Projekt i realizuar nga:

Dëgjohet eksperti financiar në rastin e ish-zyrtarëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës

Ka vazhduar gjykimi në rastin ndaj të pandehurve Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj, ish-zyrtar të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, të akuzuar nga Prokuroria Speciale për veprën penale: ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtari Kujtim Krasniqi dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtari Lutfi Shala dhe gjyqtari Vesel Ismaili. Ndërsa, Prokuroria Speciale përfaqësohet nga Prokurori Milot Krasniqi.

Tutje, shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me dëgjimin e ekspertit financiar, i cili nga pytjet e av. Agron Selimaj ndër të tjera shtoi se në bazë të autorizimit të tij nuk ka pasur obligim të shqyrtoj ndryshimet e bëra në ligj lidhur me rritjen e TVSH-së. Ndërsa, sa i përket konstatimit në ekspertizë lidhur me pjesën e 60%, eksperti theksoi se kjo ka të bëjë me përqindjen e punëve të pa kryera.

Ndërsa, në konstatimin lidhur me punimet të cilat nuk janë përfunduar në tërësi, eksperti theksoi se përgjatë analizimit nuk ka arritur t’i kuptoj se cilat pjesë kanë mbetur pa u përfunduar, pasi nuk ka pasur raport për përfundim të punimeve.

Tutje, eksperti shtoi se ka bërë vlerësimin vetëm të procedurës së prokurimit duke theksuar se nuk kishte qenë në përgjegjësinë e tij të bënte konstatime me atë se cfarë është përfunduar apo jo. Kurse, sa i përket konstatimit lidhur me lejimin e vazhdimit të sigurimit të ekzekutimit të kontratës, eksperti theksoi se kjo mund të konsiderohet edhe si shkelje e kushteve të kontratës pasi nuk janë përmbushur obligimet kontraktuese. Mungesa e buxhetit sipas ekspertit nuk mund të jetë arsye për shtyrjen e ekzekutimit të kontratës.

Kurse, sa i përket një pagese e cila në një dokument rezulton si cmim më i lartë rreth 200 mijë euro, kurse në dokumentin të cilin e përmend i pandehuri Bahri Nuredini i njejti thekson se në rastin e cekur ka të bëjë me një shumë prej 47 mijë euro, lidhur me këtë cështje eksperti theksoi se gjatë hartimit të ekspertizës nuk ka hasur në këtë dokument.

Tutje, i pandehuri Nuredini theksoi se në dosjen e dorëzuar nga PSRK dhe e paraqitur në ekspertizë theksohet se janë disa pagesa por për të njejtat i pandehuri pretendon se këto pagesa nuk janë të dokumentuara dhe nuk kanë referencë burimore, eksperti theksoi se cështjen e pagesave e ka bërë në formën e raportit përmbledhës duke theksuar se nuk ka bërë auditim të pagesave.

Tutje, në sesionin e pasditës gjykimi vazhdoi me pytjet e av. Ilir Rashiti në të cilat eksperti ndër tjerash theksoi se, nuk ka njohuri lidhur me pozitën zyrtare të të pandehurit Driton Mehaj për periudhën 2011 – 2017. Kurse, sa i përket përgjegjësive ligjore të të pandehurit eksperti theksoi se ka pasur për detyrë mbikqyrjen e kontratës për fazat e implementimit. Sa i përket këtyre detyrave ndër detyrat esenciale të menaxherit të kontratës është shikimi i implementimit të kushteve të kontratës, pastaj ndarja e projektit në disa faza si dhe të raportoj tek menaxhmenti – mbikqyrësi për mos-implementimin eventual të kontratës.

Kurse, sa i përket procedurës së tenderimit në vlerësimin e tij eksperti theksoi lidhur me këtë cështje përgjegjësi ka pasur edhe shefi i prokurimit, duke shtuar se i njejti ka karakter aktiv deri në momentin e nënshkrimit të kontratës, pastaj përgjegjësia baratet tek menaxheri i kontratës, por në një mënyrë ka përgjegjësi edhe pas kësaj periudhe. Ndërsa, sa i përket veprimeve konkrete të shefit të prokurimit, eksperti theksoi se nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim, njëkohësishtë nuk ka pasur as të drejtë pa kërkesën e menaxherit të kontratës.

Lidhur me përmbushjen e detyrimeve nga i pandehuri Driton Mehaj, sa i përket aktivitetit të prokurimit të lartëcekur eksperti theksoi se nuk i ka përmbushur të gjitha detyrimet, sepse në këtë rast është zgjatur përmbushja e afatit të implementimit të kontratës.

Ndërsa, lidhur me provën përkatësishtë raportin përfundimtar të përfundimit të punimeve, eksperti theksoi se këtë e ka deklaruar edhe në shqyrtimin e kaluar se nuk ka hasur në një raport të tillë përgjatë përpilimit të ekspertizës.

Tutje, kryetari i trupit gjykues theksoi se pasi është aftër përfundimi i orarit të punës së Gjykatës, seanca e sotme duhet të ndërpritet dhe eksperti do të vazhdojë të dëgjohet në seancën e radhës.

Ndryshe, sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Bahri Nuredini, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe Driton Mehaj, Menaxher i Kontratës për ‘Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese’, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Të njëjtit akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke i mundësuar operatorit ekonomik “TCN International” nga Tirana, përfitim të kundërligjshëm me rastin e dhënies së kontratës për aktivitetin e prokurimit, me ç’ rast në mënyrë të kundërligjshme dhe pa autorizim paraprak kanë incizuar dhe zhvilluar procedurat e prokurimit.

Tutje, të akuzuarit përmes Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik kanë shpallur fitues të tenderit OE “TCN International”, me vlerë të përgjithshme të kontratës 7,808.296.00 Euro, ashtu që të pandehurit e kanë futur rilokimin e sistemeve ekzistuese në tenderin e ri edhe pse ky ka qenë obligim kontraktual i kompanisë “LIMAK”, ndërsa gjatë zbatimit të projektit, nuk i kanë ndërmarrë masat mbrojtëse ndaj OE të paraparë me ligj dhe kontratë.

Sipas aktakuzës, në mënyrë të kundërligjshme është bërë zgjatja e afatit të kontratës nga 523 ditë, në 1 mijë e 700 ditë dhe thuhet se edhe pas zgjatjes së këtij afati, kontrata nuk është përfunduar, por e njëjta është shkëputur në mënyrë të njëanshme nga ky operator më 19 shtator 2016, marrë për bazë se deri në këtë datë i ishin paguar 97% e mjeteve financiare nga vlera e përgjithshme prej 7 milionë e 808 mijë e 296 euro.

Nuredini dhe Mehaj, akuzohen se me veprimet e tyre, i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të AShNA dhe buxhetit publik, në lartësi të paktën 1,937,230 Euro.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter