Projekt i realizuar nga:

Dëgjohet një dëshmitarë në rastin e ish- zyrtarit të ATK, i akuzuar për Korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Deparamentin për Krime të Rënda, ka vazhduar gjykimi ndaj të pandehurit Malush Kelmendi, ish-zyrtarë në ATK, i cili nga Prokuroria akuzohet se ka kryer veprat penale: ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Falsifikimi i dokumentit zyrtar’.

Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtari Ertan Sejfulla dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtarja Fatime Dërmaku dhe gjyqtari Naser Foniqi. Ndërsa, Prokuroria Themelore përfaqësohet nga Prokurori i Shtetit Zefë Prendrecaj.

Gjykimi ka vazdhuar me dëgjimin e dëshmitarit S.S.

Në pytjet e Prokurorit i Shtetit, dëshmitari S.S. theksoi se qëndron pranë deklarimit të dhënë në polici, tutje shtoi se është Udhëheqës i Divizionit në Drejtorinë për Mbledhjen e Detyrueshme të tatimit. Ndërsa, sa i përket të pandehurit theksoi se e njeh vetëm si puntorë në ATK nga viti 2019. Si udhëheqës i divizionit dëshmitari theksoi se është në dijeni sa i përket veprimeve të të pandehurit, shtoi se në momentin që ka ndodhur ky rast kishte qenë në pushim.

Tutje, dëshmitari theksoi se dyshimet për veprimet e të pandehurit kishin qenë se është nënshkruar një dokument i cili ishte dërguar në regjionin e Pejës, pa dijenin e udhëheqësit të ekipit të tij dhe në këto raste kur tatimpaguesi ka obligime dhe ka kërkesë për lirim të pjesërishëm, atëherë është i obliguar që ta lëshoj Drejtori i DMB-së.

Sa i përket raportimit tek dëshmitari si udhëheqës i divizionit, ai theksoi se nuk ka pasur rastin që ta sheh këtë dokument, tutje shtoi se autorizimin për nënshkrimin e kësaj certifikate e ka pasur personi që e kishte zëvendësuar gjatë kohës sa kishte qenë në pushim. Ndërsa, sa i përket të pandehurit dëshmitari theksoi se nuk ka pasur të drejtë ta nënshkruaj këtë certifikatë.

Kurse, sa i përket obligimeve tatimore në kohën e lëshimit për subjektin ‘Jeta Med Farm’, dëshmitari theksoi se pasi që ishte kthyer nga pushimi kishte dhënë një deklaratë, tutje aty ishte njoftuar me rastin dhe kishte vërejtur se subjekti kishte pasur obligime, ndërsa sa i përket vlerës shtoi se nuk i kujtohet sakt.

Ndërsa, në pytjet e mbrojtësit të të pandehurit av. Fatmir Kurmehaj, dëshmitari theksoi sa i përket formave të heqjes së barrës tatimore, e vetmja mënyrë është që borxhi të jetë zero ndaj ATK-së.

Kurse, lidhur me deklaratën e tij sa i përket borxhit të subjektit ‘Jeta Medi Farm’, dëshmitari theksoi se edhe në kohën e dhënjes së deklaratës nuk ka qenë i sigurt lidhur me shumën e këtij borxhi. Tutje, dëshmitari shtoi se në atë kohë nuk ka pasur ndonjë minimum për vendosjen e borxhit.

Lidhur me rastet kur tatim-paguesi është nga regjioni i Pejës, se a mundet një zyrtarë të kaloj rastin tek një zyrtarë i regjionit tjetër, dëshmitari theksoi se rastet janë të ndara dhe atij që i caktohet edhe duhet ta kryej deri në fund rastin. Sa i përket këtyre rasteve duhet që të merret miratimi i eprorit.

Nga pytjet e trupit gjykues dëshmitari theksoi se barra tatimore fshihet vetëm nëse borxhi i tatim-paguesit është zero, kjo procedurë vijon sipas detyrës zyrtare, ku përgaditet dokumenti nga kontrollimi i lëndëve për lirim nga barra, ky dokument dorëzohet tek udhëheqësi i ekipit dhe pastaj tek Divizioni. Tutje, dëshmitari shtoi se më herët nuk ka pasur raste që zyrtarët pa dijenin e udhëheqësit të kenë dërguar raste në ndonjë institucion tjetër.

Kryetari i trupit gjykues, theksoi se pasi nuk është prezent dëshmitari i cili është në radhë që të dëgjohet, shqyrtimi i sotëm duhet të ndërpritet.

Ndryshe, sipas aktakuzës, së Prokurorisë, i pandehuri Malush Kelmendi akuzohet se me datë 19.05.2023, si person zyrtar tatimor në Drejtorinë e mbledhjes së detyrueshme tatimore në regjionin e Prishtina 3, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, e në mënyrë të kundërligjshme, ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që të përfitoj cfarëdo dobie për tjetrin, dhe me qëllim që t’i shkaktojë dëm ATK-së edhe buxhetit të Republikës së Kosovës, ka marrur veprime të paautorizuara në kompjuterin e tij duke krijuar një dokument – certifikatën e lirimit të barrës tatimore, të njejtin dokument e ka plotësuar, e ka vulosur, e ka nënshkruar pa qenë zyrtar i autorizuar sepse të njejtin dokument duhej ta vuloste eprori i tij Zijadin Syla e pastaj të njejtin dokument e ka dorëzuar në Zyrën e Kadastrit në Pejë, me qëllim që subjekti tatimor i pronarit Afrim Radoniqi të i zhbllokohen pronat – shtëpia dhe një parcelë tokë, të cilat ATK-ja ia kishte bllokuar për shkak të obligimeve tatimore,

Sipas prokurorisë me veprimet e tij, i pandehuri Kelmendi ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, nga neni 414 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Malush Kelmendi në dokumentin zyrtar, Certifikatën e lirimit të barrës tatimore ka shënuar të dhëna të rreme për biznesin N.T.SH ‘ETAMEDIFARM’, ashtu që të njejtin dokument e ka plotësuar, me vulë e ka vërtetuar dhe nënshkruar, ia ka vendosur vulën katrore, e ka keqpërdorur vulën e protokollit, duke regjistruar dhe duke i dhënë një numër fiktiv, i cili dokument nuk figuron i regjistruar në librin e protokollit në Drejtorinë e Mbledhjes së detyrueshme dhe përmban plotësishtë të dhëna të rreme, e pastaj të njejtin dokument personalisht e ka dorëzuar në Zyrën e Kadastrit në Pejë.

Me këto veprime, sipas aktit akuzes, i pandehuri Kelmendi ka kryer veprën penale ‘Falsifikimi i dokumentit zyrtar’ nga neni 427 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha 
 

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter