|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohet një dëshmitarë në rastin e njohur si ‘400 KG kokainë’

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vazhduar gjykimi ndaj të pandehurve Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi të cilët po akuzohen nga Prokuroria Speciale, për rastin e njohur si ‘400 Kg kokainë’.

Fillimisht, Kryetari i trupit gjykues theksoi se në shqyrtimin e sotëm do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarit F.RR.

Sa i përket dëshmitarit të lartëcekur Prokurori Special theksoi se Prokuroria tërhiqet nga dëgjimi i dëshmitarit i cili është prezent, për faktin se propozimi i tij është bërë në raport me të pandehurit Naim Morina dhe Hyzri Sheqiri të cilët kanë pranuar fajësinë, prandaj për shkak se për cështjen e mbetur dëshmitari nuk është relevantë Prokuroria tërhiqet nga dëgjimi i tij.

Shqyrtimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit tjetër L.K. i cili nga pytjet e Prokurorit Special, ndër të tjera theksoi se në periudhën kohore 2013 – 2015 ka punuar në Kompaninë ‘Mc Food’ në pozitën e Zyrtarit kryesor të Financave.

Në vazhdim, dëshmitari theksoi se ka njohuri rreth sekuestrimit të 400 kg kokainë në Kompaninë ‘Mc Food’. Kurse, lidhur me ndonjë telefonatë në mes të pandehurve në raport me mallrat e pranuara nga Kompania përmes kontinjerëve, theksoi se i ka dëgjuar disa biseda në të cilat është biseduar rregullishtë për cdo import, kontinier, blerje, për shkak të sistemimit të mallrave në depo, gjithashtu gjatë këtyre bisedave ishte folur edhe për kontinier me mallra specifike në të cilat është konsideruar se ka material marketingu nga furnitorët e Brazilit.

Kurse, pas ballafaqimit nga Prokurori Special sa i përket telefonatave në mes të pandehurve, përkatësishtë Izet Sheqiri dhe Kadri Brahimi-t, në të cilat ishte biseduar rreth një palete të caktuar në kontinier të caktuar të ndahet si e vecantë e cila do të dërgohej në Malin e Zi, lidhur me këtë cështje dëshmitari theksoi se i kujtohet kjo deklaratë.

Tutje, nga pytjet e mbrojtjes konkretishtë nga mbrojtësi i të pandehurit Izet Sheqiri, av. Florent Latifaj, dëshmitari lidhur me dëgjimin e bisedës telefonike theksoi se pasi ka kaluar një kohë e gjatë nuk i kujtohen detajet konkrete por në dijeni të tij ka ndodhur në zyrën e të pandehurit Izet Sheqiri dhe kjo bisedë kishte ndodhur në prani të dëshmitarit. Kurse, në njohuri të tij Kompania ‘Mc Food’ kishte importuar mall edhe në shtetin e Malit të Zi.

Ndërsa, në pytjet e mbrojtësit të të pandehurit Faton Vrajolli, av. Leutrim Syla, dëshmitari lidhur me detyrat e tij në Kompaninë ‘Mc Food’ theksoi se ka qenë menaxhimi i financave në gjithë kompaninë, kurse sa i përket faturave të pranuara – lëshuara nga kompania dëshmitari theksoi se nuk është marrur me fatura të blerjeve dhe shitjeve të kompanisë. Kurse, sa i përket faturave për materiale reklamuese, dëshmitari theksoi se në këto raste janë regjistruar nga zyrtarë të caktuar.

Sa i përket ngjarjeve të cilat i janë kujtuar pasi rasti është bërë mediatik, dëshmitari theksoi se kur është ftuar në Polici i ishte kërkuar që të sqaronte lidhur me një deponim të bërë nga ai dhe disa punëtorë të kompanisë, kurse në Prokurori i kishin kërkuar detaje shtesë përveq rasteve specifike.

Kurse, lidhur me materialin reklamues të sjellur nga furnitorët të cilin e kishte parë në zyrë, dëshmitari theksoi se në atë kohë nuk ka pasur dyshime që në këto pako të ketë pasur drogë apo ndonjë substacë tjetër.

Kryetari i trupit gjykues theksoi se pasi që në agjendën e ditës së sotme nuk ka dëshmitarë të tjerë të ftuar, shqyrtimi duhet të ndërpritet. Ndërsa, në seancat e radhës do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarëve tjerë.

Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtari Ngadhnjim Arrni dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtari Valon Kurtaj dhe gjyqtari Rrahman Beqiri. Ndërsa, PSRK përfaqësohet nga Prokurori Special Valdet Gashi.

Kujtojmë që, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur me datë14 nëntor 2022, të akuzuarit Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi, po akuzohen se duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar dhe në bashkim të strukturuar kriminal, duke bashkëpunuar me persona deri më tani të panjohur nga shteti i Brazilit dhe pas marrëveshjes paraprake me të njëjtit, fillimisht kanë lidhur marrëveshje për importin e produkteve të mishit të pulës të ngrirë, ku në brendi të së cilës është vendosur edhe substanca narkotike e llojit kokainë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kompania “MC FOOD” Sh.p.k, për qëllime të importit të mallit, është kategorizuar në linjën e verdhë, ku në stacionet doganore bëhet vetëm verifikimi i dokumenteve dhe jo kontrollimi i mallit, dhe duke shfrytëzuar këtë mundësi, është arritur që substanca narkotike prej 400 kg e llojit kokainë, të transportohet nga shteti i Brazilit, nëpërmjet shtetit të Spanjës, Italisë dhe Republikës së Shqipërisë, ashtu që me datën 15.05.2021, substanca narkotike është futur në Republikën e Kosovës.

Të akuzuarit e lartëpërmendur sipas Prokurorisë Speciale, me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: ‘Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’ nga neni 277 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kujtojmë se të akuzuar në këtë rast kanë qenë edhe Naim Morina dhe Hyzri Sheqiri, të cilët akuzoheshin për pengim të procedurës penale, mirëpo pasi që të njëjtin kanë pranuar fajësinë, ndaj të njëjtëve është shpallur aktgjykim fajësues.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter