Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot me datë 8 tetor ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Nerimane Kelani-Sherifi, Arben Berisha dhe Ramadan Hasani të akuzuar për veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Mashtrimi’. Rasti trajtohet para trupit gjykues nga Departamenti i Krimeve të Rënda me kryetarin Naser Foniqi dhe anëtarët Fatime Dermaku dhe Ertan Sejfulla.
Në seancën e sotme mbrojtjen e dha i akuzuari Ramadan Hasani i cili u përgjigj në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokat Ibrahim Shala si dhe të Prokurores së rastit Bukurije Gjonbalaj.
Në mbrojtjen e tij i pandehuri Hasani tha se kishte kontaktuar me të dëmtuarin M.G për ti shitur pronën e cila është objekt i kësaj çështje penale dhe e ka lajmëruar se pronën nuk mund të lidhë kontratë tek noteri ndërsa me të njëjtin ka bërë pazar me ç ‘rast i ka marrë 4 mijë euro dhe i ka dhënë autorizim për të shitur pronën.
Në vazhdim i njëjti tha se kur e ka blerë pronën në fjalë ka menduar se është pronë tjetër ndërsa këtë e ka kuptuar vetëm pasi ka shkuar tek parcela me një gjeodet. Tutje ai shtoi se kur ishte lidhur parakontrata për pronën ai nuk ka qenë fare prezent dhe se nuk e ka nënshkruar atë. Lidhur me këtë deklaratë Prokurorja e rastit e ballafaqoi me parakontratën për blerjen e patundshmërisë duke e pyetur se a është nënshkrimi i tij, por që i pandehuri insistoi se në atë dokument nuk është nënshkrimi i tij.
Seanca vazhdoi me propozimin e avokatit Ibrahim Shala që në cilësinë e dëshmitarëve të ftohen për tu dëgjuar A.H dhe A.H me arsyetimin se prej dëshmisë së tyre do të provohet se a e ka lajthitur i pandehuri Ramadan Hasani të dëmtuarin M.G. Trupi gjykues mori aktvendim me të cilin e aprovoi propozimin e tillë.
Tutje, avokati Shala propozoi që të mbrojturit të tij të i bëhet një ekzaminim psikiatrik mjeko – ligjor me të cilin të konstatohet shkalla e aftësisë mendore të tij. Për dallim nga propozimi paraprak, këtë propozim e kundërshtoi Prokurorja e rastit duke thënë se nuk ka asnjë dëshmi apo indikator se i pandehuri në fjalë ka ndonjë problem psikik.
Lidhur me këtë, pas konsultimit, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin e refuzoi propozimin.
Përveç kësaj, në seancën e sotme u bë edhe administrimi i një prove materiale që ishte regjistri i noterit Nystret Ahmeti për vitin 2020 për Komunën e Obiliqit në të cilin nuk figuron numri i parakontratës që është objekt i çështjes.
Më pas seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar me datën 19 nëntor nga ora 13:10.
Ndryshe sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtar, e pandehura Nerimane Kelani-Sherifi si udhëheqëse e sektorit të pronës në Komunën e Obiliqit dhe i pandehuri Arben Berisha si Drejtor i Planifikimit Urban, Pronë dhe Kadastër në Komunën e Obiliqit, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, ashtu që e pandehura Nerimane Kelani, ka përpiluar dhe nënshkruar Aktvendimin me të cilën e ka bërë bartjen e pronës nga pronari Xh.R, tek tani i pandehuri Ramadan Hasani, duke u bazuar në ” Parakontrata për shitblerjen e patundshmërisë”, në kundërshtim me Ligjin për themelimin e regjistrit të të drejtave të pronës së paluajtshme, ku ndër të tjera thuhet se për bartje të pronës duhet të paraqitet “Kontrata” mbi shitblerjen e patundshmërisë, dhe jo “Parakontrata”, e po të njëjtin aktvendim e ka nënshkruar edhe i pandehuri Arben Berisha, edhe pse ishte njoftuar nga e pandehura Nerimane, se aktvendimi mbi bartjen e pronës ishte marrë duke u bazuar në parakontratë, me këtë i ka shkaktuar dëme personit tjetër, në këtë rast trashëgimtarëve të të ndjerit Xh.R.
Ndërsa, i pandehuri Ramadan Hasani, akuzohet se me qëllim që vetit ti sjellë përfitim të kundërligjshëm, ka fshehur fakte, ka paraqitur fakte të rreme, me çka e ka vënë në lajthim të dëmtuarin M.G, e mashtron duke e nxitur të veproj në dëm material të pasurisë së tij, kështu që me datë 21.09.2022, ia ka shitur tokën në sipërfaqe të përgjithshme 11,034 m2, Zona Kadastrale Milloshevë- Komuna Obiliq, për blerjen e kësaj toke ia ka dhënë të pandehurit Ramadanit 2000 euro, 800 euro pas tri dite, kohë pas kohe ia ka dhënë nga 200 euro, e tjera, në total 3.250 euro, kurse marrëveshja ka qenë të paguhen 18.000 euro, e ka fshehur faktin se ” Parakontrata për shitblerjen e patundshmërisë” është e falsifikuar, me ç’rast blerësi, tani i dëmtuari M.G është vënë në lajthim lidhur me këtë fakt si dhe është dëmtuar materialisht.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Aulona Alaj