Diona Zhubi – fituese e çmimit të tretë.
Sundimi i ligjit është themeli i çdo demokracie të qëndrueshme, por për një shtet në tranzicion si Kosova, kjo është një detyrë edhe më sfiduese, e cila kërkon kujdes dhe angazhim të përditshëm. Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, Kosova ka ofruar një kontekst të veçantë për studimin dhe aplikimin e teorive mbi sundimin e ligjit, duke u përballur me një kompleksitet sfidash që përfshijnë tensione të brendshme. Ndryshe nga shumica e shteteve evropiane, Kosova ka operuar në një kornizë ku ndikimi ndërkombëtar është ndjerë në çdo fazë të ndërtimit të institucioneve të saj. Pranimi dhe implementimi i standardeve ndërkombëtare, veçanërisht ato që lidhen me të drejtat e njeriut dhe luftën kundër korrupsionit, janë bërë primare për legitimitetin e institucioneve të Kosovës dhe për konsolidimin e demokracisë. Në Kosovë, marrëdhëniet ndërmjet ligjit ndërkombëtar dhe ligjit të brendshëm përfaqësohen kryesisht nga një model dualist, i cili është i ngjashëm me praktikat e shumicës së vendeve evropiane. Në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova ka treguar progres të dukshëm në disa fusha të sundimit të ligjit, por mbetet ende prapa në shumë aspekte që kanë të bëjnë me zbatimin e plotë të ligjit. Gjykatat në Kosovë, veçanërisht Gjykatën Kushtetuese, kanë demonstruar një qasje hibride në vendimmarrjen e tyre.
Raportet e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën reflektojnë një shqetësim të vazhdueshëm për nivelin e lartë të korrupsionit, duke theksuar se kapaciteti i institucioneve për të luftuar këtë fenomen është ende i kufizuar. Përkundër përpjekjeve të bëra, korrupsioni ka depërtuar në të gjitha nivelet e administratës publike, duke përfshirë sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial, ku shpesh ndërhyrjet politike bëjnë të pamundur ndjekjen penale efektive të rasteve të ndjeshme që përfshijnë zyrtarë të lartë. Në kontekstin e Kosovës, si dhe analizën e sfidave kryesore, Indeksi i Përceptimit të Korrupsionit (në tekstin e mëtejmë: CPI) i Transparency International ka një rëndësi të veçantë, pasi ai pasqyron një prej sfidave kryesore që shteti i Kosovës po përballet në rrugën e tij drejt forcimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit. Në një shtet ku Indeksi i Përceptimit të Korrupsionit i CPI-së, vazhdon ta pozicionojë Kosovën në një vend të ulët krahasuar me fqinjët rajonalë, përmirësimi i këtij treguesi kërkon reforma të thella dhe strukturore në institucionet e pavarura të drejtësisë. Një sistem gjyqësor i dobët, i cili ka elemente të papërgjegjësisë dhe të korruptuar, i bën të pasigurt investitorët e huaj. Ata kanë nevojë për një mjedis ligjor të qëndrueshëm dhe të besueshëm për të siguruar investimet e tyre. Kjo përfshin jo vetëm përmirësimin e kapaciteteve teknike të institucioneve, por edhe krijimin e një kulture të fortë integriteti dhe transparence në procesin gjyqësor. Investimet e huaja direkte (FDI) janë thelbësore për rritjen e qëndrueshme, por për të tërhequr ato, Kosova duhet të demonstrojë një sistem gjyqësor të besueshëm, të fuqishëm dhe të pandikuar nga faktorë të jashtëm. Aktualisht, vonesat dhe mungesa e efikasitetit në ndjekjet penale krijojnë një klimë që dekurajon denoncimet dhe angazhimin qytetar. Inkurajimi i mbrojtjes së sinjalizuesve (“whistleblowers“), lejon individët që të raportojnë pa frikë korrupsionin, shkeljet e ligjit dhe abuzimet që mund të mos jenë të dukshme për autoritetet, por janë të njohura për ata që punojnë brenda sistemit. Mbrojtja e sinjalizuesve ka qenë një komponent kyç në luftën kundër korrupsionit në shumë shtete, dhe përvoja e vendeve si Rumania dhe Kroacia ofron shembuj konkretë të suksesit në këtë drejtim.
Kosova ka përjetuar një progres ekonomik të qëndrueshëm që nga shpallja e pavarësisë, siç tregohet në raportet e Bankës Botërore, por një nga sfidat kryesore që pengon zhvillimin e mëtejshëm është investimi i pamjaftueshëm në sektorin e drejtësisë, i cili është një parakusht për krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm dhe të sigurt për zhvillimin ekonomik. Përqindja e alokuar për sektorin e drejtësisë është shumë e vogël, dhe kjo ka kontribuar në mbingarkesën e gjyqësorit, vonesat në procedurat gjyqësore, dhe mungesën e teknologjisë moderne që do të mundësojë një proces më të shpejtë dhe efikas. Vonesat dhe ndërprerjet në sistemin gjyqësor të Kosovës, të shkaktuara nga mungesa e pajisjeve për përkthim si dhe problemet teknike me teknologjinë ekzistuese, paraqesin një sfidë që pengon përparimin e drejtësisë në vend. Mungesa e pajisjeve të përkthimit të njëkohshëm krijon barrierë të menjëhershme për komunikim, duke rrezikuar që proceset gjyqësore të jenë të pasigurta dhe të padrejta, sidomos për ata individë që nuk flasin gjuhën shqipe, siç janë pjesëtarët e pakicave etnike. Ky problem është shumë më shumë se një çështje teknike; ai ka ndikim të drejtpërdrejtë në besimin e qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë dhe rrezikon mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në këtë drejtim, zbatimi i standardeve të KEDNJ-së në drejtësi, përmes avancimit të teknologjisë, mbetet një prioritet i domosdoshëm. Neni 6 i KEDNJ-së, i cili garanton të drejtën për një proces të drejtë, është thelbësor për të siguruar që digjitalizimi i sistemeve gjyqësore të mos cenojë aksesin në drejtësi, por, përkundrazi, të ofrojë mjete më të efektshme dhe transparente për mbrojtjen e të drejtave individuale.
Në një shtet që aspiron të forcojë sundimin e ligjit dhe të krijojë një sistem drejtësie të besueshëm, mungesa e vetingut mbetet si njëra nga sfidat më të mëdha për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës. Pa një proces të rregullt dhe të paanshëm vetingu, nuk ka mundësi të sigurohet që personat në pozita të ndjeshme si gjykatës dhe prokurorë të jenë të përgatitur profesionalisht dhe të pastër nga ndikimet e jashtme. Në këtë mënyrë, mund të ndodhin abuzime me pushtetin dhe të ndihmohen praktika të favorizimeve politike. Sistemi gjyqësor, duke mos pasur një mekanizëm të rregullt kontrolli është më i prirur për korupsion, favoritizëm dhe ndërhyrje politike, duke kontribuar në një proces gjyqësor jo të drejtë dhe të paprecedent.
Pa një reformë të shpejtë dhe të qëndrueshme në këto fusha, Kosova do të vazhdojë të përballet me pengesa të mëdha në ofrimin e një drejtësie të besueshme dhe të përballueshme për të gjithë qytetarët e saj.
– GARA E ESEVE është realizuar në kuadër të Projektit “JUST REACT– Ngritja e Reagimit Qytetar Drejtë një Qasjeje të Përmirësuar në Drejtësi në Kosovë” i financuar nga European Union in Kosovo dhe implementohet nga Group for Legal and Political Studies (GLPS) në bashkëpunim me Community Development Fund – CDF