Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është shpallur aktgjyim fajësues në rastin ndaj të akuzuarit Ismet Kunushevci, i cili akuzohet për veprën penale ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik’.
Sipas aktgjykimit të shpallur, i akuzuari Kunushevci u dënua me dënim me gjobë në shumën prej 2500 euro dhe dënim me burgim prej 6 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet me kusht që i pandehuri nuk kryen vepër tjetër penale brenda 1 viti periudhe verifikimi.
Njëkohësisht në emër të paushallit gjyqësor, i pandehuri obligohet të paguaj shumën prej 50 euro, ndërsa në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit shumën po ashtu prej 50 euro.
Kujtojmë se në seancën e sotme trupi gjykues pranoi marrëveshjen për pranim fajësie të dorëzuar nga prokurori i rastit Kujtim Munishi, meqë rast dënimi i shqiptuar është i njëjtë siç është propozuar në marrëveshje.
Sipas aktakuzës së ngritur me 19 tetor 2023, Ismet Kunushevci akuzohet se në cilësinë e pronarit të kompanisë “Beni com” me vetëdije kishte shkelur rregullat e prokurimit publik, ashtu që gjatë ofertës për dhënie të kontratës së prokurimit publik nga Policia e Kosovës për marrjen me qira të makinerive, Kunushevci kishte prezantuar vërtetimin, i cili konsiderohet i rremë.
Me këto veprimet, Konushevci akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik” nga neni 415, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti










