmitari i fundit në këtë procedurë – F.K. Ky i fundit në rrëfimin e tij kujtoi vitin 2008 kur kishte shkuar tek zyra e të akuzuarës në komunë ku theksoi se e akuzuara kishte qarë duke iu referuar faktit se dikush i kishte vjedhur dokumentet lidhur me këtë pronë. Sipas dëshmitarit F.K për bartjen e pronës në emër të S.D nuk kanë dhënë asnjë pëlqim apo nënshkrim nga familja e tij.
Tutje, në sesionin e pasdites, gjykimi vazhdoi me administrimin e provave materiale.
Më pas e pandehura Mevlude Nishori e dha mbrojtjen e saj duke u përgjigjur fillimisht në pyetjet e mbrojtëses së saj Blerta Shyqeriu e më pas edhe pyetjeve të përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, avokatit Ali Ajeti si dhe Prokurores së rastit Dulina Hamiti.
Sipas të pandehurës, vendimi i vitit 2008 për bartjen e pronës nga S.D në emër të familjes së dëmtuar ka qenë vetëm një gabim teknik. E pandehura tha se këtë gabim e kuptuan vite më vonë kur pasardhëset e S.D kërkuan nga komuna që kjo pronë të kthehet në emrin e babait të tyre. Më pas, e pandehura deklaroi se drejtori Jakup Tërnava e ka informuar për këtë gabim dhe e ka lutur që ta ndihmojë për revokimin e vendimit por që e njëjta vetëm e ka udhëzuar në cilin ligj mund të thirret sa i përket kthimit në gjendjen e mëparshme. Pra, sipas të pandehurës, ajo nuk e ka lëshuar vendimin për të cilin akuzohet se ka tejkaluar kompetencat e saj, e as nuk e ka nënshkruar të njëjtin.
Pas dhënies së mbrojtjes nga e pandehura seanca u ndërpre për të vazhduar me datë 14 tetor në orën 8:30 për dhënien e fjalëve përfundimtare.
Duhet theksuar se në këtë rast fillimisht kanë qenë edhe tre të akuzuar të cilët janë shpallur fajtor kurse për të pandehurën Mevlude Nishori procedura është veçuar për shkak të gjendjes shëndetësore.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore, Mevlude Nishori akuzohet se më 18 mars 2016, si zyrtare ligjore për regjistrimin e hipotekave në Komunën e Fushë-Kosovës, duke tejkaluar kompetencat e saja, edhe pse nuk ka qenë detyrë dhe përgjegjësi e saj në bazë të vendit të punës, ka përpiluar aktvendimin me të cilin ka revokuar vendimin e 19 qershorit 2008, që kishte të bënte me bartjen në Operatin Kadastral për ngastrën me nr.00451/1, me sipërfaqe prej 1162 metër katror, e cila ishte bartur në emër të Selim Kutllovcit, Bislim Kutllovcit, Zymer Kutllovcit dhe Xhafer Kutllovcit.
Gjithnjë, sipas aktakuzës e pandehura Mevlude Nishori theksoet se nuk i ka përmbushur detyrat e saj zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, pasi për këtë njësi kadastrale më 25 gusht 2015, Gjykata Themelore Prishtinë- Divizioni për Çështje Civile, kishte caktuar masë të përkohshme të sigurisë.
Sipas aktit akuzues, me veprimet e saj, ka kryer veprën penale, ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga: Aulona Alaj