|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon përsëri të nis gjykimi ndaj ish-drejtorit të Marketingut në Telekom dhe të tjerëve, të akuzuar për përvetësimin e telefonave mobilë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të nisë përsëri gjykimi në rastin ku Trim Musliu, Armend Osaj, Denis Ceman, Alban Nimani, Fatbardh Ajvazi, Kreshnik Musliu dhe Gazmend Hyseni akuzohen për kryerjen e veprave penale “Përvetësim në detyrë”, “Falsifikim i dokumenteve”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Dokumente të rrejshëm”, në dëm të Telekomit të Kosovës.

Seanca e sotme dështoi për shkak të mungesës së të akuzuari Trim Musliu, për të cilin mbrojtësi i tij, avokati Florent Latifaj deklaroi se mungon për shkaqe shëndetësore, sikur dhe herën e kaluar, duke kërkuar poashtu nga gjyqtari i rastit Arben Hoti veçimin e procedurës, të cilin propozim prokurori Rafet Halimaj e kundërshtoi me arsyetimin se i njëjti nuk ka asnjë arsye për mosparaqitje në shqyrtim fillestar dhe bazuar në dispozitat e KPPRK-së i propozoi gjykatës lëshimin e urdhërarrestit për shkak se i akuzuari Musliu nuk vuan nga ndonjë sëmundje e cila mund të jetë arsye për mosparaqitje në gjykim dhe se të gjitha provat janë për gjithë të akuzuarit dhe se janë planifikuar të dëgjohen 20 dëshmitarë, meqë rast do paraqiste problem si për prokurorinë dhe gjykatën që të ftohen dyherë të njëjtit dëshmitarë, në rast se veçohet procedura.

Duke marrë parasysh mungesën e kushteve ligjore për seancën e sotme, gjyqtari Hoti deklaroi lëshimin e urdhërarrestit për të akuzuarin Musliu për sjellje me detyrim në seancën e radhës dhe se seanca radhës do të mbahet me datë 5 nëntor 2024, nga ora 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 26 qershor 2024  nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuar për këtë rast janë: Trim Musliu, Armend Osmaj, Denis Ceman, Kreshnik Musliu dhe Gazmend Hyseni .

Në dispozitivin e parë të aktakuzës thuhet se Trim Musliu nga data 21 janar 2019 e deri më 24 prill 2019 në cilësi të drejtorit Marketigu në Telekomin e Kosovë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm përvetëson pasurinë të Telekomit të Kosovës, konkretisht duke lidhur kontratë me “Zone Mobile” për furnizim me 239 telefona mobil, kur 153 prej tyre i përvetëson për vete, ndërkaq në furnizimin e dytë prej 16 telefonave mobilë përvetëson 11 prej tyre duke përvetësuar në total 163 telefona mobilë në vlerën prej 164 mijë e 847 euro e 83 centë.

Për këto veprime Musliu po ngarkohet për veprën penale “Përvetësimi në detyrë” nga nenin 425 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Tutje, në dispozitivin të dytë të aktakuzës thuhet se i akuzuari Armend Osaj më 3 shtator 2019 e deri me 30 shtator 2019 në cilësi të drejtorit të Financave dhe Thesarit në Telekomin e Kosovës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm përvetëson pasurinë të Telekomit të Kosovës, konkretisht duke lidhur kontratë me “Zone Mobile” për furnizim me telefona mobil, USB, modema në vlerën e 207 mijë e 733 euro e 10 centë e që në total pranon 305 telefona e duke përvetësuar për vetë në total 48 telefona mobil në vlerën prej 32 mijë e 692 euro e 32 centë.

Për këto veprime i akuzuari Osaj po ngarkohet për kryerjen e veprës penale “Përvetësimi në detyrë” nga nenin 418 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, sipas dispozitivit të tretë të akuzuarit Trim Musiu , Kreshnik Musliu dhe Denis Ceman ngarkohen me veprën penale “Falsifikim i dokumenteve ” nga neni 390 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.

Tutje, në dispozitivin e katër të aktakuzës ngarkohet Armend Osaj me veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”nga nenin 390 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Kosovës.

Ndërsa, në dispozitivin e pestë të aktakuzës ngarkohen Alban Limani dhe Fatbardh Ajvazi për kryerjen e veprën penale “Mashtrim” nga neni 335 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, në dispozitivin e pestë, gjashtë dhe të shtatë ngarkohen Alban Limani dhe Fatbardh Ajvzai për veprën penale “Mashtrim” nga neni 335 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” nga nenin 415 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 3 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës, si dhe veprën penale “Shmangie nga tatimi” nga nenin 307 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Dhe në fund dispozitivi i tetë i aktakuzës ngarkon Gazmend Hyseni se ka kryer veprën penale “Dokumente të rrejshëm lidhur me tatimin” nga neni 308 paragrafi 2 dhe 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter