Në Gjykatën Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, sot është mbajtur shqyrtimit gjyqësor ku i akuzuar është Lulzim Blakaj.
Pas ndryshimi të aktakuzës nga prokurorja e çështjes Valbona Disha-Haxhosaj, i akuzuari Lulzim Blakaj në konsultim me mbrojtësen e tij ka pranuar fajësinë për veprën penale të ndryshuar që i vihet në barrë.
Trupi gjykues pas konsultimit mori aktvendim me të cilin ka pranuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari Blakaj.
Prokurorja Disha-Haxhosaj në fjalën e saj përfundimtare tha se, meqenëse i pandehuri e ka pranuar fajësinë, dhe se mbetet në tërsi pranë përshkrimit faktik dhe juridik të rikualifikuar me 02.10.2024 ashtu që i ka propozuar gjykatës që të njëjtin ta shpall fajtor, ta denoj sipas ligjit si dhe ta obligoj në shpenzimet procedurale, si dhe mbetet pranë propozimit që të njëjtit t’i shqiptohet dënimi plotësues, i lë në vlerësim të gjykatës. Gjithashtu në fund gjykatës i propozoi sa i përket lartësisë së dënimit si rrethanë rënduese të vlerësohet dashja e të pandehurit për kryerjen e e veprës penale kurse si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë.
Tutje mbrojtësja e të akuzuarit Lulzim Blakaj, av. Albana Kelmendi në fjalën e saj përfundimtare tha se, meqenëse sot i mbrojturi i saj pranoj fajësinë, në kuptim të dispozitave të KPRK-së, gjykata të marr si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë, keqardhjen e shprehur dhe pendimin e thellë, kurse si rrethana rënduese nuk ka.
Kujtojmë që aktakuza është ndryshuar në seancën e datës 02.10.2024, “ I pandehuri Lulzim Blakaj akuzohet se me datë 08.10.2020 ne Istog, i pandehuri si person zyrtar me dashje e shtytë zyrtarin ligjor F.B që të përpiloj ‘’autorizimin zyrtarisht 2018’’ me qëllim që i pandehuri me këtë autorizim të vërtetoj një çështje të pavërtetë e të paraparë që ta përdorë këtë autorizim si provë në hetuesi se kinse i pandehuri ka qenë i autorizuar nga ish-kryetari tani i ndjeri Haki Rugova për t’i nënshkruar kontratat për dhënie në shfrytëzim afatshkurtër të pronave kompanisë ‘’Makon sh.p.k’’, pronë e vellait të kryetarit Haki Rugova, me të cilin autorizim i pandehuri ka vënë në lajthim organin kompetent dhe atë DHKEK-së në Prishtinë në atë mënyrë që, gjersa i pandehuri Lulzim ishte duke u intervistuar në DHKEK në Prishtinë lidhur me rastin e ish-kryetarit të komunës se Istogut tani i ndjeri Haki Rugova, zyrtarit I.H dhe L.B, ku ky i fundit nga emaili i tij personal ia dërgon zyrtarit F.B autorizimin e gatshëm “zyrtarisht/2018 të datës 18.04.2018” duke e shtytë të njëjtin që në autorizim t’i fus numrat e kontratave, ta printoj dhe t’ia dërgon kryetarit për nënshkrim, e më pas të njëjtin autorizim t’ia dergoi hetuesit H.XH, gjë që zyrtari F.B, duke menduar se po vepron ligjshëm e nën lajthim ka vepruar ashtu siç e ka shtytë i pandehuri të cilin autorizim pas nënshkrimit duke mos e protokoluar F.B ia dërgon në email zyrtarit policor H.XH,
Me çka i pandehuri ka kryer veprën penale shtytje në kryerjen e veprës penale ‘’legalizim i përmbajtjes së rreme’’ nga neni 395 par . 1 e lidhur me nenin 32 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi