Projekt i realizuar nga:

Dështon për të tretën herë radhazi shqyrtimi fillestar në rastin kundër ish Prokurorit të akuzuar për Korrupsion

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë është paraparë që sot me datë 4 tetor të nisë gjykimi ndaj Metush Biraj, Shkodran Pulaj dhe Naim Osmanit të akuzuar për Korrupsion. Mirëpo seanca e tillë dështoi që të mbahet pasi që mbrojtja deklaruan se nuk janë të pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.

Mbi të njëjtën bazë kishte dështuar edhe seanca e fundit e datës 11 shtator, ku gjyqtari i rastit Lutfi Shala e kishte obliguar Prokuroren Speciale Shenaj Berisha që palët t’i pajisë me provat mbi të cilat mbështetet aktakuza.

Fillimisht fjalën e mori avokati Reshat Millaku, mbrojtës i të akuzuarit Metush Biraj, i cili tha se që nga seanca e kaluar mbrojtja ka pranuar një pjesë të provave të kërkuara por akoma nuk janë pajisur me një pjesë substanciale të tyre pa të cilat nuk janë të gatshëm të vazhdojnë.

Avokati Millaku theksoi se provat të cilat mungojnë janë kërkesa e Prokurorisë për kontrollin e personit Shkodran Pulaj, vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake për këtë kërkesë, procesverbalin e bastisjes së personit nga policia, listën e dëshmive, kërkesën e Prokurorisë drejtuar Gjykatës për aprovimin në mënyrë retroaktive të kontrollit dhe sekuestrimit të sendit lidhur me Shkodran Pulaj si dhe vendimin për këtë kërkesë, vendimin e Prokurorit për ekzaminimin kriminalistik të telefonit të sekuestruar, CD – në dhe transkriptën mbi përmbajtjen e telefonit në fjalë si dhe SMS dhe incizimet e bisedave mes të akuzuarve Metush Biraj dhe Shkodran Pulaj.

Lidhur me këtë çështje u deklarua edhe avokati Faton Fetahu i cili tha se e mbështet kërkesën e avokatit Millaku dhe se konsideron se shkresat që i kërkoi i njëjti janë vendimtare për kundërshtimin e aktakuzës. Fjalën e mori edhe mbrojtësi ti të akuzuarit Naim Osmani, avokati Korab Gashi, i cili tha se është në interes të mbrojtjes që provat e theksuara të i kenë në dispozicion.

Andaj gjyqtari Lutfi Shala obligoi Prokuroren Speciale Shenaj Berisha që mbrojtjes të i dorëzoj provat e kërkuara.

Seanca e shqyrtimit fillestar pritet të mbahet me datë 16 tetor nga ora 13:15.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Metush Biraj, në mes të muajve prill dhe korrik të vitit 2023, në Prizren, në cilësi të prokurorit të shtetit të Prokurorisë Themelore në Prizren, pranon ofertën ose premtimin për dhuratë, në shumë prej 20.000 €, në atë mënyrë që gjatë përfaqësimit në Gjykatën Themelore në Prizren, më 31.03.2023, në këmbim të premtimit heq dorë nga ndjekja penale në mungesë të provave ndaj të akuzuarve: N.O., U.S. dhe A.S., për shkak të veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, të KPRK-së.

Prokuroria Themelore e Gjilanit njofton se me këto veprime ka kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ nga neni 421 paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurit Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë premtuar dhënien e ryshfetit për personin tjetër – tani të pandehurin Metush Biraj, me qëllim që i njëjti, në cilësinë e prokurorit të shtetit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor te datës 31.03.2023, të heq dorë nga aktakuza kundër të akuzuarve N.O., U.S. dhe A.S., për shkak të veprës të sipërshënuar penale. Me këto veprime kanë kryer veprën penale ’’ Dhënia e ryshfetit’’ nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Aulona Alaj

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter