Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot me datë 04.10.2024, ka filluar rishtazi gjykimi ndaj Sylejmon Pllana, i akuzuar për veprat penale: ‘Marrje ryshfeti & Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’. Deri të rifillimi i gjykimit, ka ardhur pas ndryshimit të trupit gjykues, përkatësisht zëvendësimit të njërit prej antarëve, ku tash e tutje do jetë i përbër nga: kryetari i trupit gjykues gjyqtari Gent Beka dhe anëtarëve gjyqtares Medije Bytyqi dhe gjyqtarit Gazmend Bahtiri.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gent Beka, në konstatimin e palëvë në procedur, ka njoftuar për prezencë në këtë seancë të Prokurores së Shtetit Daulina Hamiti, të akuzuarit Sylejmon Pllana me mbrojtësin e tij av. Nexhmedin Sejdiu, dëshmitarit N.P dhe mungesën e dëshmitarëve Q.M, XH.J DHE NJ.TH për të cilët gjykata do ndërmarr veprime procedurale për sigurimin e prezencës së tyre në seancën tjetër.
Tutje, seanca ka vazhduar me leximin e aktakuzës nga Prokurorja e Shtetit, ndërsa i pandehuri është deklaruar i pafajshëm në lidhje me veprat penale për të cilat akuzohet sipas aktakuzes.
Gjithashtu, sa i përket fjalës hyrëse si Prokurorja e Shtetit ashtu edhe mbrojtja e të pandehurit, kanë deklaruar se mbetën në tërsi pranë fjalës hyrëse të paraqitur në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.
Tutje, pas propozimit të mbrojtjes dhe me pajtimin e palëve, trupi gjykues me aktvendim ka konstatuar të lexuara dëshmit e dëshmitarëve A.SH dhe E.N me të gjitha vërejtjet dhe konstatimet në procesverbalin nga shqyrtimi i kaluar gjyqësor.
Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit N.P i propozuar nga ana e mbrojtjes, i cili në pyetje të mbrojtësit të të pandehurit Nexhmedin Sejdiu dhe kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Gent Beka dhe anëtares së trupit gjykues, gjyqtares Medije Bytyqi në mes tjerash ka deklaruar se: me të pandehurin kan raporte fqinjësore që nga fëmijëria, Ekrem Niken e ka djalë të dajës, kurse Egzon Hysenin nuk e njeh fare.
Tutje i njëjti ka theksuar se me të pandehurin nuk kan pasur më parë ndonjë komunikim për ndjonjë shqetësim të shprehur, por që e ka telefonuar një ditë duke i kërkuar që të dal në lagje jashtë nga shtëpia pasi ishte së bashku me djalin e dajës së tij Ekremin.
Dëshmitari, ka theksuar se pasi ka dalë jashtë i ka pytur se ku është problemi, Ekremi i ka përmendur disa çështje parash dhe një vend pune, por që e gjithë biseda sipas dëshmitarit ka zgjatur jo më shume se një minutë dhe ju kërkuar të dyve që të largohen secili rrugëve dhe shtëpive të tyre për të ju shmangur fjalosjeve në lagje, pasi njërin e kishte fqinjë dhe tjetrin djalë të dajës.
I njëjti gjithashtu ka mohur se ka njohuri apo ka dëgjuar diqka më shumë nga biseda në atë takim, duke mos japur përgjigje të caktë për arsyen pse ju ka kërkuar që të largohen ose për shumen e parave që është përfolur.
Gjithashtu, dëshmitari ka mohuar që në atë takim të shkurtër në lagje ka pas përsona të tjerë përveq përsonave të lartcekur.
Tutje, kryetari i trupit gjykues pas përfundimit të dëgjimit të dëshmitarit ka ndërprerë seancën dhe të njëjtën e ka shtyer për datë 31.10.2024 në ora 13:15
Sipas aktakuzes së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 janar 2021, e cila e ngarkon Sylejmon Pllanën, se në cilësinë e personit zyrtar, inxhinier në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), duke e keqpërdorur detyrën e tij, Egzon Hysenit i kishte kërkuar ryshfet në shumë prej 5 mijë e 500 euro duke i premtuar se do ta punësonte si vozitës në KEK.
Sipas aktakuzes, i akuzuari fillimisht e kishte pranuar shumën prej 2 mijë euro nga i akuzuari Hyseni, e pastaj në një takim tjetër ai kishte pranuar edhe shumën prej 500 euro, kurse për pjesën tjetër prej 3 mijë euro, ata ishin pajtuar që ajo pjesë të paguhej pasi i akuzuari Hyseni të punësohej dhe ta marrë pagën e parë në KEK.
Me këto veprime, Pllana po akuzohet se ka kryer veprat penale “Marrja ryshfetit” nga neni 428, par 1, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.Po ashtu, ai akuzohet edhe për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Sipas aktakuzës, Egzon Hyseni akuzohej se gjatë muajit prill 2019, është takuar me të akuzuarin Pllana në Fushë Kosovë dhe me qëllim që të punësohej në KEK, fillimisht i kishte dhënë Pllanës shumën prej 2 mijë euro e pastaj në një takim tjetër shumën prej 500 euro, kurse për pjesën tjetër ishin pajtuar që të paguhej pasi i akuzuari Hyseni të punësohej në KEK.
Me këtë, Hyseni akuzohej se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, nga neni 429, paragrafi 1, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Pasi Hyseni e kishte pranuar fajësinë për këtë vepër penale, Gjykata Themelore në Prishtinë, me 17 maj 2021, e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim dhe 300 euro gjobë, por me pëlqimin e tij, dënimi me burg iu kishte zëvendësuar pastaj në dënim me gjobë në lartësi prej 1 mijë e 500 euro.
Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Ilir Kocani










