Projekt i realizuar nga:

Dështon shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarve për Krim të Organizuar

Në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar në rastin ku Dardan Gashi, Milaim Lipovica, Kushtrim Xhaka, Agron Berisha, Viktor Sogojeva dhe Nexhat Muqolli akuzohen për Krim të Organizuar.

Seanca e shqyrtimit fillestar e paraparë për datën 21 tetor nuk u mbajt për shkak të mungesës së të akuzuarit Nexhat Muqolli i cili ndodhet në arrati dhe të akuzuarit Kushtrim Xhaka për të cilin u arsyetua avokati i tij Fitim Maloku duke u thirrur për shkaqe shëndetësore duke ofruar edhe raportin mjekësor si provë. Ndërkaq prezent nuk ishte as mbrojtësi i të akuzuarit Milaim Lipovica, avokati Sherif Sherifi, për të cilin u arsyetua i mbrojturi i tij.

Në këtë fazë ky rast po trajtohet nga gjyqtari i Departamentit Special Vesel Ismaili ndërsa nga Prokuroria Speciale prezantoi Prokurorja Merita Bina – Rugova.

Duke qenë se në ditët e ardhshme dy prej të pandehurve u skadon masa e arrestit shtëpiak, avokati Haxhi Millaku i cili mbron të akuzuarin Viktor Sogojeva i propozoi gjykatës që kjo masë e sigurosë të i zëvendësohet me masën e paraqitjes në stacionin policor. Njëlloj propozoi edhe avokati Fitim Limani sa i përket të mbrojturit të tij Agron Berisha.

Lidhur me këto propozime Prokurorja Speciale dha mendimin saj duke thënë se për shkak të seriozitetit të veprës për të cilën akuzohen të pandehurit, e vetmja masë alternative me të cilën do të pajtohej Prokuroria do të ishte masa e dorëzanisë dhe konfiskimi i përkohshëm i pasaportës.

Pasi u konsultuan me klientët e tyre, avokatët Millaku dhe Limani deklaruan se për shkak të kushteve financiare nuk kanë mundësi për deponimin e dorëzanisë si masë sigurie ndërsa shtuan se pasaportat veçse janë të deponuara në gjykatë. Për këtë propozim gjyqtari Vesel Ismaili bëri të ditur se do të merr aktvendim jashtë seancës.

Seanca e radhës u caktua për datën 8 nëntor nga ora 13:30.

Sipas Aktakuzës së Prokurorisë Speciale të pandehurit Dardan Gashi, Milaim Lipovica, Kushtrim Xhaka, Agron Berisha, Viktor Sogojeva dhe Nexhat Muqolli me datë 18 nëntor të vitit 2021 në fshatin Parallovë në Novëbërdë kanë grabitur shumën prej 996,271 euro dhe shumën prej 46,780 dollar amerikan nga banka “ProCredit Bank” dhe kompania “Besa Security”.

Sipas aktit akuzues i pandehuri Dardan Gashi ka siguruar makinën e tipit “Volvo” me targat e një automjeti tjetër kurse i pandehuri Milaim Lipovica, i cili kishte qenë menagjer i kompanisë së dëmtuar, ka përgatitur një automjet special, pronë e kompanisë, për transportimin e parave. Lipovica, sipas aktakuzës, automjetin në fjalë e ka dërguar në një auto- servis ku pronar ishte  i pandehuri Kushtrim Xhaka ku së bashku i kanë vendosur një pajise e cila shërbente për çaktivizimin e motorit nga distanca.

Aktakuza thotë se të pandehurit Kushtrim Xhaka, Agron Berisha, Viktor Sogojeva dhe Nexhat Muqolli makinën e tipit “Volvo” e kishin lënë rreth 200 metra jashtë rrugës regjionale Prishtinë – Gjilan dhe me makinën tjetër të tipit “Zafira” kanë shkuar në Gjilan. Tutje aktakuza thotë se të njëjtit atje kanë takuar dhe kanë filluar ta përndjekin makinën e tipit “Fiat” në të cilin kanë qenë të grumbulluara paratë nga automatet bankare në Ferizaj, Viti dhe Gjilan me qëllim që të dërgohen në selinë e bankës “ProCredit” në Prishtinë. Me të arritur në fshatin Parallovë makinën “Fiat” e ndalojnë me teledirigjim duke i fikur motorin dhe më pas të akuzuarit Viktor, Agron dhe Nexhat dalin nga automjeti të maskuar dhe të armatosur me armë të tipit kallashnikov. Këtu, aktakuza thotë se të akuzuarit e lartcekur kanë filluar të shtien në parafango dhe në xham të shoferit të makinës “Fiat” dhe më pas i kanë nxjerrë nga vetura shoferin dhe tre punëtorë duke i çarmatosur dhe shtrirë për toke. Tuje i pandehuri Nexhat, sipas aktakuzës, i nxjerrë nga automjeti 10 çanta të mbushura me para të cilat i ngarkon në makinën “Zafira” dhe më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes, kanë shkuar në makinën e tipit “Volvo” kurse makinën Zafira e kanë djegur.

Sipas aktakuzës makinën e tipit “Volvo” me të cilën janë kthyer në Prishtinë e kanë braktisur në fshatin Halilaq pranë aeroportit në Sllatinë por që pas disa ditësh ishte zbuluar dhe sekuestruar nga Policia e Kosovës.

Për këto veprime të pandehurit akuzohen për veprën penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Grabitja”.

Ndërkaq të pandehurit Viktor Sogojeva, Agron Berisha dhe Nexhat Muqolli për përdorimin e armëve të tipit Kallashnikov AK 47 u bie në barrë edhe vepra penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Ndërsa Agron Berisha akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” pasi që me datën 17 janar të vitit 2021 gjatë bastisjes së shtëpisë së tij janë gjetur një pistoletë e tipit TT dhe 13 fishek të cilët i mbante pa autorizim.

Përveç kësaj, i pandehuri Viktor Sogojeva akuzohet edhe për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materive plasëse” pasi, sipas aktakuzës, i njëjti vazhdimisht është furnizuar me armë dhe municion nga Republika e Serbisë.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Aulona Alaj

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter