Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është mbajtur shqyrtimi fillestar në rastin e ish-kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi i cili nga Prokuroria Speciale akuzohet për ‘Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar’.
Kryetar i trupit gjykues në këtë rast është gjyqtari Arben Hoti, ndërsa Prokuroria Speciale përfaqësohet nga Prokurori Dren Paca.
Kryetari i trupit gjykues, theksoi se kanë pranuar një parashtresë nga PSRK me të cilën kanë njoftuar se mbrojtja është paisur me shkresat të cilat, në shqyrtimin e kaluar Gjykata e ka obliguar PSRK-në që të paisë mbrojtjen.
Në vazhdim, mbrojtësi i të akuzuarit av. Virtyt Ibrahimaga theksoi se në shkresat e dërguara nga PSRK, mungon aktvendimi për fillim të hetimeve. Tutje, mbrojtësi theksoi se mungojnë edhe kontratat për shitblerjen e energjisë elektrike në gjuhën shqipe, të cilat janë prova bazë sipas PSRK këto prova dëshmojnë Keqpërdorimin e pozitës zyrtare.
Mbrojtja përfundimisht, nga Gjykata kërkoi që në afat prej 10 ditësh, Gjykata ta obligoj PSRK-në që të gjitha shkresat të cilat munojnë të ja dërzoj mbrojtjes.
Tutje, shqyrtimi ka vazhduar me leximin e aktakuzës nga Prokurori Special Dren Paca, ku ndër të tjera theksoi se i pandehuri ka përgjegjësi dhe me veprimet e tij i ka tejkaluar kompetencat si dhe ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë.
Ndërsa, i pandehuri Nagip Krasniqi u deklarua duke theksuar se ndjehet plotësishtë i pafajshëm lidhur me akuzën që i vihet në barrë.
Tutje sa i përket provave të cilat mbrojtja i ka kërkuar, Gjykata e obligoi PSRK-në që në afatin prej 15 ditësh të siguroj provat, përkatësihtë Aktvendimin për fillimin e hetimeve si dhe kontratat për shitblerjen e energjisë elektrike në gjuhën shqipe.
Andaj, kryetari i trupit gjykues theksoi se mbrojtja ka afat prej 30 ditësh që të bëjë kundërshtimin e provave përkatësishtë kërkesën për hedhjen e aktakuzës, tutje në rrethanat e krijuara u konstatua se shqyrtimi i sotëm duhet të ndërpritet.
Sipas aktakuzës, Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
Në aktakuzë thuhet se, operatorit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531.920.79 euro. Gjithashtu, thuhet se kjo kishte dëmtuar dhe diskriminuar operatorët tjerë ekonomik konkurrent që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore.
Ndërsa, dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3.229.905.00 euro.
Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Arton Hoxha










