Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vazhduar gjykimi ndaj të pandehurve Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi të cilët po akuzohen nga Prokuroria Speciale, për rastin e njohur si ‘400 Kg kokainë’.
Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtari Ngadhnjim Arrni dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtari Valon Kurtaj dhe gjyqtari Rrahman Beqiri. Ndërsa, PSRK përfaqësohet nga Prokurori Special Valdet Gashi.
Shqyrtimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarës M.H.
Prokurori Special theksoi se për hirë të respektimit të parimit të ekonomizimit të procedurës, duke theksuar faktin se kjo dëshmitare është pyetur nga Prokuroria në shqyrtimet e kaluara, shtoi se mbeten në tërësi pranë pytjeve të paraqitura dhe nuk kanë pytje të reja për dëshmitarën.
Tutje, në pytjet e mbrojtësit të të pandehurit Izet Sheqiri, av. Florent Latifaj dëshmitarja fillimisht theksoi se qëndron pranë deklarimeve të dhëna në shqyrtimet e kaluar të bëra nga mbrojtësi i kaluar, kurse sa i përket procedurës së transportit të mallit, dëshmitarja shtoi se kjo procedurë është zhvilluar cdo herë në formë të njejtë, përfshirë edhe porosinë e fundit të dt. 17.05.2021, dëshmitarja theksoi se në dijeni të saj procedurat cdo herë ishin të njejta.
Në raport me punët për të cilat ishte e ngarkuar, dëshmitarja theksoi se nuk beson që ka pasur anashkalim sa i përket pjesës së saj.
Në ndërlidhje me procedurat e transportit nga pytjet mbrojtësit të të pandehurit Faton Vrajolli, av. Leutrim Syla, dëshmitarja theksoi se është në dijeni për shkak të pozitës së zyrtarës së importit dhe këto info i ka pranuar nga Faton Vrajolli, kurse pas përfundimit të porosisë dëshmitarja theksoi se i janë dërguar edhe asaj si zyrtare e importit.
Tutje, dëshmitarja theksoi se konfirmimet që pranohen bëhen për periudha më të gjata dhe në dijeni të saj janë bërë nga dy deri në tre muaj por jo edhe më herët. Kurse, lidhur me komunimimet e zyrës së importit përmes email, dëshmitarja theksoi se në rastet kur ka pasur mungesë këtyre kontinierve i’u është dhënë prioritet.
Kurse, sa i përket deklarimeve të saj në PSRK, në një rast ku është hapur kontinieri produketet të cilat ishin porositur kishin qenë të rrëzuara dhe në mungesë të sasisë, lidhur me këtë cështje dëshmitarja theksoi se këto shqetësime kanë qenë në mes të Kompanisë ‘Mc Food’ dhe ‘Seara’.
Lidhur me transportin i cili është objekt shqyrtimi në këtë cështje, nga pytjet e av. Ramë Dreshaj dëshmitarja theksoi se të gjitha pytjet të cilat i janë bërë më herët lidhur me këtë cështje i mbështet dhe pasi ka kaluar kohë e gjatë mund të ketë harruarr ndonjë detaj.
Kryetari i trupit gjykues theksoi se pasi që në shqyrtimin e sotëm ka qenë e paraparë të dëgjohej vetëm një dëshmitarë, seanca e sotme duhet të ndërpritet dhe tutje do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë në shqyrtimet e radhës.
Kujtojmë që, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur me datë14 nëntor 2022, të akuzuarit Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi, po akuzohen se duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar dhe në bashkim të strukturuar kriminal, duke bashkëpunuar me persona deri më tani të panjohur nga shteti i Brazilit dhe pas marrëveshjes paraprake me të njëjtit, fillimisht kanë lidhur marrëveshje për importin e produkteve të mishit të pulës të ngrirë, ku në brendi të së cilës është vendosur edhe substanca narkotike e llojit kokainë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, kompania “MC FOOD” Sh.p.k, për qëllime të importit të mallit, është kategorizuar në linjën e verdhë, ku në stacionet doganore bëhet vetëm verifikimi i dokumenteve dhe jo kontrollimi i mallit, dhe duke shfrytëzuar këtë mundësi, është arritur që substanca narkotike prej 400 kg e llojit kokainë, të transportohet nga shteti i Brazilit, nëpërmjet shtetit të Spanjës, Italisë dhe Republikës së Shqipërisë, ashtu që me datën 15.05.2021, substanca narkotike është futur në Republikën e Kosovës.
Të akuzuarit e lartëpërmendur sipas Prokurorisë Speciale, me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: ‘Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’ nga neni 277 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kujtojmë se të akuzuar në këtë rast kanë qenë edhe Naim Morina dhe Hyzri Sheqiri, të cilët akuzoheshin për pengim të procedurës penale, mirëpo pasi që të njëjtin kanë pranuar fajësinë, ndaj të njëjtëve është shpallur aktgjykim fajësues.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Arton Hoxha










