Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj Sylejmon Pllana, i akuzuar për korrupsion në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Në seancën e sotme u dëgjuan dy dëshmitarët, Nj.Th dhe Q.M, ndërsa mungoi dëshmitari Xh.J.
Në dëgjimin e dëshmitarit Nj.Th, i njëjti në pyetjet e prokurorit Kujtim Munishi deklaroi se si drejtor menaxhuer i ndërmarrjes nuk ka pasur rast të takohet me të akuzuarin tjetër Egzon Hyseni, i cili ka pranuar fajësinë në shqyrtimin e kaluar dhe është shpallur fajtor, dhe se i njëjti e kishte kontaktuar në rrjetin social facebook duke paraqitur rastin se po kërkohen para për punësim nga tashmë i akuzuari Pllana.
Dëshmitari deklaroi tutje se kishte dorëzuar provat tek zyra ligjore dhe kishte kërkuar të merren menjëherë me këtë rast, por që më date 24 prill 2020 ishte shkarkuar nga detyra dhe nuk ka njohuri më lidhur me rastin.
Ndërsa, në dëgjimin e dëshmitarit tjetër Q.M, deklaroi se të akuzuarin e njeh nga momenti kur ka ardhur në KEK-ë si inxhinier ndërrimi dhe ka pasur raporte kolegiale, por që nuk ka pasur njohuri se Pllana ka pasur ndonjë problem me dikënd aty apo jashtë KEK-ut.
Pasi që dëshmitari tjetër Xh.J mungoi, mbrojtja tërhoqi propozimin për dëgjimin e tij.
Në seancën e sotme u administruan po ashtu provat materiale, ndërsa mbrojtja propozoi administrimin edhe të disa provave tjera materiale, të cilat u aprovuan nga trupi gjykues.
Tutje, në fund të seancës, i akuzuari Pllana paraqiti mbrojtjen e tij.
Fjala përfundimtare do të paraqitet në seancën tjetër, e cila do mbahet me date 6 nëntor 2024, nga ora 09:00.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 janar 2021, ngarkon Sylejmon Pllanën se në cilësinë e personit zyrtar, inxhinier në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), duke e keqpërdorur detyrën e tij, Egzon Hysenit i kishte kërkuar ryshfet në shumë prej 5 mijë e 500 euro duke i premtuar se do ta punësonte si vozitës në KEK.
Gjithnjë sipas aktit akuzues, Pllana fillimisht e kishte pranuar shumën prej 2 mijë euro nga i akuzuari Hyseni, e pastaj në një takim tjetër ai kishte pranuar edhe shumën prej 500 euro, kurse për pjesën tjetër prej 3 mijë euro, ata ishin pajtuar që ajo pjesë të paguhej pasi i akuzuari Hyseni të punësohej dhe ta marrë pagën e parë në KEK.
Me këto veprime, Pllana po akuzohet se ka kryer veprat penale “Marrja ryshfetit” nga neni 428, par 1, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Po ashtu, ai akuzohet edhe për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Egzon Hyseni akuzohej se gjatë muajit prill 2019, është takuar me të akuzuarin Pllana në Fushë Kosovë dhe me qëllim që të punësohej në KEK, fillimisht i kishte dhënë Pllanës shumën prej 2 mijë euro e pastaj në një takim tjetër shumën prej 500 euro, kurse për pjesën tjetër ishin pajtuar që të paguhej pasi i akuzuari Hyseni të punësohej në KEK.
Me këtë, Hyseni akuzohej se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, nga neni 429, paragrafi 1, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Pasi Hyseni e kishte pranuar fajësinë për këtë vepër penale, Gjykata Themelore në Prishtinë, me 17 maj 2021, e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim dhe 300 euro gjobë, por me pëlqimin e tij, dënimi me burg iu kishte zëvendësuar pastaj në dënim me gjobë në lartësi prej 1 mijë e 500 euro.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të
vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti