Projekt i realizuar nga:

Shpallet aktgjykimi në rastin e njohur si ‘Stenta 3’

Sot, me datë 21 Tetor 2024, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin për Krime të Rënda, është shpallur aktgjykim lirues në rastin e njohur si ‘Stenta 3’.

Në aktgjykimin e shpallur nga Kryetari i trupit gjykues Alban Ajvazi, ndër të tjera u theksua se me veprimet e të pandehurve nuk është vërtetuar elementi i veprës penale dhe konform dispozitave ligjore Gjykata i liroi nga akuzat.

Tutje, Kryetari i trupit gjykues theksoi se shpenzimet e procedurës bien në mjetet buxhetore të gjykatës, ndërsa palët e pakënaqura me vendimin, me ankesë mund t’i drejtohen Gjykatës së Apelit, përmes Gjykatës Themelore.

Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë, Ali Hocaoglu, Astrit Bakiqi, Abdullah Tuna, Driton Sylejmani dhe Arton Beqiri, pretendohet se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “dhënie ryshfeti”, nga neni 429 i Kodit Penal.

Bakiqi, Tuna, Sylejmani dhe Beqiri pretendohet se nga data 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2015 duke vepruar në bashkëkryerje me njëri-tjetrin dhe me mjekët tani të akuzuar në rastin “Stenta 2”, ishin marrë vesh që pacientët që kishin shkuar për kontroll në institucione publike t’i referonin dhe t’i dërgonin në spitalin privat IMH.

Ndërsa, për këto veprime të njëjtit pretendohet se u jepnin ryshfet, ashtu që për çdo pacient të dërguar për vendosje të stentave u jepnin 500 euro, ndërsa për koronarografi nga 150 euro.

Për veprime të ngjashme, për dhënie të ryshfetit po akuzohen edhe Lulzim Brovina dhe Borche Petrovski, vetëm se këta dy të akuzuar kishin punuar në spitalin “EDA”.

Mahmut Qakmak, Shpend Elezi, Raif Qavolli dhe Arton Beqiri, akuzohen se nga 1 janari 2011 deri më 31 dhjetor 2015, duke punuar si mjek në spitalin “IMH”, duke vepruar në bashkëkryerje kanë trajtuar në mënyrë të pandërgjegjshme pacientë me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore duke përdor haptas mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit.

Me këtë rast, sipas prokurorisë këta të akuzuar kishin kryer veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter