Projekt i realizuar nga:

Dështon të mbahet seanca në rastin ndaj të akuzuarve për mashtrim në detyrë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarve Besim Tahiraj, Abid Zariqi, Xhavit Nebihi dhe Afrim Krasniqi, të cilët akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për kryerjen e vepër penale ‘Mashtrimi në detyrë’.

Seanca e sotme dështoi për shkak të mungesë së të akuzuarit Besim Tahiraj dhe të mbrojtësit të tij, avokatit Ibrahim Dobruna, i cili ka njoftuar gjykatën me parashtresë se i mbrojturi i tij gjendet në Gjermani, si dhe mbrojtësi për arsye shëndetësore ka të pamundur pjesëmarrjen, meqë rast gjykata ka bërë verifikimin përmes operativës në Drenas, ku është marrë përgjigjja se i njëjti gjendet në Gjermani, ndërsa bashkëshortja dhe fëmijët e të akuzuarit jetojnë në të njëjtën adresë.

Në seancën e sotme nuk ishin prezent edhe tre dëshmitarët e planifikuar të dëgjohen për sot, si dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Komunës së Drenasit.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me datë 11 dhjetor 2024, nga ora 09:00.

Sipas aktakuzës, prej periudhës kohore të vitit 2010 e deri me datë 25 qershor 2020, të pandehurit Feriz Qorri, Besim Tahiraj, Abit Zariqi dhe Xhavit Nebihi, akuzohen se si persona zyrtar, ndërsa i pandehuri Afrim Krasniqi, person përgjegjës si pronar i firmës “Vellezërit Krasniqi”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër kanë bërë prezantime të rreme të raportit të llogarive, duke vu në lajthim personin e autorizuar në kryerjen e pagesës së kundërligjshme për punët të cilat nuk ishin kryer, në atë mënyre që: i pandehuri Feriz Qorri, në cilësinë e zyrtarit të Komunës së Gllogocit, si organ mbikeqyrës për menaxhimin e kontratës në realizimin e projektit “Ndërtimi i rezervarit për ujë të pijes në Kamenicë-Faza e II-të”, me numër prokurimi 611-10-167-521 ne vlerë prej 56,445.60 (pesëdhjetë e gjashtë mijë e katërqind e katërdhjet e pesë euro e giashtëdhjetë cent), me të cilën kontratë ishte paraparë realizimi, ndërtimi i ujësjellësit për disa fshatra nga bazenet e Feronikelit dhe atij në Kamenicë, furnizimi i 22 fshatrave në Komunë të Gllogocit, ku kompania NN, Vellezërit Krasniqi-Drenas”, me pronar Afrim Krasniqi, kanë lidhur kontratë me nr.611-10-167-521, të datës 18.11.2010, në bashkëkryerje edhe me personat zyrtar, të pandehurit Besim Tahiraj, Abit Zariqi dhe Xhavit Nebihi, në cilësine e anëtarëve të komisionit të pranimit teknik të këtij projekti, me dashje me veprimet e tyre i kanë mundësuar punëkryeresit pronarit të kompanisë N.N. “Vëllezerit Krasniqi”, të pandehurit Afrim Krasniqi, që mos ti kryej punët ashtu sic kanë qenë të specifikuara në kontratë, duke e bërë pranimin teknik, duke përpiluar raport me shkrim në të cilin thuhet se punimet teknikisht pranohen pas shiqimit të rezervuarit, dokumentacionit dhe ditarit ndërtimor, ndërsa më vonë në bazë të raportit të komisionit të formuar nga komuna e Gllogocit, për verifikim të gjendjes faktike në terren të datës 25.06.2020, me nr.01-020/04-17605, rezulton se projekti nuk është funksional, sepse gypat nuk kanë qenë të lidhur fare, si dhe trashësia e gypit të ujësjellësit nuk i përgjigjet trashësisë së gypit siç ka qenë e paraparë në kontratë, me ç’rast me një veprim të tillë Komuna e Gllogocit, është dëmtuar në vlerë prej rreth 56,445.60 (pesëdhjetë e gjashtë mijë e katërqind e katërdhjet e pesë euro e giashtëdhjetë cent).

Me këtë të pandehurit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale ‘Mashtrimi në detyrë’ nga neni 341 par.3 lidhur me par. 1 lidhur me nenin 31 të KPK-së.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter