Ebrar Gashi – fitues i çmimit të dytë.
Pas shumë betejash për të siguruar pavarësinë, Kosova tani gjendet në një luftë të brendshme për të forcuar sundimin e ligjit. Këto beteja nuk kanë të bëjnë më me vendet e tjera, por me drejtuesit e brendshëm dhe organet përgjegjëse për ruajtjen e drejtësisë. Ndonëse detyra e tyre është krijimi i një sistemi të drejtësisë transparent dhe efikas, këto struktura shpeshherë përballen me ndikime të jashtme dhe përplasje politike, duke i bërë përpjekjet për vendosjen e sundimit të ligjit po aq të vështira dhe të ndërlikuara sa kanë qenë në zanafillat e pavarësisë së vendit tonë. Duke përfaqësuar bazën e një shoqërie demokratike, sundimi i ligjit është thelbësor për një vend si Kosova. Megjithatë, gjithmonë ekziston mundësia për përmirësim dhe forcimin e mëtejshëm të themeleve të shtetit tonë.
Me përfundimin e luftës në vitin 1999, Kosova u gjend e hapur ndaj ndikimeve dhe ndërhyrjeve ndërkombëtare, ku më të spikaturat ishin “United Nations Mission in Kosovo (UNMIK)” dhe “EU Rule of Law Mission in Kosovo (EULEX)”, të cilat synonin ngritjen e një strukture të mirëfilltë gjyqësore. Për shkak të mungesës së themeleve të qëndrueshme juridike, Kosova adoptoi dispozita nga praktikat e huaja, ndërkohë që agjencitë lokale ende përpiqeshin të konsolidoheshin. Këto misione punuan për të ndihmuar në ndërtimin e një drejtësie të pavarur, gjithëpërfshirëse dhe të aftë për të trajtuar çështje të çdo natyre. Gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë patën një ndikim thelbësor në vendosjen e rregullave të paanshmërisë dhe rikthimin e besimit publik te proceset ligjore. Gjatë viteve, angazhimi ndërkombëtar ndryshoi, duke u zhvendosur nga një ndërhyrje aktive në një monitorim të përgjithshëm të funksionimit të ligjit. Pavarësisht progresit, pengesat vazhdojnë të ekzistojnë, dhe sistemi legjislativ ende ndeshet me sfida në përpjekje për të arritur stabilitet dhe një nivel të përmbushur drejtësie.
Sundimi i ligjit në Kosovë përballet me sfida të shumta që prekin të gjitha dimensionet e drejtësisë. Pavarësisht ngritjes së vazhdueshme të trupave që synojnë vendosjen e barazisë dhe transparencës, shpesh ato vetë bëhen pengesa në rrugën drejt efikasitetit. Procedurat zvarriten për periudha të gjata kohore, lëndët kthehen pa arsyetim të qartë dhe dokumentacioni kërkohet në mënyrë konfuzuese, duke krijuar kaos dhe mungesë organizimi. Vendimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve për raste të ngjashme, pavarësisht nëse janë civile, penale apo administrative, ndryshojnë pa justifikime, duke u dhënë qytetarëve arsye për të dyshuar në sistemin e drejtësisë. Ndikimet politike përkeqësojnë situatën, duke krijuar një drejtësi selektive, ku disa raste marrin përparësi, ndërsa ato që përfshijnë individë me influencë politike shtyhen ose anulohen. Miratimi i ligjeve me shpejtësi për qëllime politike, sidomos gjatë fushatave zgjedhore, është një tjetër sfidë, ku këto veprime synojnë të rrisin pëlqyeshmërinë publike, por dëmtojnë të mirën e përbashkët në një periudhë më të gjatë. Një rast i tillë është “Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor”, i cili u kalua pa krijuar një agjenci dhe fond të qëndrueshëm, duke u paraqitur si në dobi të qytetarëve, por që në të vërtetë mund të shkaktojë pasoja negative në të ardhmen e vendit.
Kosova ka një mundësi të shkëlqyer për të transformuar peizazhin e saj ligjor. Reformat dhe harmonizimi i rregulloreve brenda strukturave shtetërore janë thelbësore për një sistem ligjor më të fortë dhe më efektiv. Këto ndryshime krijojnë një kuadër të qartë dhe të kuptueshëm që lehtëson zbatimin e ligjeve, duke siguruar që çdo person të ketë qasje të barabartë në drejtësi. Në këtë kontekst, ndjekja e udhëzimeve dhe direktivave të Bashkimit Evropian është thelbësore, ku Kosova mund të shndërrohet në një model integrimi. Roli i organizatave ndërkombëtare dhe atyre joqeveritare mbetet vendimtar, ato shërbejnë si zë i paanshëm që monitoron dhe avokon për ndryshime të gjithanshme, duke kontribuar në zhvillimin e një sistemi të pavarur. Transparenca në publikimin e të gjitha proceseve legjislative dhe komentet e dhuruara gjatë konsultimeve publike janë të domosdoshme. Kjo do t’u mundësojë qytetarëve të kuptojnë se si opinionet e tyre kanë ndikuar në formësimin e dokumenteve përfundimtare, duke rritur kështu besimin në strukturat ligjore. Përzgjedhja transparente dhe e ndershme e gjyqtarëve dhe prokurorëve është një shtyllë thelbësore për një sistem gjyqësor të qëndrueshëm. Një proces i tillë jo vetëm që rrit besimin e qytetarëve ndaj drejtësisë, por edhe forcon legjitimitetin e vendimeve të marra në emër të ligjit. Bashkëpunimi rajonal dhe përfshirja e minoriteteve garanton që çdo zë të gjejë hapësirë dhe respekt, duke ndërtuar një shoqëri më të integruar, ku çdo qytetar ndjen se është dëgjuar dhe vlerësuar. Digitalizimi sjell përparim, duke mundësuar krijimin e një databaze të përgjithshme që lehtëson aksesin në informacion dhe kërkimin e dokumenteve. Kërkimi bëhet më i shpejtë dhe efektiv, jo vetëm përmes fjalëve kyçe në faqet zyrtare, por edhe në platforma institucionale të ndryshme. Ky proces i shërben jo vetëm profesionistëve, por edhe individëve të interesuar për çështje ligjore. Përditësimi në kohë reale i publikimeve nga institucionet shtetërore dhe veçanërisht nga Kuvendi i Kosovës rrit transparencën dhe kuptueshmërinë e vendimeve të marra. Me një qasje më të hapur dhe gjithëpërfshirëse, Kosova ka potencialin për të krijuar një të ardhme ku ligji gjithmonë respektohet dhe shërben për të mirën e të gjithëve.
Në përfundim, sfidat me të cilat Kosova përballet janë të shumta, por po aq të shumta janë edhe mundësitë për përmirësim. Krijimi i një sistemi gjyqësor transparent dhe të pavarur kërkon përkushtim të plotë dhe bashkëpunim nga të gjithë aktorët e involvuar, përfshirë institucionet vendore, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë. Vetëm përmes një angazhimi të përbashkët mund të tejkalohen barrikadat që kanë bllokuar avancimin dhe të vendosen baza të qëndrueshme për një drejtësi të barabartë për të gjithë qytetarët. E ardhmja e sundimit të ligjit në vend do të varet nga aftësia për të lënë pas të kaluarën dhe për të ndërtuar një sistem në të cilin çdo qytetar ndjen siguri dhe besim në zbatimin e drejtësisë. Nëse ky objektiv arrin të realizohet, Kosova jo vetëm që do të forcojë themelet e saj si shtet, por gjithashtu do të bëhet një shembull pozitiv për vendet e tjera në rajon dhe më gjerë.
– GARA E ESEVE është realizuar në kuadër të Projektit “JUST REACT– Ngritja e Reagimit Qytetar Drejtë një Qasjeje të Përmirësuar në Drejtësi në Kosovë” i financuar nga European Union in Kosovo dhe implementohet nga Group for Legal and Political Studies (GLPS) në bashkëpunim me Community Development Fund – CDF