Ka filluar gjykimi ndaj të pandehurve, Xhelil Bekteshi dhe Besim Tahiri, të cilët nga Prokuroria akuzohen për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.
Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtarja Fatime Dërmaku dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtari Ertan Sejfulla dhe gjyqtarja Sulltane Hoti. Ndërsa, Prokuroria Themelore përfaqësohet nga Prokurori i Shtetit Bashkim Zeqaj.
Shqyrtimi ka vazhduar me deklarimin e të pandehurve, të cilët sërisht u deklaruan të pafajshëm. Pastaj, kryetarja e trupit gjykues, konstatoi se mund të konsiderohet e lexuar aktakuza.
Tutje, shqyrtimi vazhdoi me fjalën hyrëse, të palëve ku ndër të tjera Prokurori i Shtetit theksoi se mbtetet në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyritimin e kaluar.
Ndërsa, mbrojtësit e të pandehurve av. Skender Musa dhe av. Adem Vokshi theksuan se mbeten në tërësi pranë fjalëve hyrëse të dhënë në shqyrtimin e kaluar, ndër të tjera shtuan se është e rëndësishme për këtë proces të caktohet një ekspert për prokurim, i cili do të bënte vlerësimin e procedurës së fitimit të tenderit, dhe do të sqaronte të gjitha paqartësitë lidhur me këtë rast. Në fund, theksuan se rezervojnë të drejtën e tyre që gjatë shqyrtimit të propozojnë prova të reja për administrim.
Kryetarja e trupit gjykues, theksoi ndër të tjera se do të bëhet administrimi i të gjitha provave dhe do të dëgjohen dëshmitarët e Prokurorisë dhe Mbrojtjes, po ashtu u caktua të dëgjohet edhe një ekspert i prokurimit, rrjedhimisht u konstatua se në seancat e radhës do të vazhdohet me administrimin e provave.
Kujtojmë që, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, me datë 30.09.2022 i kishte shpallur fajtor të pandehurit Xhelil Bekteshi dhe Besim Tahiri dhe ju kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 viteve secilit. Ndërsa, Gjykata e Apelit me datë 12.09.2023 kishte ndryshuar pjesërishtë aktgjykimin dhe e kishte ulur dënimin për të pandehurin Besim Tahiri në kohëzgjatje prej 2 viteve burgim.
Kurse, Gjykata Supreme me aktgjykim të datës 18.06.2024 i kishte anuluar dy vendimet e shkallëve më të ulëta dhe e kishte kthyer rastin në pikën zero.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të datës 29 Janar 2018, i pandehuri Xhelil Bekteshi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar. Bekteshi thuhet se e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23 maj 2016 në vend të datës reale 26 qershor 2016.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Besim Tahiri akuzohej se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.
Sipas prokurorisë, Tahiri e kishte obliguar Arifin që të paraqes kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të lartë.
Me veprimet e tyre, të pandehurit sipas Prokurorisë secili vec e vec, kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë’, nga neni 422 i KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Arton Hoxha