Projekt i realizuar nga:

Dështon seanca ndaj tre të pandehurve për Vjedhje të organizuar tatimore

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ishte paraparë që sot me datë 24 tetor të mbahej senaca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku Lorik Jashari, Kadri Mustafa dhe Naman Pacolli akuzohen për veprat penale “Krimi i organizuar”, “Shmangia nga tatimi” dhe “Shpërlarja e parave”.

Seanca dështoi të mbahej për shkak të mungesës së dëshmitarit Sh.M i cili ishte paraparë të dëgjohej sot. I njëjti kishte njoftuar gjykatën se ndaj tij po zhvillohet një procedurë disiplinore dhe se nuk ka marrë përgjigje nga drejtoria përkatëse se a ka të drejtë të dëshmojë në gjykatë, prandaj nuk ka prezentuar në seancën e sotme.

Trupi gjykues në këtë rast përbëhet nga kryetari Valon Kurtaj dhe anëtarët Lutfi Shala dhe Vesel Ismaili. Ndërkaq nga Prokuroria prezantoi Prokurorja Speciale Habibe Salihu.

Seanca e radhës pritet të mbahet me datë 7 nëntor.

Përndryshe sipas aktakuzës së 25.02.2014 të Prokurorisë Speciale, të pandehurit Lorik Jashari, Kadri Mustafa, Xh. M. dhe M. G., të cilët kanë ndërruar jetë kanë kryer veprën penale të krimit të organizuar.

Sipas prokurorisë, gjatë vitit 2007-2011, Lorik Jashari si kryesues i grupit të organizuar kriminal iu ka ndihmuar në regjistrimin e bizneseve “Flaka Com” në emër të Kadri Mustafës. Kurse për Xh. M, ishte regjistruar biznesi me emër “Loni Com”, ndërsa M. G. ka regjistruar biznes me emrin “Yllka Com”. Sipas Prokurorisë regjistrimi i këtyre bizneseve ishte bërë më qëllim që të merren me aktivitete kriminale duke përpiluar faktura fiktive gjoja se është bërë shitja-blerja e mallrave konkrete. Duke e dëmtuar sipas prokurorisë buxhetin e shtetit në dëm prej 198,707.17 mijë euro.

Gjithnjë sipas prokurorisë i pandehuri Lorik Jashari i ka kontaktuar personat e tjerë të akuzuar, duke qenë se ka aftësi të kontabilitetit dhe i ka udhëzuar personat si të hapet biznesi, si të veprohet në biznes, duke u treguar në detaje me aktivitetet kriminale.

Jashari, sipas prokurorisë thuhet se pasi që janë udhëzuar tashmë të akuzuarit e tjerë për regjistrimin e bizneseve, ju ka siguruar shitës-blerës fiktiv. Tutje kishte përgatitur 42 fatura fiktive personalisht në vlerë prej mbi 360 mijë euro. Me këto veprime të akuzuarit janë ngarkuar me veprën penale të krimit të organizuar. Kurse për Jasharin edhe për shmangie nga tatimi dhe për keqpërdorim të autorizimeve ekonomik

Tutje aktakuza thotë se Jashari si pronar i kompanisë “Lori” në vitin 2008 e ndërron emrin e kompanisë në atë të “Lorlan” SH.P.K. Kështu i njëjti gjithnjë sipas prokurorisë pranon para nga të hyrat e bizneseve fiktive “Flaka Co” dhe kompania “Cini Comerce” dhe deponimet kesh në vlerë prej mbi 600 mijë euro, të hyrat nga shitblerja e banesave në vlerë prej mbi 300 mijë euro.

Prokuroria thotë se Lorik Jashari ka bërë shpërlarje të parave të fituara si më lartë duke e ndërtuar një objekt banesor shumëkatësh në vlerë prej afërsisht gjysmë milioni euro.

Pikë tjetër e akuzës për shmangie tatimi e ngarkon të akuzuarin Kadri Mustafa, i cili si pronar i kompanisë “Flaka Com” e ka dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej afërsisht 5 mijë euro duke mos deklaruar të ardhurat dhe fitimin e saktë të kompanisë.

I akuzuari tjetër Naman Pacolli akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të autorizimeve ekonomike.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Aulona Alaj

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter