Projekt i realizuar nga:

Është dhënë fjala hyrëse ndaj të akuzuarve për Korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Jashar Blakaj, Rexhep Blakaj, Rrustem Gashi, Isa Hoxhaj si dhe Besart Dreshaj që të gjithë zyrtar me pozita të ndryshme në Komunën e Istogut për korrupsionit.

Në fillim të shqyrtimit gjyqësor kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Shaqë Curri bëri të ditur se meqenëse anëtarja e trupit gjykues Violeta Husaj-Rugova është avancuar në Gjykatën e Apelit e tani anëtar i trupit gjykues do të jetë gjyqtari Musë Povataj, andaj seanca filloi rishtazi.

Të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat të cilat iu vihen në barrë, ashtu që u vazhdua me dhënien e fjalës hyrëse.

Në fjalën e saj hyrëse prokurorja e shtetit Lumturije Vuçetaj tha se, gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të administrohen provat e listuara në aktin akuzues, do të dëgjohen dëshmitarët e propozuar në aktin akuzues të cilët do të deklarojnë mbi rrethanat dhe faktet të cilat kanë aplikuar për kushte dhe leje ndërtimore mbi bazën e të cilave do të vërtetohet se këtu të pandehurit e sipërshënuar janë penalisht përgjegjës për veprat penale për të cilat janë akuzuar. Tutje tha se, gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet se të gjithë kanë punuar në kundërshtim me legjislacionin me të vetmin qëllim për të përfituar investitorët e subjekteve ekonomike dhe se në përfundim të këtij shqyrtimi gjyqësor, gjykata që do të bindet që secili nga të pandehurit është penalisht përgjegjës për veprat penale për të cilat janë akuzuar.

Tutje, fjalën e saj hyrëse e ka dhënë mbrojtësja e të pandehurit Jashar Blakaj, av. Dafina Osmani e cila tha se, i mbrojturi i tij është munduar t’i shërbej Komunës së Istogut dhe Drejtorisë ku ka qenë drejtor me korrektësi dhe në përputhje me ligjin madje nuk e ka kursyer edhe shëndetin e tij. Tutje ajo tha se, gjatë këtij shqyrtimi do të vërtetohet se leja për biznesin ‘’Swis LB Invest’’ dhe leja për investitorin Dominor Fetahu nuk janë lëshuar nga i mbrojturi i saj Jashar Blakaj, pra ai nuk ka qenë pjesë e vendimmarrjes në asnjë formë nuk e ka përgatit dokumentacionin dhe rrjedhimisht nuk e ka verifiku as legjislacionin. Pra, asnjëherë nuk ka ekzistuar dashja për të kryer veprat penale për të cilat ngarkohet në këtë proces.

Më pas fjalën hyrëse e ka dhënë mbrojtësi i të pandehurit Rrustem Gashi, av. Ahmet Rexhaj i cili ndër të tjera tha se, aktakuza për nga vëllimi është mjaft voluminoze por juridikisht e paqëdrueshme dhe tha se mbesien pranë kundërshtimeve paraprake sepse ka një referim abstrakt të provave dhe provat e propozuara nga porokuroria nuk do të vërtetojnë se i mbrojturi i tij Rrustem Gashi me të pandehurit e tjerë me veprimet e tyre nuk i ka tejkaluar kompetencat e përcaktuara me ligj me qëllim të përfitmit të dobisë pasurore për personat e tjerë. Në fund tha se, nuk ka palë të dëmtuara dhe askush nuk është i dëmtuar nga veprimet e të pandehurit.

Fjalën e tij hyrëse e ka dhënë edhe mbrojtësi i të pandehurit Rexhep Blakaj, av. Flamur Bllacaku ku të njëjtën e ka dorëzuar me shkrim e të cilën e ka elaboruar, tha se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet saktë se prokuroria nuk do të arrij të tejkalojë dyshimin e bazuar se i mbrojturi i tij me ndonjë veprim do të ketë kryer verpën penale, i mbrojturi i tij ka kryer punën e tij në kuadër të bazës ligjore të cilat si burim e kanë pas kontratën e punës dhe se asnjëherë nuk ka vepruar në kundërshtim me përgjegjësitë e tij dhe i njëjti duke shfrytezuar të gjitha njohurit e tij, ka vepruar në kuadër të normativit ligjor duke kërkuar dokumentacione dhe duke vlerësuar dokumentacione për lëshimin e lejeve ndërtimore. Tutje tha se, gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se në asnjë leje ndërtimore të lëshuar nuk është në kundërshtim me PRR-në dhe të gjitha janë të lëshuara konfrom kushteve ndërtimore të parapara me ligj dhe do të vërtetohet se i mbrojturi i tij është i pafajshëm në këtë procedurë.

Më pas fjalën e tij e ka dhënë edhe mbrojtësi i të pandehurit Isa Hoxhaj av. Arbër Osmanaj i cili ndër të tjera tha se,  gjatë shqyrtimit gjyqësor do të kuptohet dhe do të vërtetohet se i mbrojturi i tij nuk e ka kryer veprën e vënë barrë duke theksuar se akuza ka një sërë mangësisht për shkak të së cilave do të ishte e pamundur që mbi bazën e një aktakuze të tillë i mbojturi tij të shpallej fajtor. Tutje tha se, aktakuza nuk përmban as përshkrimin konkret të veprimit të të mbrojturit të tij e më saktësisht nuk përmban se cilin autorizim ligjor ka tejkaluar duke nënshkruar leje ndërtimore ndërsa sa i përket elementeve subjektive të veprës prokuroria nuk përshkruan asnjë rrethanë lidhur me dijenin, dashjen dhe qëllimin e kërkuar sipas ligjit që një i pandehur të jetë fajtor. Dhe në fund shtoi se, lejet ndërtimore të lëshuara nga drejtoritë komunale nuk janë aktet përfundimtare në procedurë administrative të njëjtat janë publike dhe mund të ankimohen nga qytartarët, palët të tjera që kanë interes, posaqerisht ekzistojnë inspektoriate në nivele qendrore dhe komunale që mund t’i ankimojnë dhe në kontekst të procedurës penale kjo argumenton se i mbrojturi i tij nuk ka pas mundësi të kryej veprën që i është vën barrë.

Tutje fjalën e tij hyrëse e ka dhënë edhe mbrojtësi i të pandehurit Besart Dreshaj, av. Asdren Mekaj ndër të tjera ka thënë se, i mbrojturi i tij i ka shërbyer Komunës së Istogut dhe drejtorisë të cilën e ka udhëhequr me nder, korrektësi dhe në përputhje me ligjin. Tutje tha se, gjatë këtij gjykimi do të provohet se provat e propozuara në aktakuzë nuk mbështesin teorinë e prokurorisë për keqpërdorimin e autorizimeve zyrtare dhe atë dashjen direkte, do të provohet se pretendimet e organit të akuzës janë tërsisht të paqëndrueshme, janë tërsisht të pamjaftueshme për të vërtetuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.

Më pas është vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Y.B, i cili ndër të tjera tha se, në firmën ‘’Euro Stil’’ me drejtor Sh.K janë bashkëpronar me 50% të aksioneve ku gjeneron të hyra, ku merren me ndërtim, ku në zonën kadastrale ZK-Istog kanë ndërtuar. Tutje tha se është aplikuar për kushte ndërtimore, leje mjedisore komunale dhe leje të ndërtimit në komunën e Istogut, për rreth tri llamella. Dëshmitari gjatë pyetjeve nga prokuroria tha se, projekti ideor është hartuar nga firma ‘’ARCH-ART’’, duke shtuar se vendimi i është lëshuar sipas kërkesës B+P+5K+KT dhe se sa i është lëshuar taksa për pagesë aq e ka paguar. Në fund të pyetjeve nga ana e prokurorisë dëshmitari tha se, leja ndërtimore është lëshuar sipas hartave zonale.

Meqenëse kishte kaluar orari i rregullt i punës, seanca është ndërprerë për të vazhduar me datë 21 tetor.

Sipas aktakuzës së  Prokurorisë Themelore në Pejë të ngritur me datë 07.09.2022, në këtë rast akuzohen 5 zyrtar të komunës së Istogut  Jashar Blakaj, Rrustem Gashi, Rexhep Blakaj, Isa Hoxhaj dhe Besart Dreshaj.

Ata ngarkohen se kanë kryer veprat penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’,  “Konflikt i interesit” dhe  “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Elvana Hatashi

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter