Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar në rastin ndaj Metush Biraj, Shkodran Pulaj dhe Naim Osmanit të akuzuar për korrupsion.
Në seancën e sotme u lexua aktakuza nga prokurorja e rastit Shenaj Berisha, e cila paraqiti veprën penale për të cilën akuzohen dhe mënyrën se si prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë kryer veprën penale.
Ndërsa në deklarimin rreth fajësisë, të tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.
Gjytari i rastit Lutfi Shala pas deklarimit rreth fajësisë deklaroi përfundimin e shqyrtimit fillestar dhe njoftoi mbrojtjen se kanë të drejtë ankese kundër provave të paraqitura në aktakuzë në afat prej 30 ditësh.
Kujtojmë se tre seancat e kaluara kishin dështuar radhazi, meqë rast në seancën paraprake gjyqtari Shala kishte obliguar prokuroren Berisha që mbrojtjen ta pajisë me gjitha shkresat e lëndës, e cila ishte arsye e dështimit të seancës paraprake, meqë rast në seancën e sotme deklaroi se mbrojtja është pajisë me shkresat e nevojshme.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Metush Biraj, në mes të muajve prill dhe korrik të vitit 2023, në Prizren, në cilësi të prokurorit të shtetit të Prokurorisë Themelore në Prizren, pranon ofertën ose premtimin për dhuratë, në shumë prej 20.000 €, në atë mënyrë që gjatë përfaqësimit në Gjykatën Themelore në Prizren, më 31.03.2023, në këmbim të premtimit heq dorë nga ndjekja penale në mungesë të provave ndaj të akuzuarve: N.O., U.S. dhe A.S., për shkak të veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, të KPRK-së.
Prokuroria Themelore e Gjilanit njofton se me këto veprime ka kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ nga neni 421 paragrafi 1 të KPRK-së.
Ndërsa, të pandehurit Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë premtuar dhënien e ryshfetit për personin tjetër – tani të pandehurin Metush Biraj, me qëllim që i njëjti, në cilësinë e prokurorit të shtetit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor te datës 31.03.2023, të heq dorë nga aktakuza kundër të akuzuarve N.O., U.S. dhe A.S., për shkak të veprës të sipërshënuar penale.
Me këto veprime kanë kryer veprën penale ’’ Dhënia e ryshfetit’’ nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Leotrim Pajaziti










