|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Përfundon shqyrtimi gjyqësor në rastin ndaj dy të akuzuarve për korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor ndaj Albert Deda dhe Ismet Veliu, të cilët po akuzohen nga Prokuroria Themelore se kanë marrë dhjetë flakona kontrast jojonik nga 100 mililitra.

Në fjalën përfundimtare, prokurorja e rastit Dulina Hamiti, deklaroi se nga administrimi i provave dhe dëshmive gjatë shqyrtimit gjyqësor në mënyrë të plotë është vërtetuar se të akuzuarit Albert Deda dhe Ismet Veliu kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale për të cilën janë akuzuar. Kjo është vërtetuar edhe nga dëshmia e dëshmitarëve, e të cilët janë dëgjuar gjatë shqyrtimit gjyqësor e poashtu kur gjendja e fakteve është vërtetuar edhe nga administrimi i provave materiale, evidenca e mbajtjes së të dhënave për materialin shpenzues me kontrast jojonik, përgjigja e datës 29 tetor 2020 e barnatores qendrore të QKUK-së lidhur me verifikimin e çmimit të blerjes, e poashtu kjo gjendje e fakteve është vërtetuar edhe nga përgjigjja e zyrës ligjore të QKUK-së lidhur me vlerën e dëmit të shkaktuar dhe kontratave përkatëse.

Prokurorja Hamiti tutje i propozoj gjykatës që të akuzuarit ti shpall fajtor për veprën penale të cilën janë akuzuar.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Albert Deda, avokati Labinot Vata në fjalën përfundimtare të tij deklaroi se e kundërshtojnë aktakuzën e prokurorisë, pasi që nuk ka paraqitur as edhe një provë të vetme që i mbrojturi i tij në kohë dhe vend të caktuar me dashje ka kryer veprën penale.

‘Në aktakuzë prokuroria pretendon se i mbrojturi im ka qenë përgjegjës i qelsave dhe këtë prokuroria nuk e ka dëshmuar as me një provë të vetme materiale, as me dëgjimin e dëshmitarëve, e as me kontratë apo ndonjë vendim i mbrojturi im nuk është caktuar përgjegjës i qelsave’, deklaroi avokati Vata, duke kërkuar kështu nga trupi gjykues lirimin e të mbrojturit të tij.

Aktgjykim lirues në fjalën përfundimtare të tij, kërkoi edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Veliu, avokati Qëndrim Zogaj.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet me datë 17 Shtator 2024, në ora 15:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 23 shkurt 2021, të akuzuarit Deda dhe Veliu po akuzohen se në cilësinë e teknikëve të Radiologjisë në Repartin e Klinikës së Radiologjisë në SHSKUK-së ku ishin përgjegjës të çelësave, kanë marrë dhjetë flakona kontrast jojonik nga 100 mililitra, me ç’rast kanë dëmtuar buxhetin e SHSKUK-së 202 euro që t’i sjellin vetes apo tjetrit përfitim pasuror të kundërligjshëm.

Me këtë, Deda dhe Veliu po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të

vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter