Projekt i realizuar nga:

Pranon fajësinë i akuzuari për Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj të akuzuarit Ismet Kunushevci, i cili akuzohet për veprën penale ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik’.

Në seancën e sotme, gjyqtari i rastit Ertan Sejfulla deklaroi se kanë pranuar një shkresë për marrëveshje për pranim fajësie në këtë rast, meqë rast kërkoi deklarimin e palëve lidhur me marrëveshjen, ndërsa dy dëshmitarët e ftuar u larguan nga salla.

Prokurori i Shtetit Kujtim Munishi deklaroi se pas shqyrtimit të fundit gjyqësor në këtë çështje penale në zyrën time është paraqitur avokati Ahmet Gjinovci, i cili ka kërkuar që të negociojm marrëveshjen për pranim të fajësisë sipas aktakuzës, andaj prokuroria pranon që të mos akuzoj për vepër penale shtesë për veprimet e tij dhe për të cilat paraqesin bazë për vepër penale për të cilën i pandehuri e ka pranuar fajësinë, njëkohësisht pranon marrëveshjen për pranim fajësie.

Marrëveshjen për pranim të fajësisë e përkrahu edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, nga Policia e Kosovës, ndërsa mbrojtësi Ahmet Gjinovci dhe i akuzuari Kunushevci deklaroi se pajtohen me marrëveshjen.

Pas këshillimit dhe votimit, trupi gjykues pranoi marrëveshjen për pranim fajësie për veprën penale për të cilën akuzohet i pandehuri Kunushevci.

Ndërsa lidhur me dënimin, prokurori deklaroi se nga prokuroria është propozuar ti shqiptohet dënim me gjobë të akuzuarit në shumën prej 2500 euro dhe dënim me burgim prej 6 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet me kusht që i pandehuri nuk kryen vepër tjetër penale brenda 1 viti periudhe verifikimi. Njëkohësisht prokurori Munishi deklaroi se lidhur me marrëveshjen përkatëse është marrë aprovimi i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore, mua si prokurori i rastit, avokatit të të pandehurit dhe vet të pandehurit.

Tutje, lidhur me dënimin, mbrojtësi Gjinovci kërkoi që të mbrojturit të tij ti shqiptohet minimumi ligjor i përcaktuar në marrëveshje pasi gjendja ekonomike dhe shëndetësore e të njëjtit nuk është e mirë.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet sot, me datë 7 tetor 2024, në ora 09:45.

Sipas aktakuzës së ngritur me 19 tetor 2023, Ismet Kunushevci akuzohet se në cilësinë e pronarit të kompanisë “Beni com” me vetëdije kishte shkelur rregullat e prokurimit publik, ashtu që gjatë ofertës për dhënie të kontratës së prokurimit publik nga Policia e Kosovës për marrjen me qira të makinerive, Kunushevci kishte prezantuar vërtetimin, i cili konsiderohet i rremë.

Me këto veprimet, Konushevci akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik” nga neni 415, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter