Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit Fitim Veliqi, i cili po akuzohet për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’.
Në seancën e sotme kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gent Beka deklaroi se shqyrtimi gjyqësor fillon rishtazi për shkak të ndërrimit të trupit gjykues, pasi lënda ka qenë tek gjyqtari tjetër Ngadhnjim Arrni, i cili është avancuar në departamentin special të Gjykatës Themelore.
Tutje pas leximit të akuzës, i akuzuari Veliqi përsëri u deklarua i pafajshëm, ndërsa në fjalën hyrëse prokurori i rastit dhe mbrojtësja e të akuzuarit qëndruan pranë fjalëve hyrëse të dhëna me datë 18 janar 2022.
Ndërsa i akuzuari Veliqi në fjalën hyrëse të tij deklaroi se akuza përfshin periudhën provuese si inspektor dhe fillon nga dita e parë e punës, kur nuk kisha përvojë të duhur të procedurave dhe ligjeve dhe sipas ligjit isha nën mbikqyrje dhe nën varësinë e eprorit, ku akuzohem për mosrrënimin e 4 objekteve në zona rurale të cilat i kam inspektuar rregullisht, kam ndërprerë ndërtimin e tyre me dhjetëra herë, kam vendosur shiritat për secilin objekt, për secilin rast kam nxjerrë aktvendim e kur vendimet janë kundërshtuar kam shqiptuar gjoba, vetëm për objektin e parë kam inicuar kundërvajtje në gjykatën kompetente në vlerë prej 25 mijë e 600 euro, një shumë gati sa dëmi i paraqitur nga komuna.
Në vazhdim të seancës, u dëgjua dëshmitari H.Ll, i cili në deklarimin e tij theksoi se qëndron pranë deklaratave të cilat i ka dhënë në prokurori dhe shqyrtimin e kaluar.
Njëkohësisht dëshmitari phooi se nuk ka shkuar askund të rrënoj objekt pa konfirmuar prej menaxherit të kontratës rrënimin.
I akuzuari Veliqi pas dëgjimit të dëshmitarit, propozoi që si dëshmitar të dëgjohen edhe dy inspektor tjerë në atë kohë, të cilin propozim trupi gjykues e aprovoi.
Seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor do të mbahet me dateë 11 tetor 2024, nga ora 09:00.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 30 dhjetor 2020, Veliqi po akuzohet se në vazhdimësi nga 23 shtatori 2015 dhe 30 korriku 2016, në cilësinë inspektorit të ndërtimit nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se i njëjti ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtim Nr.04/l-175 dhe Ligjin për Ndërtim Nr.04./L-110, me Udhëzimet Administrative MMPH nr. 18/2013, duke mos ndërmarrë veprime administrative juridike për objektet përgjatë brezit të autostradës “Ibrahim Rugova”.
Sipas aktit akuzues, i akuzuari Veliqi nuk ka bërë rrënimin e objektit “Viva Fresh” të pronarit Shaip Bujupi, objektin “Ana Princes” me pronar Faik Kastrati, objektin “Hajdini Palace” me pronar Xhelil Leku, objektin “Aktiv” me pronar Florim Shala. Nga mos rrënimi i këtyre objekteve pa leje, thuhet se kanë përfituar personat e lartcekur, ndërsa Komunës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 34 mijë e 176 euro.
Me këtë, Veliqi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti










