|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Është dhënë fjala hyrëse ndaj 11 të akuzuarve për Korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, sipas agjendës së planifikuar sot është dhënë fjala hyrëse ku të akuzuar janë Rajan Arapi, Flurije Berisha, Arianit Krasniqi, Edmond Shala, Osman Kollçaku, Mustafë Nila, Argjent Lleshi, Bajram Muzlijaj, Mentor Beqiri dhe Adhurim Kasapi  që të gjithë zyrtar me pozita të ndryshme në Komunën e Pejës si dhe Plarent Trakaniqi gjeodet i licencuar nga AKK, po akuzohen për korrupsion.

Fillimisht fjalën e saj hyrëse e ka dhënë prokurorja e shtetit Lumturije Vuçetaj e cila ndër të tjera tha se do të vërtetohet se të akuzuarit në këtë rast janë penalisht përgjegjës për veprat penale për të cilat janë akuzuar ku gjatë këtij shqyrtimi do të administrohen provat e listuara në aktakuzë, do të dëgjohen dëshmitar dhe mbi bazën e të cilave konsideron se do të vërtetohet se secili një nga një janë përgjegjës për veprimet e tyre.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Rajan Arapi, av. Ndrecë Dodaj fjalën e tij hyrëse e dorëzoi me shkrim, e të njejtën e elaboroi para gjykatës ku tha se gjatë këtij shqyrtimi do të vërtetohet se provat të cilat i ka parashtruar prokuroria do të mbesin në nivelin e informacioneve, përkatësisht këto prova nuk do të jenë as në nivelin e dyshimit të arsyeshëm.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuares Flurije Berisha, av. Gazmend Osaj, fjalën e tij hyrëse e ka dorëzuar me shkrim, i njëjti e elaboroi me gojë. Ai tha se gjatë këtij shqyrtimi do të vërtetohet se e mbrojtura e tij po akuzohet pa drejtë, se e njëjta me veprimet e saj nuk ka përmbushur elementet e veprës penale si dhe gjatë këtij shqyrtimi do të argumentohet se aktakuza nuk përmban ndonjë arsyetim ligjor.

Më pas, fjalën hyrëse mbrojtjësi i të akuzuarit Arjanit Krasniqi, av. Milot Neziraj e ka dhënë me shkrim.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Edmond Shala, av. Labinot Berisha në fjalën e tij hyrëse tha se për të mbrojturin e tij do të vërtetohet se nuk e ka kryer vepren penale për të cilën akuzohet, pasi që në asnjë nga veprimet e ndërmarra nuk plotësohen elementet qenësore të veprës penale për të cilën ngarkohet. Ai tha se, këmbimi i pronës së paluajtshme publike me atë private në Komunën e Pejës eshtë bërë me propozim të kryetarit te komunës së Pejës dhe me vendim të Asambles Komunale të Pejës.

Më pas, fjalën hyrëse mbrojtjësja i të akuzuarit Osman Kollçaku, av. Venera Berisha me autorizim zëvendësues për Majlinda Kollçakun e ka dhënë me shkrim.

Tutje mbrojtësi i të akuzuarit Mustafë Nila, av. Ergjyment Barbullushi në fjalën e tij hyrëse tha se  mbrojtja nuk pajtohet asesi me bashkëkryerjen sikurse thuhet në aktakuzë, aktakuza flet për veprimet e kryera veq e veq dhe pastaj i mbledhë ato së bashku dhe krijon bashkëkryerje dhe propozon të gjykohen si të tilla.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Argjent Lleshi, av. Ferid Gjikolli në fjalën e tij hyrëse tha se pika e aktakuzes që i adresohen të mbrojturit të tij nuk kanë substancë, këto pika mbështeten në faktet të cilat nuk ekzistojnë. Në fund, tha se gjykatës do t’i propozojmë aktgjykim lirues për të mbrojturin e tij.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Muzlijaj, av. Besnik Berisha tha se do të provohet se aktakuza u ngrit për të arsyetuar kompozitetin e arrestimit e jo sepse i mbrojturi i tij i kontribuoj krimit. Gjithashtu tha se, do te provohet se nuk është shkelur ligji i ndërtimit, nuk u tejkaluan kompetencat e as nuk dështoi në përmbushjen e detyrave i mbrojturi i tij. Ai tha se përkundrazi falë punës së tij ky vendim u ekzekutua.

E mbrojtësi i të akuzuarit Mentor Beqiri, av. Granit Vokshi e dorëzoi me shkrim, të njejtën e elaboroi para gjykatës. Ai tha se prokuroria ka dështuar në përpilimin e aktakuzës, po ashtu në keqinterpretimin e provave dhe keq prezentimin e gjendjes faktike ai në fund i propozoi gjykatës të veçohet procedura për të mbrojturin e tij se nga 37 dëshmitarët e propozuar as 5 prej tyre nuk kanë të bëjnë me të mbrojturin e tij.

E mbrojtësi i të akuzuarit Adhurim Kasapi, av. Taulant Broqi me autorizim zëvendësues për Faruk Binakaj tha se, e kundërshtojnë në tërësi aktakuzën dhe se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të provohet pafajesia e të mbrojturit të tij.  I njëjti i propozoi gjykatës që të veçohet procedura ndaj të mbrojturit të tij, për arsye se nuk është i inkriminuar në bashkëkryerje.

Në fund, mbrojtësi i të akuzuarit Plarent Trakaniqi, av. Salih Mekaj tha se, në asnjë provë të kësaj aktakuze nuk kam parë që për një rast është specifikuar vlera e përfitimit. Në fund tha se propozoi që çështja e klientit tij të veçohet, sepse në të gjitha shkresat është vetëm plan situacioni që e ngarkon të mbrojturin  e tij.

Prokurorja e shtetit Lumturije Vuçetaj lidhur me propozimin e mbrojtësve për veçimin e procedurës, deklaron se qëndron pranë përgjigjes në seancën e kaluar se nëse bëhet veçimi i procedurës për të pandehurin Plarent Trakaniqi, që në linjë me të njejtin të veçohet procedura edhe për të pandehurit tjerë, Bajram Muzlijaj, Mentor Beqiri dhe Adhurim Kasapi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë të ngritur me datë 24.02.2023, në këtë rast akuzohen 10 zyrtar të Komunës së Pejës në pozita të ndryshme si: Rajan Arapi në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit dhe Mbrojtes së Mjedisit, Flurije Berisha në cilësinë e shefes së sektorit ligjor-teknik për leje të ndërtimit, Arianit Krasniqi në cilësinë e Drejtorit për Çështje Pronësoro-Juridike, Osman Kollçaku në cilësinë e zyrtarit të lartë për çështje pronësore-juridike, Edmond Shala në cilësinë e Drejtorit për Çështje Pronësore-Juridike, Mustafë Nila në cilësinë e Drejtorit për Kadastër dhe Gjeodezi, Argjent Lleshi në cilësinë e udhëheqësit të sektorit të kadastrit, Bajram Muzlijaj në cilësinë e inspektorit të ndërtimit pranë Drejtorisë për Inspektim, Mentor Beqiri në cilësinë e inspektorit të ndërtimit pranë Drejtorisë për Inspektim, Adhurim Kasapi  në cilësinë e zyrtarit gjeodet pranë Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër si dhe Plarent Trakaniqi si person zyrtar – gjeodet i licensuar nga Agjencioni Kadastral i Kosovës.

Ata ngarkohen se kanë kryer veprat penale ‘’keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe “Konflikt i interesit”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Elvana Hatashi

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter