Projekt i realizuar nga:

Shpallet aktgjykimi në rastin ndaj zyrtarit të MI-së dhe ish – Drejtorit të një kompanie private



Sot me datë, 03 Tetor 2024 në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Depratamentin për Krime të Rënda, është shpallur aktgjykim në rastin ndaj të pandehurve Naim Sallahu dhe Begzat Musliu.

Në aktgjykimin e shpallur nga kryetari i trupit gjykues Avni Syla, u theksua se i pandehuri Naim Sallahu është fajtor dhe të njejtit gjykata i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj dhe dënim me gjobë në shumën prej 7 mijë euro si dhe ndalim të aplikimit në procedurat e prokurimit publik në periudhën prej 2 viteve, pasi që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë. Ndërsa, i pandehuri Begzat Musliu u lirua nga akuza në mungesë të provave.

Palët e pakënaqura me vendimin mund t’i drejtohen me ankesë Gjykatës së Apelit, përmes kësaj gjykate.

Kujtojmë që, sipas aktakuzës, i akuzuari Begzat Musliu, në cilësinë e personit zyrtar, si Drejtor i Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, i ka tejkaluar kompetencat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me ligjin për Auditimin e Brendshëm të Financave Publike, përkatësisht nenin 25 par. 3.3 miratimin nga udhëheqësi i subjektit të sektorit publik, ministri apo sekretari i përgjithshëm; ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit publik me titull “Ndërtimin e urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Pejë-Kuqishtë me lokacion Drelaj”.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Musliu ka vepruar vetëm me kërkesë të Operatorit Ekonomik “Sallahu” Sh.P.K, që është e ndaluar me ligj, po ashtu i pandehuri jashtë procedurave ligjore të auditimit të brendshëm, ka përpiluar raportin e auditimit në favor të Operatorit Ekonomik ” Sallahu” Sh.P.K, me qëllim të krijimit të dobisë për atë kompani, pa i vërtetuar provat në lëndën e iniciuar kundër këtij operatori.

Me këtë i pandehuri Begzat Musliu, akuzohet se ka kryer veprën penale: ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë’, nga neni 414 par. 1 i KPRK-së.

Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, i akuzuari Naim Sallahu, akuzohet se me vetëdije shkel rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokumentacion të rremë, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues në procedurën e prokurimit publik.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Sallahu në atë mënyrë që në pozitën e pronarit të kompanisë “Sallahu” Sh.P.K, ka ofertuar me dokumentacion të falsifikuar në Aktivitetin e Prokurimit, në të cilën lëndë ka prezantuar referencën për gjeodetin F.SH, se i njëjti kinse kishte punuar në projektin ” Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Balincë” dhe në projektin” Zgjerimi i rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës (Veternik), por në projektet në fjalë nuk ka qenë i angazhuar gjeodeti F.SH.

Me këtë i pandehuri Naim Sallahu, akuzohet se ka kryer veprën penale: ‘Keqpërdorim dhe Mashtrim në Prokurim Publik’, nga neni 415 par. 1 të KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter