Projekt i realizuar nga:

Përsëri dështon të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj 11 të akuzuarve për Korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, sipas agjendës së planifikuar sot do të mbahej seanca e shqyrtimit gjyqësor  ku të akuzuar janë Rajan Arapi, Flurije Berisha, Arianit Krasniqi, Edmond Shala, Osman Kollçaku, Mustafë Nila, Argjent Lleshi, Bajram Muzlijaj, Mentor Beqiri dhe Adhurim Kasapi  që të gjithë zyrtar me pozita të ndryshme në Komunën e Pejës si dhe Plarent Trakaniqi gjeodet i licencuar nga AKK, po akuzohen për korrupsion.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ilir Rashkaj bëri të ditur se anëtari i trupit gjykues, gjyqtari Drilon Haraçia është i angazhuar si anëtar i komisionit për vlerësim të përfomancës andaj në  seancën e sotme si anëtar zëvendësues do të jetë gjyqtarja Besarta Doli.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Muzlijaj, av. Besnik Berisha i propozoi gjykatës që të vijoj me këtë shqyrtim vetëm nëse përbërja e trupit gjykues do mbetet e njëjtë në ditët në vijim. 

Gjithashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Plarent Trakaniqi, av. Salih Mekaj tha se është jo racionale të filloj shqyrtimi sot me fjalën hyrëse para këtij trupi gjykues e nesër të jetë një trup gjykues tjetër.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Mustafë Nila, av. Ergjyment Barbullushi tha se shqyrtimi gjyqësor duhet të vazhdoj.

Andaj, në këto rrethana gjykata duke vendosur lidhur me kërkesat e mbrojtësve të cilat kanë të bëjnë me përbërjen e trupit gjykues ka marr aktvendim që shqyrtimi gjyqësor nuk do të mbahet sot, i njëjti do të vazhdojë me datën 31 tetor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë të ngritur me datë 24.02.2023, në këtë rast akuzohen 10 zyrtar të Komunës së Pejës në pozita të ndryshme si: Rajan Arapi në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit dhe Mbrojtes së Mjedisit, Flurije Berisha në cilësinë e shefes së sektorit ligjor-teknik për leje të ndërtimit, Arianit Krasniqi në cilësinë e Drejtorit për Çështje Pronësoro-Juridike, Osman Kollçaku në cilësinë e zyrtarit të lartë për çështje pronësore-juridike, Edmond Shala në cilësinë e Drejtorit për Çështje Pronësore-Juridike, Mustafë Nila në cilësinë e Drejtorit për Kadastër dhe Gjeodezi, Argjent Lleshi në cilësinë e udhëheqësit të sektorit të kadastrit, Bajram Muzlijaj në cilësinë e inspektorit të ndërtimit pranë Drejtorisë për Inspektim, Mentor Beqiri në cilësinë e inspektorit të ndërtimit pranë Drejtorisë për Inspektim, Adhurim Kasapi  në cilësinë e zyrtarit gjeodet pranë Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër si dhe Plarent Trakaniqi si person zyrtar – gjeodet i licensuar nga Agjencioni Kadastral i Kosovës.

Ata ngarkohen se kanë kryer veprat penale ‘’keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe “Konflikt i interesit”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Elvana Hatashi

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter