|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbahet shqyrtimi gjyqësor në rastin ndaj ish-noterit dhe një të akuzuari për mashtrim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Sinan Visoka – ish noter si dhe të akuzuarit Lirim Mustafa të cilët po akuzohen nga Prokuroria për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autorietit zyrtar” si dhe veprën penale në bashkryerje “Mashtrimi”.

Në seancën e sotme paraqiti mbrojtjen i akuzuari Lirim Mustafa, i cili në pyetjet e mbrojtësit të tij lidhur me shtimin e kateve të shtëpisë deklaroi se kanë qenë dy kate, ndërsa pastaj në vitin 2015 janë shtuar edhe dy pas marrëveshjes me vëëlezërit dhe nënën, ku janë ndarë katet sipas dëshirës së nënës dhe në pajtim me vëllezërit.

I njëjti në deklarimin e tij lidhur me mospërfshirjen e vëllaut të tij, tashmë të ndjerë Blerim Mustafa, në çertifikatën familjare, theksoi se nuk ka qenë e qëllimshme dhe se mungesën e vëllaut në çertifikate apo që ishte e nevojshme të përfshihet e ka kuptuar kur është marrë në pyetje nga prokurori i rastit.

Ndërsa me ish-noterin Sinan Visoka, Mustafa deklaroi se nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje paraprake rreth ndonjë eleminimi të qëllimshëm të ndonjë personi nga e drejta e trashëgimisë.

Katet e shtëpisë, të cilat janë ndarë për katër vëllezërit në kohën e shtimit të dy kateve shtesë, i akuzuari deklaroi se shfrytëzohen njëjtë siç janë ndarë në fillim, vetëm që dy vëllezërit kanë ndërruar banimin në kate me marrëveshje të tyre.

I akuzuari Mustafa theksoi se prona më herët në emër të Rexhep Mustafa, tashmë është në emër të tij dhe se sa i përket legalizimit e njëjta lëndë është në pritje në komunë dhe do të bartet pastaj tek secili vëlla siç janë ndarë katet paraprakisht.

Seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor, ku do paraqiten fjalët përfundimtare do të mbahet me datë 13 dhjetor 2024, nga ora 13:15.

Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë, i akuzuari Sinan Visoka, në cilësin e noterit, me datë 15 shkurt 2016, kishte përpiluar aktvendim mbi shqyrtimin e trashëgimisë pa prezencën e trashëgimtarëve ligjor.

I akuzuari Sinan Visoka, akuzohet se i njëjti kishte shpallë trashëgimtar ligjor, nipin e të ndjerit R.M, tani të akuzuarin Lirim Mustafa, kështu duke ia mohuar të drejtën e trashigimisë ligjore të dëmturave, të cilëve iu është shkaktuar edhe dëm pasuror.

Tutje, i akuzuari Lirim Mustafa, në këtë aktakuzë, akuzohet se duke paraqitur fakte të rreme, në mënyrë mashtruese dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, i’u kishte shkaktuar dëm pasuror të dëmtuarave.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.


Monitoruar nga Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter