Në Departamentin e Krimeve të Rënda, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka përfunduar gjykimi në rastin e të pandehurve: Ali Hocaoglu, Astrit Bakiqi, Abdullah Tuna, Driton Sylejmani, Arton Beqiri, Lulzim Brovina, Borche Petrovski, Mahmut Qakmak, Shpend Elezi, Raif Qavolli dhe Blerim Zuna të cilët nga Prokuroria akuzohen për veprat penale “Dhënie e ryshfetit’’ dhe “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor’’.
Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtari Alban Ajvazi dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtarja Sulltane Hoti dhe gjyqtari Avni Syla. Ndërsa, Prokuroria Themelore përfaqësohet nga Prokurorja e Shtetit Bukurie Gjonbalaj.
Në seancën e sotme janë dhënë fjalët përfundimtare, të palëve në procedurë.
Në fjalën përfundimtare, Prokurorja e Shtetit të dorëzuar me shkrim dhe të elaboruar në pika të shkurtëra ndër të tjera theksoi se, mbetet në tërësi pranë aktakuzës duke shtuar se me elaborimin e të gjitha provave është vërtetuar se të pandehurit kanë marrë pjesë në kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohen. Tutje, Prokurorja në fund nga trupi gjykues kërkoi që të pandehurit të shpallen të fajshëm dhe të dënohen sipas ligjit.
Tutje, mbrojtësi i të pandehurit Ali Hocaoglu, av. Behar Ejupi shtoi se nuk janë plotësuar elementet esenciale të veprës penale për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij, andaj i njejti nga Gjykata kërkoi aktgjykim lirues.
Në vazhdim, edhe mbrojtësit e të pandehurve të tjerë fjalën përfundimtare e dorzuan me shkrim, dhe në elaborim të shkurtër theksuan se në aktakuzën e Prokurorisë nuk është vërtetuar elementi inkriminues i të mbrojturve të tyre, duke shtuar se me rastin e marrjes së vendimit Gjykata duhet të merr parasysh faktin se në rastet e njohura si ‘Stenta 1’ dhe ‘Stenta 2’ të cilat kanë lidhshmëri me rastin konkret janë marrë dy aktgjykime liruese.
Po ashtu, edhe të pandehurit theksuan se mbështesin fjalët përfundimtare të mbrojtësve të tyre, rrjedhimishtë të njejtit nga trupi gjykues kërkuan aktgjykim lirues.
Kryetari i trupit gjykues, theksoi se shqyrtimi gjyqësor tani është i përfunduar, ndërsa shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datë: 21 Tetor nga ora 13:10.
Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë, Ali Hocaoglu, Astrit Bakiqi, Abdullah Tuna, Driton Sylejmani dhe Arton Beqiri, pretendohet se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “dhënie ryshfeti”, nga neni 429 i Kodit Penal.
Bakiqi, Tuna, Sylejmani dhe Beqiri pretendohet se nga data 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2015 duke vepruar në bashkëkryerje me njëri-tjetrin dhe me mjekët tani të akuzuar në rastin “Stenta 2”, ishin marrë vesh që pacientët që kishin shkuar për kontroll në institucione publike t’i referonin dhe t’i dërgonin në spitalin privat IMH.
Ndërsa, për këto veprime të njëjtit pretendohet se u jepnin ryshfet, ashtu që për çdo pacient të dërguar për vendosje të stentave u jepnin 500 euro, ndërsa për koronarografi nga 150 euro.
Për veprime të ngjashme, për dhënie të ryshfetit po akuzohen edhe Lulzim Brovina dhe Borche Petrovski, vetëm se këta dy të akuzuar kishin punuar në spitalin “EDA”.
Mahmut Qakmak, Shpend Elezi, Raif Qavolli dhe Arton Beqiri, akuzohen se nga 1 janari 2011 deri më 31 dhjetor 2015, duke punuar si mjek në spitalin “IMH”, duke vepruar në bashkëkryerje kanë trajtuar në mënyrë të pandërgjegjshme pacientë me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore duke përdor haptas mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit.
Me këtë rast, sipas prokurorisë këta të akuzuar kishin kryer veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.
Shënim: Të akuzuarit e përmndur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga: Arton Hoxha










