Në Departamentin Special të Gykatës Themelore në Prishtinë me ka dështuar të mbahet shqyrtim fillestar ndaj të pandehurve Hajdar Hoxha, Lendita Myderrizi, Arbnora Jashanica, Xhevdet Leci, Bashkim Pireva, Dren Kukaj, Genc Sherifi dhe Vesel Makolli të akuzuar nga Prokuroria Speciale për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Lidhja e kontratës së dëmshme”.
Seanca e datës 8 tetor dështoi për shkak të mungesës së avokatit Fatbardh Makolli i cili në këtë procedurë mbron të akuzuarin Vesel Makolli. Ky i fundit u arsyetua për mungesën e avokatit të tij duke u thirrur në shkaqe shëndetësore.
Ky rast do të trajtohet para gjyqtarit nga Departamenti Special Kujtim Krasniqi ndërsa për Prokurorinë Speciale në seancë prezentoi Prokurori Milot Krasniqi si zëvendësim për Prokuroren Iliriana Çollaku – Tafa e cila ishte e angazhuar në një seancë tjetër.
Në seancë prezantuan edhe përfaqësuesit e palëve të dëmtuara, avokati Valdrin Behrami për Ndërmarrjen Publike Banesore dhe avokati Ahmet Tahiri për Komunën e Prishtinës.
Ndërkaq, mbrojtja deklaroi se një pjesë të konsiderueshme të provave akoma nuk i kanë pranuar e për këtë Gjykata obligoi Prokurorinë Speciale që para mbajtjes së seancës së radhës mbrojtjen ta pajisë me të gjitha shkresat e lëndës.
Seanca e radhës pritet të mbahet me datën 25 nëntor nga ora 13:15.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të pandehurit Hajdar Hoxha, Lendita Myderrizi, Arbnora Jashanica, Xhevdet Leci dhe Bekim Pireva në cilësinë e personave zyrtar, Hajdin Hoxha si kryeshef ekzekutiv kurse të tjerët anëtar të Bordit të Ndërmarrjes Publike Banesore, me dashje kanë shfrytëzuar pozitën e tyre duke tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personat e tretë. Kështu ata akuzohen se me datë 21 nëntor të vitit 2020 kanë nxjerrë një vendim me të cilën është miratuar Rregullorja për Rritjen e Pasurisë së Paluajtshme të NPB duke qenë në dijeni se kjo rregullore nuk është e bazuar në legjislacionin e Kosovës.
Kjo, sipas Prokurorisë, me qëllim të realizimit të Projektit për Ndërtim në lagjen Lakrishtë të Prishtinës e në këtë drejtim thuhet se në takimin e datës 22 prill të vitit 2021 janë pajtuar shprehimisht që Draft Marrëveshjen kryesore për bashkë investim ta referojnë tek Komisioni Komunal i Aksionarëve ku me aprovimin e saj ishte mundësuar që në mënyrë të kundërligjshme prona publike të tjetërsohet në pronësi private. Konkretisht, katër parcela në pronësi të NPB të kalojnë në pronësi të grupit të kompanive private e përbërë nga “Made Group Construction SH.P.K”, “Arkos SH.P.K” dhe “Made Kos Sh.P.K”.
Nga kjo, në aktakuzë thuhet se është shkaktuar dëm në shumën prej 28,700,000 euro NPB – së dhe Komunës së Prishtinës si dhe shumën prej 376,346 euro të shkaktuar nga vlera monetare që NPB ka paguar në emër të taksës për leje ndërtimin e projektit në fjalë.
Për këto veprime PSRK i akuzon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Tutje në dispozitivin e dytë të aktakuzës PSRK ka akuzuar Hajdar Hoxhën se në cilësinë e Kryeshefit ekzekutiv me datë 17 maj të vitit 2021 ka nënshkruar marrëveshjen kryesore për bashkë investim me Drilon Buzukun i cili ka qenë përfaqësues i grupit ofertues i përbërë nga kompanitë e lartcekura, e tërë kjo duke qenë në dijeni se kontrata e tillë shkon në dëm të NPB. Për këtë i pandehuri Hoxha akuzohet për veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”.
Ndërkaq me dispozitivin e tretë të kësaj aktakuze PSRK ngarkon të pandehurit Dren Kukaj, Genc Sherifi dhe Vesel Makolli për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.” Sipas aktakuzës të pandehurit në fjalë, në pozitën e anëtarëve të Komisionit Komunal Aksionar të NPB – së, me datën 15 janar të vitit 2021 duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Shoqërinë Tregtare kanë ndryshuar Statutin e NPB – së me qëllim që të mundësojnë Projektin për Ndërtimin e Lakrishtës si dhe duke ndryshuar nenin përkatës të këtij statuti me të cilin kanë mundësuar lidhjen e marrëveshjes për tjetërsimin e parcelave në fjalë nga prona publike në pronësi private.
Ndryshe sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtar, e pandehura Nerimane Kelani-Sherifi si udhëheqëse e sektorit të pronës në Komunën e Obiliqit dhe i pandehuri Arben Berisha si Drejtor i Planifikimit Urban, Pronë dhe Kadastër në Komunën e Obiliqit, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, ashtu që e pandehura Nerimane Kelani, ka përpiluar dhe nënshkruar Aktvendimin me të cilën e ka bërë bartjen e pronës nga pronari Xh.R, tek tani i pandehuri Ramadan Hasani, duke u bazuar në ” Parakontrata për shitblerjen e patundshmërisë”, në kundërshtim me Ligjin për themelimin e regjistrit të të drejtave të pronës së paluajtshme, ku ndër të tjera thuhet se për bartje të pronës duhet të paraqitet “Kontrata” mbi shitblerjen e patundshmërisë, dhe jo “Parakontrata”, e po të njëjtin aktvendim e ka nënshkruar edhe i pandehuri Arben Berisha, edhe pse ishte njoftuar nga e pandehura Nerimane, se aktvendimi mbi bartjen e pronës ishte marrë duke u bazuar në parakontratë, me këtë i ka shkaktuar dëme personit tjetër, në këtë rast trashëgimtarëve të të ndjerit Xh.R.
Ndërsa, i pandehuri Ramadan Hasani, akuzohet se me qëllim që vetit ti sjellë përfitim të kundërligjshëm, ka fshehur fakte, ka paraqitur fakte të rreme, me çka e ka vënë në lajthim të dëmtuarin M.G, e mashtron duke e nxitur të veproj në dëm material të pasurisë së tij, kështu që me datë 21.09.2022, ia ka shitur tokën në sipërfaqe të përgjithshme 11,034 m2, Zona Kadastrale Milloshevë- Komuna Obiliq, për blerjen e kësaj toke ia ka dhënë të pandehurit Ramadanit 2000 euro, 800 euro pas tri dite, kohë pas kohe ia ka dhënë nga 200 euro, e tjera, në total 3.250 euro, kurse marrëveshja ka qenë të paguhen 18.000 euro, e ka fshehur faktin se ” Parakontrata për shitblerjen e patundshmërisë” është e falsifikuar, me ç’rast blerësi, tani i dëmtuari M.G është vënë në lajthim lidhur me këtë fakt si dhe është dëmtuar materialisht.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Aulona Alaj