|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon të mbahet përsëri seanca e shqyrtimit filllestar ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve të akuzuar për krim të organizuar dhe vepra tjera penale

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nën trupin gjykues të përbërë nga Valon Totaj – Kryetar, Rrahman Beqiri – anëtar dhe Kushtrim Shyti – anëtare, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar në rastin ndaj Sami Lushtakut, Sheremet Jashari, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Fatmir Mjaku e Bajram Dibrani, ku të njëjtit po akuzohen për krim të organizuar dhe pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Valon Kurtaj deklaroi se ka ndryshim të trupit gjykues, meqë rast do të fillon rishtazi shqyrtimi  gjyqësor, mirëpo as kjo çështje nuk arriti të trajtohet për shkak që nuk pati kushte ligjore për mbajtjen e seancës së sotme, pasi që mungoi mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Mjaku, avokati Selatin Ahmeti, për të cilin mbrojtësi paraqiti kërkesën për ndërrim të mbrojtësit pasi nuk ka komunikim efektiv me të dhe për të ushtruar mbrojtjen efikase i nevojitet tjetër mbrojtës, duke kërkuar mbrojtës sipas detyrës zyrtare.

Ndërsa në seancën e sotme mungoi po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Sheremet Jashari, për të cilin deklaroi se mbrojtësi i tij ka theksuar se është në gjendje të rëndë shëndetësore, i cili njëjt si i akuzuari Mjaku paraqiti kërkesën për caktim të mbrojtësit tjetër sipas detyrës zyrtare, për shkak të pamundësisë ekonomike për të siguruar vetë mbrojtës.

Me aktvendim trupi gjykues aprovoi kërkesat e të akuzuarve Mjaku dhe Jashari, ndërsa seanca e nesërme u anulua po ashtu, ndërsa të radhës do të mbahen me datë 13 dhe 23 dhjetor 2024, nga ora 09:30.

Dëshmitarët të cilët sipas prokurorisë janë penguar dyshohet se kanë dhënë deklarata të rrejshme në shqyrtimin gjyqësor ku po gjykoheshin Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Sabit Geci dhe Ismet Haxha për rastin e arratisjes nga QKUK-ja.

Sipas prokurorisë ata dyshohet të kenë mohuar deklaratat e dhëna në procedurë paraprake si rezultat i ndikimit nga të pandehurit.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë nxitur dëshmitarin “C” për të dhënë deklaratë të rrejshme, duke i premtuar vend pune dhe i kanë ofruar shumën e parave në shumë prej 40 mijë euro dhe një banesë në lagjen Dardania në Prishtinë.

Në këmbim të mohimit të deklaratës në procedurë paraprake, të pandehurit i kishin paguar dëshmitarit “C” edhe trajtimin e gruas së tij në spital.

Kjo deklaratë e rrejshme kishte penguar në gjykimin e rastit “Arratija nga QKUK-ja” – P.938/13, ku ishin liruar nga akuza të pandehurit Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Sabit Geci, thuhet në dosjes së prokurorisë.

Përveç këtij dëshmitari, ata dyshohen se kanë ndikuar edhe në një dëshmitar tjetër duke e kërcënuar.

Sipas dosjes së prokurorisë, veprimet e të pandehurve në procedurë përbëjnë shkeljet sipas Kodit Penal: “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal”.

Ndryshe, prokurori i EULEX-it, Romelu Matues, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve më 17 nëntor 2016, të cilët i ngarkon me disa vepra penale e që lidhen me arratisjen e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK, të cilët ishin dënuar në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës”, dhe që në këtë qendër kishin shkuar për të marr shërbime mjekësore, për shkak të problemeve shëndetësore.

Për të akuzuarit Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës, të cilat kanë të bëjnë me pengimin e dëshmitarëve ishte veçuar procedura.

Ndërsa për këtë pjesë, bashkë me gjashtë të akuzuarit do të gjykohen edhe Sami Lushtaku dhe Ismet Haxha, të cilët gjithashtu do të gjykohen edhe për pjesën tjetër të aktakuzës, që ka të bëjë me arratisjen nga QKUK-ja.

Për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës, Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani, ngarkohen me veprat penale “pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare”, “frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “pjesëmarrja në grup të organizuar kriminal”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter